E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uashingtoni mbështetet te Moska për Iranin

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Cinton, tha se nuk ka ardhur ende momenti për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit për programin e tij bërthamor dhe vlerësoi maksimalisht kontributin e Rusisë për përballimin e kësaj çështjeje delikate. Gjatë vizitës së saj të parë në Moskë në rolin e sekretares së Shtetit, Clinton ka cituar fjalët e Presidentit Dimitri Medvedev, sipas të cilit sanksionet kundër Iranit mund të bëhen të pashmangshme. "Nuk jemi ende në këtë pikë. Nuk arritëm në këtë përfundim dhe duam të jemi shumë të qartë në thënien se preferojmë që Irani të bashkëpunojë me komunitetin ndërkombëtar, për të respektuar angazhimet e tij mbi inspektimet nga OKB-ja". Klinton ka minimizuar divergjencat me Moskën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e saj rus, Sergei Lavrov, dhe e vuri theksin te bashkëpunimi mes të dyja vendeve, mbi një sërë çështjesh ndërkombëtare si çarmatimi bërthamor dhe mbrojtja raketore. Para bisedimeve, funksionarë të departamentit të shtetit kishin thënë se Clinton do të diskutonte me Moskën për "forma të veçanta presioni mbi Iranin, në rast se ky i fundit nuk do të mbante premtimet për të mos ndërtuar armë bërthamore". Por, sekretarja amerikane ka përgënjeshtruar faktin e kërkesave të tilla. "Nuk kemi kërkuar asgjë. Analizuam situatën dhe pikën ku ndodhemi. Mendoj se ajo çka thamë është e drejtë për këtë proces". Lavrovi konfirmoi pozicionin e Rusisë dhe, sipas tij, të flisje për sanksione ndaj Iranit në këto momente do të ishte e dëmshme. "Do të ishte më mirë që përpjekjet ndërkombëtare të përqendroheshin mbi diplomacinë", përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›