E Diel, 1 Nëntor 2026

55 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhanë dje provimin e Gjuhës

Të gjithë nxënësit e shkollave nëntëvjeçare në të gjithë vendin kanë startuar ditën e djeshme më provimin e parë e cila ishte gjuha. reth 55 mijë nxënës të cilët do lënë bankat në të cilat studiuan për rreth 8 vjet me radhë janë testuar ditën e djeshme me

anë të pyetjeve me zhvillim e atyre me alternative, për të gjitha njohuritë e marra në shkollat nëntëvjeçare. Provimet e lirimit që prej dy vjetësh, në të gjitha shkollat e sistemit 9-vjeçar zbatohen nëpërmjet një procedure të veçantë monitorimi, e cila është e ngjashme me atë të maturës shtetërore. Rreth 55 mijë nxënës në mbarë vendin, mëngjesin e së hënës nën mbikëqyrjen e rreptë të administratorëve, janë futur në klasa që nga ora 10 e paradites e deri në orën 12 të mesditës i janë nënshtruar tezes së parë, që ka qenë ajo e letërsisë. Ashtu si ndodh edhe në maturë, edhe për nxënësit e klasave të 9-ta do të ngrihen grupe vlerësimi, për korrigjimin e tezave të tyre. Kështu nxënësit e klasave të 9-t i janë nënshtruar ditën djeshme provimit të parë të gjuhës. Ndërsa pas një jave ata do ti nënshtrohen provimit tjetër atij të matematikës,duke i dhënë fund kështu 9 viteve, e për të nisur pjesën tjetër të sistemit parauniversitar, atë të shkollës së mesme. Sipas rregullores së provimeve nxënësi që nuk arrin të shpallet kalues në dy provimet që do të jepen gjatë muajit qershor, ka të drejtë ti rijapë në sezonin e vjeshtës, para nisjes së vitit mësimor. Për rastet kur shpallet fitues, ai do të lejohet të regjistrohet në shkollën e mesme në profilin përkatës, ndërsa kur mbetet sërish ngelës do ti duhet të presë edhe një vit tjetër për të dhënë dy provimet e lirimit. Sipas rregullores së hartuar, është miratuar që teza për provimet e lirimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në vend. Përgatitja e testit do të bëhet nga specialistët e AVA-së. Njëkohësisht rregullorja  përcakton se mësuesit që do të angazhohen në ditën e zhvillimit të dy provimeve (administratorët mbikëqyrës), nuk do të jenë mësues të shkollave ku nxënësi jep provimin. Kështu, shkollat do të shkëmbejnë ndërmjet tyre mësuesit që do të mbikëqyrin provimet. Teza për provimet e lirimit do të jetë pak më e shkurtër si sasi pyetjesh: do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat mendohet që 10 të jenë me alternativa dhe 10 me zhvillim. Periudha e zhvillimit të provimeve të lirimit do të jetë muaji qershor, ku do të alternohen datat e zhvillimit të testimeve me ato të maturës shtetërore. Ndërsa për skemën e vlerësimit në rregullore specifikohet se kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë, sipas skemës standarde që do të përdorë secili vlerësues. Drejtoritë arsimore të çdo rrethi ngrenë grupe, që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. Shpallja e rezultateve bëhet jo më shumë se 15 ditë pas çdo provimi të zhvilluar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›