6 gushti Berisha Urojme qe ne PS te dominoje interesi kombetar

Zhvillimet ekonomike, arritjet në sajë të reformave qeverisëse në këtë drejtim, si dhe çështje më e debatuar momentalisht mes forcave kryesore parlamentare, miratimi i ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit ishin dy nga temat e trajtuara gjerësisht sot nga shefi i qeverisë shqiptare.
Kryeministri, Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë parashtroi disa nga arritjet e reformave qeveritare, lidhur me zhvillimin ekonomik. Gjatë vlerësimeve për lirinë ekonomike, kreu i qeverisë bëri me dije se se vendi ynë është ngjitur në vendin e 12 në renditjen për progresin në këtë drejtim. Madje sipas tij, nga vlerësimet e institucioneve Shqipëria merr notën 9.6 për masat e qeverisë. Përkundrejt këtyre arritjeve, Berisha argumentoi se kërkesat dhe pretendimet e ardhura nga kampi i majtë janë të paqëndrueshme, e për më tepër nuk sjellin rezultatin e kërkuar.
“Taska marksiste për këtë shekull do të mbyllet në kasafortën e Partisë Socialiste. Nisur nga suksesi i reformave të kësaj administrate, i garantoj shqiptarët, bizneset, se liria ekonomike do të një njohë dimensione dhe konsolidime të reja. Loja me lirinë ekonomike është loja me kafshatën, me rrënimin e masave të vendeve të punës. Punësimi është dhe do të mbetet qëllimi më madhor i qeverisë, i cili do të garantohet mbi bazën e lirisë ekonomike. Socializmi shkatërron ekonominë, liria ekonomike udhëheq në zhvillimin e saj”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Ndërkohë në vlerësimin e kreut të mazhorancës vendimmarrja në 6 gusht mbi imunitetin do të jetë përcaktuese që shqiptarët të marrin statusin më 12 tetor. “Komisioneri Fyle më ka dërguar një letër ku vlerëson progresin, por kërkon që të realizohen reformat tjera, para së gjithash reforma e imunitetit. Dje në cilësinë e kryetares së rradhës të Këshillit të Ministrave, Ministrja e Jashtme e Qipros shprehu vullnetin e saj për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë rrugë, por bëri të qartë se detyrim përcaktues do të jetë qëndrimi ndaj imuniteti. Nuk ka diskutim sepse mos heqja e imunitetit dëshmon se politikanët e këtij vendi nuk kanë vullnetin për të luftuar korrupsionin dhe nuk po kërkohet asgjë tjetër në këtë mes, por ajo e cila është normë në vendet anëtare të BE-së”, deklaroi Berisha.
Për këtë arsye, shefi i qeverisë i drejtoi një tjetër apel kreut të PS-së për të votuar pro heqjes së imunitetit në 6 gusht.
“Më 6 gusht ne kemi në dorë të rrëzojmë së bashku murin e imunitetit, murin e korrupsionit që i ka zënë derën e integrimit këtij vendi. Nuk mund të besojë askush se në Shqipëri ka vullnet për të luftuar korrupsionin, kur zyrtarët e saj nuk pranojnë heqjen e imunitetit.
Zoti Rama nëse mendon se duke mbajtur murin do të dëmtosh Sali Berishën, bën gabim të madh shumë, sepse pas zgjedhjeve të 8 majit ishe ti që u the shqiptarëve se bllokimi ishte gabim dhe se do të votoje reformat. Nëse për inat të Sali Berishës do të bllokosh statusin e Shqipërisë në 100 vjetor çdo shqiptar ka njëqind motive për të ta dhënë me votë atë që meriton”, nënvizoi Berisha.
Nga ana tjetër, Kryeministri kërkoi nga kundërshtari i tij që të marrë seriozisht rëndësinë e kërkese, e cila para së gjithash është detyrim për integrimin në BE.
“Është kalkulim tmerrësisht i gabuar nëse mendon se duke bllokuar statusin dëmton qeverinë. Sigurisht që dëmtojnë Shqipërinë dhe qytetarët e saj dhe të kujton Konicën kur thoshte: Zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët. Çfarë kërkove u plotësua. Pse zhvlerëson ti të deleguarit e tu dhe i çon sa për t’u tallur me ta, ne e marrim procesin shumë seriozisht. Uroj që në këtë parti të dominojë interesi kombëtar, interesi shoqëror, interesi i vendit”, vuri në dukje Berisha gjatë fjalës së tij.
Po kështu, po gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë u miratuan dhe disa akte normative, ku në rradhë pas njërit tjetrit, Berisha u ndal fillimisht tek akti normativ për lirimin e banesave të pronarëve të ligjshëm.
“Kërkoj zbatimin me rigoroziet dhe përgatitjen e të gjitha agjencive përgjegjëse për zbatimin e këtij akti, sepse është tejkaluar çdo lloj limiti. Të nderuar qytetarë që banoni në banesa të shpronsuara apo të konfiskuara nga regjimi diktatorial, nuk mund të vazhdohet më tutje, duhet më çdo kusht të lirohen shtëpitë. Ky akt përcakton lirimin në afatin e caktuar. Sikundër jepen kredi me zëro interes për ju për t’u strehuar”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu, një tjetër moment ishte dhe tregtimi në mënyrë jo të rregullt i mishit. “Hoqëm makinat nga varrezat, ka plasë mishi rrugëve. Zoti ministër i Bujqësisë dhe zoti ministër i Mjedisit, në mënyrën më të prerë të ndërmerren përgjegjësitë ligjore më të ashpra ndaj punonjësve përgjegjës për këtë. Nëse një kryetar njësie vendore shndërron rrugët e veta në thertore, akti tjetër normativ dhe kjo merr fund. Do dalim nga mesjeta apo do rrimë, autostrada moderne, mishi në tërë anët e saj. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Çfarëdo lloj ndërhyrjeje ligjore do të bëhet dhe kjo të marrë fund. Siguria e jetës është detyra e parë e çdo qeverie. Krimet ndaj mjedisit janë krime të rënda për legjislacionin shqiptar”, deklaroi Kryeministri, sa i takon një çështje tillë.
Por nga ana tjetër një çështje jo pak e rëndësishme për opinionin publik ëstë dhe përdorimi i duhanti, moment për të cilin kreu i qeverisë i kërkoi Insitututit të Shëndetit Publik duhet të dalë nga dështimi me duhanin dhe të bëjë të mundur realizimin e masave kundër këtij fenomeni të dëmshëm për organizmin.