E Shtunë, 31 Tetor 2026

53 / 100

Qeveria miratoi projektbuxhetin e vitit 2010 dhe në Kuvend do të fi llojë diskutimi i tij. Nga sa është bërë deri tani
publike, edhe këtë herë buxheti do të vazhdojë të trajtohet thjesht e vetëm si tavan shpenzimesh dhe jo çfarë do të sjellë të re e më shumë në ekonominë e vendit, qoftë me mënyrën si i krijon burimet e veta dhe qoftë me mënyrën se si i rishpërndan, jo çfarë do të sjellë në familjet shqiptare, sa do të përmirësohet jetesa e shqiptarëve, sa familje do të dalin një herë e mirë nga varfëria, sa do të rriten të ardhurat reale të pensionistëve e të papunëve etj.

Duhet të përgatitemi të dëgjojmë përsëri se sa më shumë lekë do të marrin të punësuarit në sektorin publik apo se sa më shumë lekë do të marrin më shumë pensionistët, por edhe këtë herë askush nga përfaqësuesit e qeverisë nuk do të marrë mundimin të na thotë se sa mallra apo shërbime do të blejnë më shumë, si të punësuarit, ashtu edhe pensionistët.

Buxhetet familjare shqiptare duhet të përgatiten për ditë të vështira në vitin 2010. Ekonomia e vendit do të vazhdojë të jetë në vështirësi.
· Sipërmarrjet kanë fituar më pak këtë vit, po ashtu edhe sistemi bankar u ka dhënë më pak kredi.
· Taksat e konsumit u rritën në shtator 2009 dhe në vitin 2010 do të japin efekt të plotë. Në vitin 2010, shumë subjekte të biznesit të vogël do të kalojnë në pagimin e tatimit mbi vlerën e shtuar dhe siç ndodhi në janar 2008 me arsimin jopublik gjithçka iu shtua çmimit të shitjes. Nëse vlerësojmë së bashku efektet e taksës doganore, akcizës dhe tatimit mbi vlerën e shtuar rezulton se në Shqipëri kemi një taksë indirekte mbi konsumin rreth 28 %. Ajo që bie në sy është fakti se përsëri qeveria miraton projektbuxhetin pa pasur miratuar ligjërisht ndryshimet e parashikuara në ligjin e TVSH, thënë ndryshe përsëri buxheti vjen i pashoqëruar me paketën fiskale.
· Edhe në vitin 2010 do të vazhdojmë të importojmë mallra ushqimorë e joushqimorë jetikë. Kursi i këmbimit Euro – Lek po ndryshon duke zhvlerësuar lekun. Parashikimi për vitin 2009 1 Euro = 131 Lek u arrit që në gusht 2009 dhe me sa duket në janar 2010 do të kemi 1 Euro = 138 Lek. Kjo do të shtrenjtojë me 4 – 5 % mallrat kryesorë jetikë.
· Të gjithë operatorët e përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike kërkojnë rritje të çmimit të pjesës së mallit apo shërbimit që realizojnë. Kërkesat e tyre dëshmojnë për rritje mbi 40 % të çmimit me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Rritja e çmimit për konsumatorët jofamiljarë do të rrisë kostot e prodhimit e të shërbimeve të cilat përsëri do të duhet t’i përballojnë buxhetet familjare.

Të gjitha sa shpjegojmë më sipër, dëshmojnë se edhe në vitin 2010, të punësuarit shqiptarë do të vazhdojnë të paguajnë shumë taksa edhe pse kryeministri i qeverisë së vendit të tyre rreket t’i mbushë mendjen të gjithë botës se Shqipëria është vendi i taksave më të ulëta. Sipas legjislacionit në fuqi, por edhe sipas asaj çfarë pritet të miratohet s’afërmi, çdo punëdhënës duhet të paguajë kontribute të detyrueshme të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Më tej ai shërben si agjent fiskal i qeverisë dhe mban në burim, pra aty ku krijohen të ardhurat nga paga, kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore që duhet të paguajë punëmarrësi si dhe tatimin mbi të ardhurat personale. Kjo është arsyeja pse i punësuari merr si pagë neto rreth 2/3 e asaj çfarë punëdhënësi shpenzon për punën e tij. Më tej në çmimin e pakicës së çdo malli apo shërbimi që blen për të jetuar ka edhe taksa konsumi. Prandaj edhe në vitin 2010, për çdo 100 lekë të paguara si kosto e fuqisë punëtore, çdo i punësuari nuk ka më shumë se 53 lekë për mallrat e shërbimet e jetesës së përditshme. Pra, Shqipëria mund të jetë vendi i taksave më të ulëta, por kjo mund të vlejë për kryeministrin, familjen e tij apo oborrin e tij.
Për çdo 100 lekë të shpenzuara për fuqinë punëtore kemi :

Fuqi punëtore 100 lekë
Pagë nominale 86 lekë
Pagë neto 68 lekë
Taksë pune 23.6 lekë
Taksë kapitali 8.6 lekë
Taksë konsumi 14.8 lekë
Të ardhura neto 53.2 lekë

Pra, në vendin me taksa më të ulëta në botë, punëtori mund të përdorë për të blerë mallra dhe shërbime pak më shumë se gjysmën e parave që punëdhënësit i kushton fuqia punëtore.

Që një buxhet shteti të jetë me të vërtetë efektiv, duhet që të jetë në gjendje të bëjë të mundur që për të njëjtën njësi kohe fuqia punëtore të mund të paguhet më shumë se 100 lekët e supozimit të mësipërm dhe që me 53 lekët që i mbeten një të punësuari për familjen e tij, të mund të blejë më shumë mallra e shërbime, të paktën, me të njëjtën cilësi.
***
Çfarë mund të bëjë një buxhet shteti që një i punësuar të paguhet më shumë për të njëjtën njësi kohe pune. Përveçse çfarë mund të bëjë për të përmirësuar klimën e sipërmarrjes, lehtësimin e daljes në treg, buxheti i shteti është (të paktën duhet të jetë) aktori kryesor që i punësuari të jetë më i kualifikuar dhe më i shëndetshëm. Buxheti i shtetit i vitit 2010 nuk i bën këto. Buxheti i shtetit i vitit 2010:
· nuk është i aftë të bëjë asgjë që punëtori shqiptar të jetë më i arsimuar,
· nuk është i aftë të bëjë asgjë që punëtori shqiptar të rikualifikohet në zanate të reja që kërkon sot përherë e më tepër tregu i punës,
· nuk është i aftë të bëjë asgjë që punëtori shqiptar të diagnostikohet, mjekohet e rehabilitohet më shpejt se sa në vitin 2008 apo në vitin 2009,
· nuk është i aftë të parandalojë sëmundjen më shpejt se sa në vitin 2008 apo në vitin 2009

Çfarë mund të bëjë një buxhet shteti që një i punësuar të blejë më shumë mallra e shërbime me të njëjtat lekë pa cënuar cilësinë. Edhe këtu mund dhe të paktën duhet të bëjë më shumë. Por buxheti i shtetit nuk e bën këtë. Shqipëria vazhdon të shpenzojë shumë për të importuar ushqime dhe buxheti i shtetit të vitit 2010 nuk jep asnjë shpresë për bujqësinë shqiptare. Kjo, sepse siç shkruhet në relacionin e projektbuxhetit 2010, në vitin 2010 fondet për Ministrinë e Bujqësisë rriten vetëm 6.7 % kundrejt vitit 2009. Meqë shpeshherë përqindjet ngatërrojnë njerëzit dhe nuk i sjellin asgjë bujqve dhe fermerëve, le të shpjegojmë qartë se në buxhetin e vitit 2010, për secilin nga 568 mijë personat që sipas INSTAT-it, deri në fund të qershorit 2009 punojnë në bujqësi, për çdo muaj janë në dispozicion vetëm 60 cent më shumë se në vitin 2009. Lexuesit le të gjykojnë vetë se si mund të zhvillohet bujqësia shqiptare me kaq pak fonde në dispozicion, se si mund të arrihet premtimi i Sali Berishës për dyfishim të prodhimit bujqësor deri në vitin 2015. E vërteta është se edhe në vitin 2010 do të blejmë shtrenjtë prodhime bujqësore të importuara duke përkeqësuar edhe bilancin tregtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›