5 maj 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe zhvillon interpelancë me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e hënë, më 5 maj 2008, ora 18:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli dhe, ndër të tjera, zhvilloi interpelancë me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli.
Fillimisht, gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës, deputetët trajtuan çështje të zonave zgjedhore, probleme që lidhen me gjendjen ekonomike në vend, probleme të lirisë së medias, etj.
Në vijim, Kuvendi mori në shqyrtim dhe miratoi projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë, për mbrojtjen e ndërsjelltë dhe shkëmbimin e informacionit të klasifikuar; projektligjin Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Këshillit të Ministrave, si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës, për financimin e programit Punët e Komunitetit, faza e tretë; projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7905, datë 21.3.1995, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar; projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare Për kontrollin dhe administrimin e ujërave të balasteve dhe sedimenteve të anijeve, 2004; projektligjin Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9072, datë 22.5.2003, Për sektorin e energjisë elektrike, të ndryshuar, si dhe projektvendimin Për miratimin e strukturës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës në ERE për vitin 2008.
Gjithashtu, deputetët miratuan edhe projektrezolutën Për vlerësimin e punës së Autoritetit te Mbikqyrjes Financiare për vitin 2007; projektrezolutën Për vlerësimin e punës së Autoritetit të Konkurencës për vitin 2007, si projektrezolutën Për vlerësimin e punës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2007.
Më pas, me kërkesë të deputetes së Partisë Socialiste, Rajmonda Stefa, Kuvendi zhvilloi interpelancë me Ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli.
Deputetja Stefa kërkoi nga Ministri Ruli që të bënte prezent qëndrimin e Qeverisë, si dhe dhënien e shpjegimeve lidhur me problemin e vendgrumbullimit të mbetjeve të rrezikshme dhe rehabilitimin e tyre, në mjediset e Uzinës së Plehrave Azotike, Fier.
Në përgjigje të kërkesës së paraqitur, zoti Ruli tha se ky është një projekt i financuar nga Bashkimi Europian në kuadrin e Marrëveshjes së Programit të Veprimit Kombëtar CARDS 2005. Sipas Ministrit të Ekonomisë, për këtë projekt janë vënë në dijeni të gjithë aktorët e përfshirë dhe se procedurat e ndjekura
janë të bazuara në legjislacionin shqiptar. Ministri Ruli vuri në dukje se janë bërë përpjekje për bllokimin e këtij projekti nga disa deputetë të këtij Qarku. Ndërsa lidhur me projektin, zoti Ruli tha se variantet dhe teknologjia e groposjes është në përputhje të plotë me një studim të kryer dhe përmbush të gjitha standardet europiane.
Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 19:40, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e enjte, më 8 maj 2008, ora 10:00.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.