E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursat evropiane bien ndjeshëm

Aksionet evropiane ranë ndjeshëm të hënën, për të dytin sesion rresht, prej shqetësimeve mbi problemet e borxheve të eurozonës, pasi Hungaria deklaroi të premten se problemet e saj ishin të ngjashme me ato të Greqisë. Bankat ishin humbësit

më të mëdhenj të kësaj situate. Indeksi panevropian FTSEurofirst 300 i aksioneve kryesore ra 1,2 për qind, në kuotën 986,17 pikë. Stoqet bankare i shtuan humbjet e sesionit të kaluar. Indeksi bankar Stoxx Europe 600 ra 1,3 për qind. Banco Santander, Lloyds Banking Group dhe Barclays ranë nga 1,5 në 2,6 për qind. Paqëndrueshmëria e javës së kaluar është përcjellë edhe në këtë javë, thotë Justin Urquhart Steëart, drejtor në kompaninë Seven Investment Management. Hungaria dhe situata e borxhit të saj po e shton tensionin në tregje, pas të dhënave që u publikuan të premten mbi punësimin në SHBA, shton ai. Stoqet e mallrave parësore ishin sot nën presion, me çmimet e naftës që ranë poshtë 70 dollarëve për fuçi, ndërsa çmimet e metaleve u rrëzuan prej shqetësimeve mbi rritjen e kërkesës. Kompania minerare Rio Tinto humbi 3,5 për qind, por nga ana tjetër britanikja e naftës British Petroleum fitoi 1,5 për qind, duke vazhduar ringritjen e nisur sesionin e kaluar.

OKB: Azia do rritet me 7 për qind
Kombet e Bashkuara presin që ekonomitë në zhvillim të Azisë të rriten me rreth 7 për qind në këtë vit. Në një deklaratë të Asistentit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, thuhet se në rast se vendet në zhvillim do të përfshihen në recesion të dyfishtë, kjo do ti kushtojë 1% rritjes ekonomike të vendeve në zhvillim të Azisë. Shqetësimet për recesion të dyfishtë në vendet e industrializuara janë rritur shumë, për shkak të problemeve me borxhet sovrane të eurozonës si dhe për shkak të të dhënave zhgënjyese të sektorit të punësimit, për muajin maj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dhënat e publikuara në ditën e hënë, i referohen parashikimeve të Bankës Aziatike për Zhvillim, e cila parashikon që rajoni i 45 vendeve në zhvillim të Azisë të rritet me 7.5% në këtë vit dhe me 7.3% në vitin 2011. Këto janë vlera të mira krahasuar me rritjen 5.2% që rajoni shënoi në vitin 2009. Në raport thuhet se në rast të recesionit të dyfishtë, ekonomitë e Kinës, Indisë dhe Indonezisë do të jenë në situatë shumë më të mirë në krahasim me vendet e varura nga eksportet si Tajvani, Malajzia dhe Singapori.

Britani, prodhimi më i lartë në 15 vite
Rezultatet e një sondazhi treguan se prodhimi dhe porositë në sektorin e manifakturës britanike, u rritën me masën më të madhe 15 vjeçare në tremujorin e dytë të vitit. Federata e Punëdhënësve të Inxhinierëve, në studimin e publikuar të hënën tha se 30% e kompanive raportuan rritje të prodhimit në tremujorin e dytë të vitit. Vetëm 8% e firmave raportuan rritje të prodhimit në tremujorin e parë, ndërkohë që shifra është më e larta që nga viti1995. Porositë për konsum të brendshëm u rritën në 24% nga 4% në tremujorin e kaluar, ndërsa porositë për eksporte u rritën në 23% nga 3% një tremujor më parë. Të dhënat japin më tepër shpresë se ekonomia britanike tashmë është në rrugë të sigurtë të rritjes dhe është larg recesionit më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas studimit, dobësia e stërlinës nuk ka dhënë ndikimin e pritur në rritjen ekonomike pavarësisht se monedha britanike është zhvlerësuar me 20% që nga fillimi i krizës në 2007. Kompanitë janë të shqetësuara për rënie të konsumit të produkteve të tyre si pasojë e masave shtrënguese në Britani dhe Eurozonë.

Last Updated on E Hene, 07 Qershor 2010 19:04

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›