E Diel, 1 Nëntor 2026

6 institucione dhe 4 organizata Marrëveshje kundër trafikimit

Marrëveshja përcakton qartë përgjegjësitë e aktorëve kyç në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, të cilat të harmonizohen në akte legjislative për çdo institucion palë në këtë marrëveshje.

Po ashtu, Marrëveshja forcon bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave jo-qeveritare të cilat janë pjesë përbërëse e rrjetit kombëtar funksionues kundër trafikut.

Duke e marrë fjalën në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve që punojnë në fushën e anti-trafikimit pasi “ky bashkëpunim do ta bëjë efektive luftën ndaj këtij fenomeni, nëpërmjet hartimit të politikave të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse që do të adresojnë më mirë problematikat e këtij target–grupi”.  “Ministria e Punës dhe institucionet e saj, në zbatim të Planit Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, kanë marre masa serioze për të realizuar me sukses objektivat në fushën e mbrojtjes sociale për parandalimin e këtij fenomeni, ofrimit të shërbimeve të përkujdesit shoqëror si dhe integrimin e viktimave në jetën shoqërore”, deklaroi Ministri i Punës.

Ministri Ksera u ndal në përmirësimet ligjore të bëra vitet e fundit, falë të cilave buxheti i shtetit mbështet me fonde jo vetëm qendrën Kombëtare të pritjes dhe Trajtimit të Viktimave të Trafikut, por edhe qendrat e ngritura dhe të menaxhuara nga shoqëria civile. “Gjithashtu viktimat e trafikimit, përveç shërbimeve sociale të ofruara gjatë akomodimit të tyre në qendrat pritëse dhe ri-integruese, tashmë përfitojnë edhe ndihmë ekonomike pas daljes nga qendrat rezidenciale deri në momentin e punësimit të tyre”, deklaroi Ksera.

Ministri theksoi se falë bashkëpunimit të institucionalizuar disa vite më parë mes institucioneve përgjegjëse, kontrollit më të mirë të kufijvë dhe ofrimit të shërbimeve riintegruese për viktimat, sot shifrat flasin për uljen ndjeshëm të këtij fenomeni.

Marrveshja u firmos nga Ministri i Punës z.Spiro Ksera, Zv/Ministri i Brendshëm z.Avenir Peka, Zv/Ministrja e Jashtme znj Edith Harxhi, Zv/Ministrja e Arsimit znj. Nora Malaj, Zv/Ministri i Shëndetësisë Z. Albert GAJO, Prokurorja e Përgjithshme Znj. Ina RAMA, Shefja e IOM Znj. Elisa TSAKIRI, Drejtori Kombëtar në detyrë  i Ëorld Vision Z. Philip EWET, Drejtori Ekzekutiv i ARSIS Z. Zini KORE dhe Presidentja e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafikim Zj. Marjana MESHI. /Start/

                                                                                             2012-06-15 13:31
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›