Berisha: Ditë e zezë për opozitën, buxheti rrit mirëqenien e qytetarëve
Miratohet buxheti i vitit 2013, opozita voton sërish kundër listës së investimeve
Mazhoranca garanton se buxheti, i cili në total arrin në shifrën e 409 miliard lekëve shpenzime, parashikon një stabilitet makroekonomik dhe rritje ekonomike
Buxheti i vitit të ardhshëm synon rritjen e pagave dhe pensioneve, një politikë konstante kjo për qeverinë, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e të ardhurave. Ndërsa si përparësi absolute, edhe për vitin e ardhshëm do jetë infrastruktura rrugore
Pas një seance të gjatë debati, që përfshiu deputetë të të gjitha grupeve parlamentare, Kuvendi miratoi në parim të premten, vetëm me votat e mazhorancës në parim projektligjin “Për buxhetin e vitit 2013”. Opozita voton sërish kundër listës së investimeve.
Në seancën e djeshme plenare, mazhoranca dhe opozita diskutuan në parim projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, duke shpalosur pikëpamjet në lidhje me zëra të buxhetit që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike, politikat fiskale, energjinë, punësimin, turizmin, arsimin, shëndetësinë, bujqësinë, etj.
Projektbuxheti u paraqit në seancë plenare nga Kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri Berisha vuri në dukje se ky projektbuxhet, i cili përkon me 100-vjetorin e Pavarësisë, është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë.
Me argumente dhe shifra konkrete, kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ardhura nga opozita, sipas të cilëve ky është një buxhet krize, ku vetë qeveria shfaq pasiguri të mëdha në shifrat që jep.
Në gjykimin e kreut të mazhorancës, e gjithë kundërvënia e opozitës ka në thelb pikërisht keqardhje për dështimin e propagandës, për të zbehur arritjet që ka shënuar vendi, e sidomos investimet e pritshme në vend, duke e shndërruar Shqipërinë një vend të zhvilluar. Madje në këtë kontekst, nga foltorja e Kuvendit, Berisha e konsideroi këtë diskutim si ditën më të zezë për socialistët. Kjo pasi sipas tij, ky është buxheti më i madhe në historinë e Shqipërisë, i cili ka si synim pikërisht rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
“Sot këtë seancë të Parlamentit, në të cilin diskutohet buxheti i 100 vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar, ditëlindjes së Shqipërisë, në të cilin diskutohet buxheti për vitin 2013, buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, buxhet që arrin vlerën prej rreth 410 miliardë lekë, buxhet i cili ka si synim më madhor rritjen e mirëqenies suaj, të dashur qytetarë e qytetare shqiptar. Buxheti synon rritjen e kësaj mirëqenieje, duke sjellë të ardhura direkt në xhepat, portofolat dhe kontot tuaja, për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në mënyrë thelbësore në shkollimin e fëmijëve tuaj, në shërbime shëndetësore, në rrugë, rrugica, kanalizime, ujësjellës, të familjeve shqiptare, buxhet i cili ka si objektiv madhor investime vendimtare për Shqipërinë, si vend i zhvilluar brenda vitit 2017. Ky buxhet është hartuar në kushtet e një krize të pa precedent në historinë e kontinentit tonë, që nga viti 1930. Buxheti hartohet kur një krizë e thellë, e shumanshme, ka prekur monedhën e zonës më të zhvilluar të Evropës, ka prekur financat e vendeve më të zhvilluara, ka prekur prodhimin e vendeve më të zhvilluara të botës, ka vendosur në vështirësi të jashtëzakonshme shumë nga këto vende, në të cilat është 2-3 fishuar papunësia, në të cilat janë ulur rrogat e pensionet deri në 40-50 për qind, në të cilat ka rënie dramatike të rritjes ekonomike. Kriza, jo vetë ka bllokuar rritjen, por ka shkaktuar ulje të ndjeshme të saj. Jo një, por disa vende, ende ndodhen në tunel, ku akoma nuk shohin rrezet e dritës. Kjo është një krizë shumë planëshe, është krizë e euros, e asaj monedhe e cila u konsiderua një nga mrekullitë e shekullit e të kohërave, është krizë e borxheve të marra jo për investime”, u shpreh kryeministri Berisha.
Por duke qëndruar pikërisht në kundërvënien e opozitës ndaj këtij buxheti, shefi i qeverisë iu referua fjalimit më të fundit të kreut Rama, ku parashtroi programin e PS-së.
Berisha ironizoi komentet e kryesocialistit, i cili u shpreh dy ditë më parë nga Lezha, se qytetarët duhet ta votojnë, sepse është 2 m i gjatë...
“Natyrisht, unë e pres sot reagimin e opozitë, sepse më së fundi, kryetari juaj bëri zbulimin gjenial dhe gjeti metrin e të vërtetës. Por me metrin e tij, nga Damiani te Proletari, që të gjithë mbeteni në klasë, sepse ai tha se i vërtetë është vetëm ai që, së bashku me këpucët, është 2 metra i gjatë. Pasi mashtroi, tani thotë që më besoni mua, sepse unë jam i gjatë. Unë nuk kisha dëgjuar kurrë një gjë të tillë. Prandaj, përveç Fidelit të partisë, ju të tjerët, absolutisht ‘puthuni me Milon’ për sa u përket listave zgjedhore që vijnë. Pra, unë e pres këtë reagim sot nga ju, sepse kryetari tha se të vërteta janë vetëm ato të cilat dalin nga 2 metra gjatësi, së bashku me këpucët”, ironizoi shefi i qeverisë. Diskutimin në Kuvend të buxhetit të shtetit për vitin e ardhshëm, Berisha e cilësoi si moment sikleti për opozitën e Edi Ramës.
Sipas kryeministrit, pretendimet e opozitës janë ziliqare, pasi realiteti flet ndryshe.
“Unë e kuptoj që sot është dita e sikletit më të madh të vitit për ju, unë e kuptoj që sot është dita e shpërthimit madhor të zilisë në këtë sallë, unë e kuptoj se ju do të donit një buxhet të kundërt me këtë që paraqitet, unë e kuptoj se ju, për të thënë të vërtetat 2 metra të gjata, bashkë me këpucët, duhej që ne të thoshim se do ulim rrogat 40 për qind, duhej që ne të thoshim se të ardhurat ulen me 30 për qind, se papunësia do rritet me 25 për qind. Vetëm atëherë ju do të më duartrokisnit mua. Por unë nuk mund t’i them këto, sepse realiteti është krejtësisht tjetër. Ky është buxheti më i madh i këtij shekulli, ky është buxheti më i fuqishëm, ky është buxheti i cili, në kurbën e rritjes në vazhdimësi, nga viti në vit, shënon rritjen më të madhe prej vitit 2012, në vitin 2013, rritje e paprecedentë. Kjo është rritje prej 28 miliardë lekë. Duke e krahasuar me vitin 2004, vit në të cilin ju (opozita e sotme) keni fituar të ardhura të mëdha nga privatizimi i Bankës etj., duke siguruar të ardhura totale gjithsej 184 miliardë lekë, ky buxhet që ne ju paraqesim këtu, është buxheti i cili realizon të ardhura totale, pasi ka përgjysmuar e stër-përgjysmuar taksat, 360.6 miliardë lekë. Sigurisht ky është dyfishimi i ekonomisë, me gjysmën e nivelit të taksave që vendosnit ju. Kjo do të thotë se po kaq e më shumë, i mbeten biznesit shqiptar për t’u zhvilluar. Këtu qëndron e vërteta e madhe se përse ekonomia shqiptare gjeneron gjithnjë vende pune, se përse ju nuk gjeni dot atë që kërkoni çdo ditë, rritjen e papunësisë, por konstatoni uljen e saj, ulje të cilën e certifikoi edhe Komisioni Evropian, me të vërtetën e madhe që shpalli se, Shqipëria është vendi i vetëm në të cilin papunësia ka pësuar rënie progresive. Ju duhet të dini se, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në një hark kohor tre-vjeçar, prodhimi i brendshëm për banorë, i indeksuar për paritetin e fuqisë blerëse, në Shqipëri është rritur me 13.4 për qind, ndërkohë që në vende të tjera të Evropës Qendrore, është rritur me 7.4 për qind”, tha kryeministri.
Por duke përforcuar këtë qëndrim, ai u rikujtoi ligjvënësve socialistëve se tashmë gradualisht ata po zëvendësohen në parti për përfaqësuesit e ish G99-ës.
“Gjatë kohës që Bashkia e Tiranës drejtohej nga Rama ne i trefishuam fondet, për rrugë dhe shkolla, po çfarë ndodhi me fondet, nuk mbeti asnjë qindarkë pasi të gjitha u bënë rroga partie, iu dhanë 99-ve që ndërtuan vila trekatëshe. Madje më së shumti shkuan për to”, u shpreh Berisha.
Pasi parashtroi zërat që përfaqëson ky buxhet i cili në thelb ka përmirësimin e të gjitha sektorëve të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, u bëri thirrje deputetëve socialistë që “të dilni mbi dy metër gjatësi me këpucë dhe ta votoni atë. Ky buxhet, për vitin në të cilin miratohet, për objektivat madhore që synon, për përmasat e tij, është buxheti më historik që është votuar në këtë parlament. Unë ju ftoj të ngriheni e të dilni mbi dy metra gjatësi me këpucë, e ta votoni atë”, përfundoi kryeministri Berisha.