Obama, 13 mijë ushtarë fshehurazi në Uashington
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka dërguar "fshehurazi" në Afganistan 13 mijë ushtarë, përveç 21 mijë trupave që mendohet se do t‘i bashkohen kontingjentit amerikan në mars. Lajmi është bërë publik nga gazeta "Washington Post", që nënvizon faktin se këta trupa shtesë, për të cilat nuk është bërë asnjë komunikatë zyrtare, janë personel mbështetës dhe ka deklaruar se bëhet fjalë për inxhinierë, personel mjekësor, ekspertë të shërbimit të fshehtë dhe policisë ushtarake. Kjo do të thotë se administrata "Obama" ka vendosur të dërgojë në Afganistan gjithsej 34 mijë trupa. "Obama ka autorizuar gjithçka, por në komunikatë flitej vetëm për 21 mijë trupa", ka treguar për "Post" një burim i Pentagonit, i cili ka ndjekur operacionin. Që në të kaluarën, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kishin lajmëruar për dërgimin e të tjerë trupave mbështetëse. Kur George Bush dërgoi 20 mijë ushtarë në Irak për të luftuar nuk u fol për tetë mijë të tjerët që do i shoqëronin. Kjo nisje e fshehtë e trupave vjen në një kohë kur Obama po vlerëson me rëndësinë më të madhe kërkesën e komandantit të forcave të NATO-s në Afganistan, gjeneralit Stanley McChrystal, për 40 mijë ushtarë shtesë. Me angazhimin e tyre shkon në 34 mijë numri i ushtarëve të dërguar nga Obama në Kabul, që nga koha që kur ka marrë detyrën. Sipas një llogaritjeje të "Washington Post", numri i ushtarëve në Irak dhe Afganistan është më i lartë se niveli maksimal i arritur në kohën e pushtimit të Irakut në kohën e Presidentit Bush. Tani në Afganistan janë rreth 65 mijë trupa amerikane, ndërsa në Irak 124 mijë në Irak, shifër më e lartë se në vitet 2007-2008.