Skela, goli i 20-të i tij në Bundesligë çmend Klinsmanin
Gol para 69 mijë shikuesve. Në një “Allianz Arena” krejtësisht të shitur. Ervin Skela shënoi një gol të mrekullueshëm në ndeshjen e humbur të Energi Kotbusit kundër rekordmenëve gjermanë, Bajernit të Munihut, me rezultatin 4-1. Në një ndeshje ku me golat e tyre lanë gjurmën e tyre disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit europian e botëror, si gjermani Miroslav Kloze, francezi Frank Riberi e italianit Luka Toni.
Goli i Ervinit kundër Bajernit ishte tipik i tij. Një gol “alla Ronaldinjo”. Me gjuajte të lirë nga 25 metra. Në këndin e vetëm të zbrazët të portës së mbrojtur nga Rensing. Atje ku topin e çon vetëm “matematika”.
Goli i Skelës – i pari për këtë sezon - u vlerësua me tone entuziaste edhe nga komentatorët e faqeve të ndryshme sportive gjermane në komentet e tyre “live”, duke përfshirë edhe atë Bajernit të Munihut.
Një silurë me precizion të lartë në këndin e djathtë, duke lënë të befasuar tifozët e dy ekipeve e duke bërë të heshtë për katër minuta “Allianz Arena”, por që çoi në delir 3000 tifozët e ardhur nga Kotbusi në minutë e 25-të. “Skela e kaloi topin mbi kokën e Masimo Odos, duke bërë njëkohësisht të pavlefshëm kërcimin si balerin të Lucios e duke i hequr çdo mundësi portierit Mikael Rensing”, - shkruante faqja gjermane Top-News.
Por gëzimi zgjati shumë pak, pasi Frenk Riberi arriti barazonte në minutën e 29-të, edhe ai me një gjuajtje të lirë.
Në fakt, Skela vinte nga një tjetër gol vetëm tri ditë më parë, kur realizoi një rrjetë plot finesë në barazimin 1-1 të Shqipërisë me Azerbajxhanin në Baku, njëherësh edhe goli i 10-të i tij me përfaqësuesen. Por dhe goli kundër Bajernit ka një statistikë shumë të bukur brenda: është i 20-ti në Bundesligën 1 dhe i realizuar në ndeshjen e tij të 150-të. Fiks, një “dopio-dhuratë” për 32-vjetorin e tij. Për vlonjatin ky ishte edhe goli i tij 52-të në Gjermani – përfshirë edhe 32 golat e realizuar në Bundesligën 2, në 127 ndeshje - duke vazhduar të mbetet golashënuesi më i mirë shqiptar në këtë kampionat. Skela ka lënë gjurmën e tij edhe në Kupën e Gjermanisë: 2 gola, 1 asist për këtë sezon.
Në minutën e 71-të Skela tentoi të shënojë sërish me një gjuajtje nga 26 metra, por kësaj radhe topi i goditur drejt këndit të majtë të portës ishte shumë mbi shtyllën horizontale.
Mesfushori i avancuar i Kombëtares gjermane dhe i Bajernit të Munihut, Bastian Shvajnsteiger, u shpreh pas ndeshjes: “Bëmë një ndeshje shumë të mirë. Ne e luajtëm topin shumë shpejt, patëm kombinacione të mira dhe lajm një përshtypje të mirë. Por ishte shumë komike që Kotbusi kaloi në avantazh, pasi ishte orvatja e tyre e parë në portën tonë”.
Trajneri i Energi Kobtusit, Bojan Prasnikar, tha: “Rezultati tregon gjithçka. Bajerni luajti si sovran në fushë. Ne patëm probleme, por arritëm të realizonim një gol të mrekullueshëm”. Gerhard Tremele, portieri i Kobtbusit, qahet: “Jam i nervozuar, pasi pësuam tre gola nga situatat standarde, çka mbetet edhe problemi ynë kryesor. Ne patëm një fillim shumë të mirë dhe ishim të lumtur kur kaluam në avantazh”.
Ervin Skela
Datëlindja: 17.11.1976
Gjatësia: 173 cm
Pesha: 68
Ndeshje në Bundesligën 1: 150
Gola në Bundesligën 1: 20
Ndeshje në Bundesligën 2: 32
Ndeshje me Kombëtaren : 58
Gola me Kombëtaren: 10
Kupa e Gjermanisë:
2 gola, 1 asist për këtë sezon
BUNDESLIGA
Goli kundër Bajernit ka një statistikë shumë të bukur brenda: është i 20-ti në Bundesligën 1 dhe i realizuar në ndeshjen e tij të 150-të
KOMBËTARJA
Skela vinte nga një tjetër gol plot finesë në barazimin 1-1 të Shqipërisë me Azerbajxhanin në Baku, njëherësh edhe goli i 10-të i tij me përfaqësuesen
LALA - Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, vazhdon të jetë i dëmtuar dhe e ndoqi nga tribuna humbjen 4-0 të Hanoverit të tij me Eintrhatin e Frankfurtit. Kosovari Fatjon Toski luajti si zëvendësues në këtë takim për Eintrahtin, duke hyrë në lojë në minutën e 73-të.
KAPLLANI – Sulmuesi i Karlrsuhes, Edmond Kapllani, duket se është totalisht i pafat këtë edicion. Edhe pse luajti për herë të parë për 90 minuta këtë edicion e realizoi një gol në humbjen 0-1 të Karlsruhes me Borusian e Dortmundit në minutën e 88-të, ai u anulua. Te Borusia e Dortumundit në stol ishte Bajram Sadriaj.
23 Nentor 2008