Procesverbal datë 03.03.2008
JOZEFINA ÇOBA TOPALLI KRYETARE KUVENDI
Rendi i ditës: Miratimi i kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën 3 - 24 mars 2008.
Të pranishëm:
Znj. Jozefina Çoba TOPALLI Kryetare Kuvendi
Z. Fatos BEJA Zëvëndës Kryetar Kuvendi
Z. Ylli BUFI Zëvëndës Kryetar Kuvendi
Z. Astrit PATOZI Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike
Z. Arian MADHI Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Republikane
Z. Pashk UJKA Kryetar i Grupit Parlamentar Demokristian
Z. Petrit GJONI Kryetar i Grupit Parlamentar të PAA
Znj. Diana ÇULI N/Kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Social-Demokrate
Z. Pëllumb XHUFI Kryetar i Grupit Parlamentar LSI + PDS
Z. Tritan SHEHU Kryetar i Grupit Parlamentar Demokrat-Reformator
Z. Neritan CEKA Kryetar i Grupit Qendra Liberal Demokrate
Mungojnë:
Znj.Valentina LESKAJ Kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
Z. Vangjel DULE Kryetar i Grupit Parlamentar Qendra Demokrate
Të ftuar: Z. Edmond Spaho, Kryetar i Komisionit të Ekonomisë.
HAPET MBLEDHJA
JOZEFINA ÇOBA TOPALLI: Informon të pranishmit mbi rendin e ditës. Besoj se të gjithë jeni njohur me kalendarin e ri të punimeve. Është një kalendar shumë i ngjeshur në projektligje. Në këtë kalendar do përfshijmë dhe një projektligj i cili sapo ka ardhur, "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i sistemit të shpërndarjes", për privatizimin e KESH-it. Po kështu është edhe projektligji "Për Falimentimin" si dhe "Për shoqëritë tregtare". Ky i fundit është caktuar në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, por këtë komision e kemi ngarkuar shumë këto kohë. Besoj se do ishte më mirë që projektligji, "Për shoqëritë tregtare" të kalonte në Komisionin e Ekonomisë.
EDMOND SPAHO: Komisioni i Ekonomisë është mjaft i ngarkuar me këtë kalendar. Kemi projektligjin: "Për Qëndrën Kombëtare të Regjistrimit", kemi një ratifikim marrëveshje, "Për përcaktimin e formulës së privatizimit të INSIG Sh.a", "Miratimi i strukturës, të organikës si dhe nivelit të pagave të punonjësve të institucionit të Avokatit të Prokurimeve", si dhe raportin e Autoritetit të Konkurencës.
JOZEFINA ÇOBA TOPALLI: Atëherë, sot në rendin e ditës, do të vendosim për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i sistemit të shpërndarjes".
YLLI BUFI: Përsa i përket projektligjit "Për shoqëritë tregtare", ligji bazë është shqyrtuar në Komisionin e Ekonomisë, dhe meqë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese është mjaft i ngarkuar le të shqyrtohet përsëri në atë komision. Në në bazë të këtij kalendari kemi, "Për vlefshmërinë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", "Për rezervat materiale kombëtare", "Për komunikimet elektronike", "Për mbrojtjen e mjedisit", ndërkohë që jemi duke shqyrtuar edhe projektligjin "Për Legalizimet"etj.
JOZEFINA ÇOBA TOPALLI: Atëherë projektligji " Për shoqëritë tregtare" do kalojë në Komisionin e Ekonomisë për shqyrtim dhe Komisioni i Ligjeve do të japë mendim.
TRITAN SHEHU: Ligji "Për Barazinë Gjinore", është përcaktuar për në datën 24 në seancë plenare, në komision ka përfunduar diskutimi. Debati ka qënë mjaft i gjërë, për këtë çështje, madje unë e kam ngritur edhe në Konferencën e Kryetarëve herën e kaluar. Meqënëse ky ligj në një nen të tij, flet për përqindjet që duhet të ketë çdo parti në listat për kandidatë për deputetë në Parlamentin e ardhshëm, për kuotat, nuk mund të operohet nëse nuk miratohet Kodi Zgjedhor, sepse këto i atribuohen ligjit ekzistues. Po nuk u bë ligji i ri ne nuk mund të diskutojmë mbi kuotat e për listat zgjedhore. Në këtë mënyrë, ne kemi patur mendimin që të vazhdojmë punën me këtë ligj dhe bllokojmë punën në nenet që kanë të bëjnë me kuotat e ti diskutojmë në seancë plenare pas miratimit të Kodit Zgjedhor. Ky është mendimi i komisionit.
DIANA ÇULI: Për këtë ka rënë dakord gjithë komisioni?
TRITAN SHEHU: Po. Nuk mendojmë se duhet të kalojmë këtë ligj pa u kaluar Kodi Zgjedhor. Dje dëgjova edhe Kryeministrin që tha se duhet ndryshuar Kodi Zgjedhor lidhur me kuotat për hyrjen e grave në politikë. Pa u ndryshuar Kodi ne nuk mund të kalojmë ligjin. Për këtë ka rënë dakord edhe Ministria e Punës e Çështjeve dhe Sociale. Megjithëse ne jemi këtu për ta vendosur si do veprojmë.
ARIAN MADHI: Në datën 24 janë përcaktuar për në rendin e ditës dy projektligje të propozuara nga ana ime. Projektligjet janë vonuar për shkak të procedurave që Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, duke mos u përcaktuar si komision përgjegjës, ka vetëmarrë të drejtën e shqyrtimit të tyre. Unë kërkoj që ky komision, të hartojë një projektvendim që të shqyrtohet e të vlerësohet nga Kuvendi në seancë plenare, ku t'i jepet e drejta që të shqyrtojë projektin. Komisioni sot nuk është në përputhje me procedurën, nuk ka asnjë të drejtë të shqyrtojë këto projekte. Unë jam shumë i hapur, jam gati ta pranoj, vetëm të përcaktohet qartë procedura. Të marrë vendim Kuvendi për shqyrtim të këtyre projekteve nga ky komision.
NERITAN CEKA: Unë desha të pyes nëse ka ndonjë raport të ERT-së në Kuvend. A është dorëzuar? Nëse po duhet të përfshihet leximi i tij, pavarësisht problemeve që mund të kemi me drejtuesit e këtij enti. Besoj se duhen dëgjuar.
JOZEFINA ÇOBA TOPALLI: Do e shoh unë këtë çështje, nëse ka ardhur raport ose jo. Përsa i përket projektit "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i sistemit të shpërndarjes", do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Drejtoria juridike të bëjë gati vendimin për Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, pasi do të shqyrtohet në seancën e sotme plenare.
Në përfundim të diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve miratoi unanimisht kalendarin trejavor të punimeve të Kuvendit, për periudhën 3 - 24mars 2008. Kalendari me ndryshimet për të cilat u ra dakord në Konferencën e Kryetarëve, do t'i paraqitet për miratim séancës plenare të datës 3.3.2008.
Konferenca e Kryetarëve vendosi të miratohet me procedurë të përshpejtuar, projektligji "Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime "Operatori i sistemit të shpërndarjes", dhe komision përgjegjës do të jetë Komisioni i Veprimtarive Prodhuese.
(Mbledhja deklarohet e mbyllur.)