E Diel, 1 Nëntor 2026

Bogdani në periudhë tersi, tani operacion në fytyrë

Një përplasje me lojtarin e Udinezes Zapata në fund të ndeshjes ndaj Udinezes do ta detyrojë sulmuesin e kombëtares shqiptare Erjon Bogdani t'i nënshtrohet një operacioni plastik në mollëzat e faqes së majtë. Një periudhë tersi për futbollistin kuqezi, i cili sapo ishte rikthyer nga dy dëmtime të njëpasnjëshme të pësuar brenda një jave. "Bogu" doli i dëmtuar nga ndeshje me Milanin zhvilluar në "Bentegodi", ndërsa në mesjavë, në një miqësore me një formacion amator, dëmtoi sërish gjurin. Ajo ndaj Udinezes ditën e dielë ishte fundi i një kalvari të gjatë problemesh dhe që duket se e kanë mërzitur jo pak bomberin kuqezi. Bogdani ka konfirmuar dje operacionin, duke thënë se këto dëmtime të shpeshta e kanë mërzitur jo pak. "U dëmtova në minutën e fundit shtesë, pas një përplasje me Zapatën e Udinezes, - tha ai. - U mërzita shumë, pasi këto kohët e fundit po pësoj dëmtime të njëpasnjëshme. Një javë më parë gjuri, tani edhe kjo", u shpreh Bogdani tepër i mërzitur. Operacioni do të bëhet sot nga profesori Pierfrançesko Noçini në kirurgjinë e fytyrës e Borgo Romës. Ai ka dëmtuar keq pjesën e mollëzave poshtë syrit të majtë, për të cilën është e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale, që do të bëhet në një nga klinikat më të specializuara të Italisë.
Kombëtarja
Përveçse do të humbasë ndeshjen e kësaj jave në kampionat, Erjon Bogdani do të mungojë edhe për ekipin kombëtar në miqësoren e 14 nëntorit ndaj Estonisë. Pas operacionit, atij i duhet të qëndrojë larg fushave të lojës për të paktën 10 ditë ose 2 javë, ç'ka do të thotë se ai nuk mund t'i përgjigjet thirrjes së trajnerit Josip Kuzhe për miqësoren e radhës. Kroati dëshironte t'i kishte të gjithë futbollistët në dispozicion për të testuar forcën e vërtetë të skuadrës, megjithatë një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Bogdani ka konfirmuar dje se nuk mund të jetë në ekipin kombëtar për këtë ndeshje, ç'ka do të thotë një problem më shumë për ekipin përfaqësues. "Koha e rekuperimit mund të zgjasë edhe dy javë, kështu që është e kuptueshme se nuk mund të jem në gjendje për në Talin", tha ai. Erjon Bogdani ka qenë një nga futbollistët më në formë jo vetëm në kombëtaren shqiptare, por edhe te Kievo në ndeshjet e fundit. Jo rastësisht, futja e tij në sfidën e të dielës ndaj Udinezes solli barazimin e rezultatit. Trajneri i Kievos Domeniko Di Karlo e konsideron atë një titullar fiks në formacionin verdheblu.

(d.b/BalkanWeb) 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›