E Diel, 1 Nëntor 2026

6 maj 2008- Topalli: Anëtarësimi në Procesin e Barcelonës, shumë i rëndësishëm në perspektivën europiane të Shqipërisë.

  Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti sot në takim eurodeputetin Vicente Miguel Ramon, njëkohësisht anëtar i Asamblesë Parlamentare Euro-Mesdhetare.   Biseda u fokusua në procet integruese të Shqipërisë, në perspektivën Europiane të vendit dhe, në këtë kuadër, u diskutua edhe mbi pranimin e Shqipërisë në Partneritetin Euro-Mesdhetar, i njohur ndryshe si Procesi i Barcelonës. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Partneritet, tha zonja Topalli, është një mundësi më shumë për afrimin dhe bashkëpunimin edhe më të fortë të Shqipërisë me vendet Europiane dhe ato të Mesdheut.   Duke vlerësuar pjesëmarrjen e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare Euro-Mesdhetare, Kryetarja e Kuvendit tha se kjo përbën  një dimension më shumë në diplomacinë parlamentare, e cila ka luajtur një rol shumë aktiv në proceset integruese të Shqipërisë   Nga ana e tij eurodeputeti Ramon i vlerësoi si shumë pozitive transformimet që janë bërë në Shqipëri, duke deklaruar se pjesëmarrja e Shqipërisë në Procesin e Barcelonës shkon paralelisht me procesin e anëtarësimit Euro-Atlantik të Shqipërisë si dhe kontribuon në mënyrë aktive në afrimin me strukturat e Bashkimit Europian.


Partneriteti Euro-Mesdhetar është një kuadër i gjerë marrëdhëniesh politike, ekonomike dhe shoqërore ndërmjet BE-së dhe vendeve partnere të Mesdheut.

Në këtë kontekst, Shqipëria ndan të njëjtat objektiva në të cilat mbështetet Procesi i Barcelonës si, çështje të sigurisë, çështjet ekonomike, financiare, sociale e kulturore.

  Po ashtu dialogu politik, stabiliteti, zhvillimi i qëndrueshëm, ulja e varfërisë, energjia, shoqëria civile, apo çështje të tjera të ngjashme, janë pjesë e axhendës politike të këtij procesi, ashtu sikurse janë pjesë e axhendës politike edhe të Shqipërisë.   Ndaj, edhe nën këtë këndvështrim, përfshirja e vendit tonë  në këtë nismë është shumë e rëndësishme, jo vetëm në rritjen e dialogut rajonal e më gjerë, por edhe në perspektivën europiane të Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›