është 27 vjeçe dhe kryen një jetë më se normale
Jeton në Virxhinia, është 27 vjeçe dhe hemisfera e djathtë e trurit i ka kryer të gjitha funksionet që normalisht duhet t‘i kryente e majta. Kjo ngjarje e rrallë e ka detyruar komunitetin shkencor drejt teorive të reja. Michelle Mack ka lindur me gjysmën e trurit, për shkak të një problemi që mund ta ketë prekur para se të vinte në jetë. Por, pavarësisht kësaj, ajo është diplomuar dhe kryen një jetë më se normale. Për më tepër, ka një kujtesë të jashtëzakonshme për datat dhe ngjarjet. Kur lindi e kuptuan se diçka nuk shkoi mirë, por për 27 vjet me radhë askush nuk kishte arritur të zbulonte ndonjë gjë. Mjekët e dinin mirë se cilat shkaqe duheshin përjashtuar, por jo ato që duheshin marrë në konsideratë. Dhjetë vjet më parë, doktor Grafman, mjek i Institutit Kombëtar të Shëndetit arriti në përfundimin se hemisfera e majtë ndoshta nuk ekzistonte. "U habitëm kur pamë një dëmtim cerebral kaq të madh: edhe pse ishte ende një strukturë e lobit, masa dhe kora ishin shumë të dëmtuara dhe nuk kishte asnjë gjurmë të strukturave që drejtojnë lëvizjet, sjelljet, mendimet". Meqë Michelle ishte në gjendje të lëvizte dhe reagonte ndaj ambientit që e rrethonte, Grafman arriti në përfundimin e vetëm: hemisfera e djathtë kryente të gjitha funksionet që duhej t‘i kryente e majta. Vajza gëzon shëndet të plotë, është diplomuar dhe ka një punë të mirë. Ky rast i rrallë i ka shtyrë komunitetet shkencore të rishikojnë edhe njëherë teoritë e tyre mbi trurin dhe rolin që kryejnë hemisferat e tij.