E Shtunë, 31 Tetor 2026

“55”, tribunë e mendimit konservator intelektual

08-12-2012 / Gazeta 55

Nga Ramiro Moliner Inglès, Nunc Apostolik i Vatikanit në Shqipëri


Para së gjithash dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të sinqertë Zotit Fahri Balliu për ftesën për të marrë pjesë në këtë veprimtari solemne me rastin e 15 vjetorit të “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55”. Ndihem dyfish i nderuar, sepse jam i ftuar edhe si Përfaqësues i Selisë së Shenjtë në Shqipëri për t’i drejtuar në këtë rast të veçantë një mesazh kësaj audience të zgjedhur. Dhe fjala ime e parë është sigurisht “përgëzime!”. Përgëzime juve, Zoti Fahri Balliu dhe të gjithë atyre që në fund të shekullit të kaluar, më pak se një dekadë mbas rënies së komunizmit në këtë Vend, kur Shqipëria ende “e re” demokratike u përfshi në një situatë gati kaotike, patët vizionin, kurajon dhe bujarinë t’i futeni një aventure me rreziqe dhe kërkuese, por njëkohësisht premtuese. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, ne jemi mbledhur këtu, sonte, për të kremtuar suksesin e këtyre dy institucioneve të rëndësishme: “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55”, të cilat nën drejtimin e Zotit Balliu dhe me ndihmën e stafit të tij kompetent dhe profesional, janë bërë përkatësisht njëra prej gazetave të përditshme më të mëdha në Shqipëri, si tribunë e mendimit konservator intelektual, dhe njëra prej shtëpive më të mëdha botuese në këtë Vend, me mbi 100 tituj të rinj të botuara në vit. Në këto 15 vjet Shtëpia Botuese “55” ka nxjerrë një listë të gjatë librash në fusha të ndryshme si filozofi, sociologji, gazetari, fe, etj. Ndër to, jam i detyruar të përmend me mirënjohje të veçantë botimin në shqip të librit të mrekullueshëm “Jezusi i Nazaretit” i Joseph Ratzinger – Benedikti XVI; pjesa e parë u paraqit solemnisht më 23 prill 2010, ndërsa Pjesa II ka dalë pikërisht në këto ditë. Pikërisht në kontekstin e këtij kremtimi të veçantë, dëshiroj të përfitoj nga rasti të përmend dhe të nënvizoj disa mendime të Papa Benediktit XVI, të cilat mund të hedhin dritë mbi rolin e rëndësishëm dhe përgjegjësinë e madhe të mediave në jetën e individëve dhe të shoqërisë në botën tonë sot dhe gjithashtu në Shqipëri. Këto fjalë nuk janë të miat. Në fakt, shumë prej tyre janë frymëzuar ose janë marrë prej vetë Papa Benediktit XVI (Mesazhi për Ditën Botërore të Komunikimit, 2008). Sot, thotë Papa, nuk ka fushë të përvojës njerëzore, veçanërisht nëse marrim parasysh fenomenin e gjerë të globalizimit, në të cilën mediat të mos jenë bërë “pjesë përbërëse e marrëdhënieve ndërpersonale dhe të proceseve shoqërore, ekonomike, politike e fetare”. Falë një evolucioni teknologjik të vrullshëm, mediat e komunikimit shoqëror kanë fituar fuqi të jashtëzakonshme edukuese, dhe për këtë arsye atyo kanë edhe përgjegjësi të veçantë për nxitjen e respektit për të drejtat e njeriut, për të gjitha të drejtat e njeriut. Askush nuk mund të mohojë “kontributin që mediat mund të japin në përhapjen e lajmeve, në njohjen e fakteve dhe përhapjen e informacionit: ato kanë luajtur rol vendimtar, për shembull, në alfabetizimin dhe shoqërizimin, si dhe zhvillimin e demokracisë dhe dialogut ndërmjet popujve. Pa kontributin e tyre do të ishte vërtet e vështirë nxitja dhe përmirësimi i mirëkuptimit mes kombeve, fryma universale në bisedimet për paqen, garantimi i së mirës parësore të informimit, duke siguruar njëkohësisht qarkullimin e lirë të ideve, sidomos, përsa i takon idealeve të solidaritetit dhe të drejtësisë shoqërore. Përnjimend, mediat në tërësinë e tyre nuk janë vetëm mjete për përhapjen e ideve: por ato mund dhe duhet të jenë edhe mjete në shërbim të një bote më të drejtë dhe më solidare”. “Njerëzimi sot ndodhet në udhëkryq”. Në lidhje me “dykuptimësinë e përparimit, që ofron mundësi të panjohura për të mirën, por hap në të njëjtën kohë mundësi humnerore për të keqen, që më parë nuk ekzistonin, dhe, sepse ne kemi të bëjmë me realitete që kanë efekt të thellë mbi të gjitha përmasat e jetës njerëzore (morale, intelektuale, fetare, relacionale, afektive, kulturore), ku luhet me të mirën e njeriut, duhet theksuar se “jo gjithçka që është teknikisht e mundshme është edhe etikisht e lejueshme. Prandaj, impakti i mjeteve të komunikimit në jetën e njeriut modern shtron çështje të pashmangshme, që kërkojnë zgjedhje dhe përgjigje, që nuk mund të shtyhen për më vonë.” “Roli që mjetet e komunikimit shoqëror kanë marrë në shoqëri duhet konsideruar tashmë si pjesë përbërëse e çështjes “antropologjike”, çështje që shfaqet si sfidë vendimtare e mijëvjeçarit të tretë. Sikurse kemi parë të ndodhë në fronte si jeta njerëzore,  martesa dhe familja, dhe në fushën e çështjeve të mëdha bashkëkohore, që lidhen me paqen, drejtësinë dhe ruajtjen e krijimit, edhe në sektorin e komunikimit shoqëror janë në lojë përmasat përbërëse të njeriut dhe të së vërtetës së tij. Kur komunikimi humbet frerët etikë të tij dhe del prej kontrollit të shoqërisë, arrin të mos mbajë më në konsideratë qendërsinë dhe dinjitetin e padhunueshëm të njeriut. Si rezultat, ai rrezikon të ndikojë në mënyrë negative mbi ndërgjegjet dhe mbi zgjedhjet e njerëzve dhe, përfundimisht, të kushtëzojë lirinë dhe vetë jetën e tyre. Ja përse është e domosdoshme që komunikimet shoqërore ta mbrojnë me xhelozi njeriun dhe ta respektojnë plotësisht dinjitetin e tij. Shumë njerëz mendojnë se sot është e nevojshme që, në këtë fushë, të ketë një “info-etikë” njëlloj sikurse ekziston bio-etika në fushën e mjekësisë dhe të kërkimit shkencor të lidhur me jetën.” “Duhet shmangur që mediat të bëhen zëdhënës të materializmit ekonomik dhe të relativizmit etik, plagë të vërteta të kohës sonë. Përkundrazi, ato mund dhe duhet të kontribuojnë për ta bërë të njohur të vërtetën mbi njerëzimin dhe për ta mbrojtur përballë atyre që përpiqen ta mohojnë ose ta shkatërrojnë atë. Madje mund të thuhet se kërkimi dhe paraqitja e së vërtetës mbi njerëzimin përbën thirrjen më të lartë të komunikimit shoqëror. Përdorimi për këtë qëllim i teknikave më të përpunuara dhe më përfshirëse që mediat kanë në dispozicion është një detyrë nxitëse që i është besuar në radhë të parë përgjegjësve dhe punonjësve të sektorit. Është një detyrë që, sidoqoftë, në një farë mënyre, na përket të gjithëve, sepse në epokën e globalizimit të gjithë jemi konsumatorë dhe punonjës të komunikimit shoqëror. Mediat e reja - telefonia dhe interneti në veçanti - po e ndryshojnë vetë fytyrën e komunikimit; ndoshta ky është një rast i çmuar për ta rivizatuar atë, për t’i bërë më të dukshme, sikurse ka thënë Papa Gjon Pali II, tiparet themelore dhe të domosdoshme të së vërtetës mbi njeriun (Krh Letra Apostolike Zhvillimi i shpejtë, 10).” “Njeriu ka etje për të vërtetën, ai është në kërkim të së vërtetës; këtë fakt e tregon edhe vëmendja dhe suksesi i arritur prej shumë botimeve, programeve të fiction cilësore, në të cilat e vërteta, bukuria dhe madhështia e njeriut, përfshirë përmasa e tij fetare, janë të njohura dhe të paraqitura mirë. Jezusi ka thënë: “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë” (Gjn 8:32) (krh Media: Në udhëkryq ndërmjet Vetë-Promovimit dhe Shërbimit. Duke kërkuar të Vërtetën për ta ndarë bashkë me të tjerët”). Duke u kthyer tek përvjetori i rëndësishëm që po kremtojmë jam mjaft i vetëdijshëm për parimet udhëheqëse dhe filozofinë që kanë nxitur themelimin e këtyre dy institucioneve, dhe kanë vazhduar ta frymëzojnë jetën e tyre të përditshme: kthimi tek morali dhe etika e mirë në shkrimet përgjatë shtigjeve të së vërtetës; mbrojtja e institucioneve, pluralizmit dhe demokracisë, lirisë së mendimit, të shprehjes dhe të fesë (liria e ushtrimit të fesë); mbrojtja e vlerave perëndimore të qytetërimit shqiptar si dhe të integrimit të Shqipërisë në BE, ndër të tjera; dhe, në të njëjtën kohë, dënimi i fortë i çdo diktature (në veçanti i komunizmit), si dhe terrorizmit ndërkombëtar, dhe çdo forme skllavërie moderne. (Të nxitur prej të njëjtave parime dhe vlera filozofike dhe antropologjike, mbas një kohe të shkurtër, zoti Fahri Balliu themeloi “Klubin Intelektual 55”, dhe Institutin e Kërkimeve Politike “Alcide de Gaspari”, të cilat kanë ushtruar përmes takimeve të intelektualëve dhe debateve politike një impakt të rëndësishëm në jetën publike të këtij Vendi). Është dëshira ime e sinqertë që të njëjtat parime dhe vlera fisnike, që nxitën lindjen dhe jetën e institucioneve të tilla, si raison d’etre e tyre, do të vazhdojnë në të ardhmen me kurajo, entuziazëm dhe përkushtim edhe më të fuqishëm; dhe unë dëshiroj dhe lutem që komunikuesit të jenë gjithnjë të udhëhequr prej pasionit për të kërkuar me ndershmëri të vërtetën “për ta ndarë atë bashkë me të tjerët”, dhe sikurse ka thënë Papa Gjon Pali II, të jenë të aftë “për të shprehur nevojat kulturore moderne, duke u angazhuar për ta konsideruar këtë epokë të komunikimit jo si një kohë tëhuajtjeje dhe turbullimi, por si një kohë e vlefshme për kërkimin e së vërtetës dhe për zhvillimin e bashkimit mes njerëzve dhe popujve” (Fjalim në Konferencën për punonjësit e Komunikimit dhe të Kulturës, 9 nëntor 2002). Fjala e Nuncit Apostolik, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Inglès, në kremtimin e 15 vjetorit të “Gazetës 55” dhe “Shtëpisë Botuese 55”

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›