E Diel, 1 Nëntor 2026

60-vjetori i marrëdhënieve Kinë-Shqipëri, Jiabao uron Berishën

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryeministri Sali Berisha ka marrë dje një telegram urimi nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Ven Jiabao, me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. “Më lejoni që me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë, në emër të Qeverisë kineze dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe Qeverisë së vendit tuaj urimet më të sinqerta dhe përgëzimet më të mira. Gjatë 60 viteve të marrëdhënieve diplomatike, marrëdhëniet kino-shqiptare kanë njohur përparime të pandërprera. Dialogët politikë mes dy vendeve, në nivele të larta janë shtuar, bashkëpunimet me leverdi reciproke në fushat ekonomike-tregtare, kulturore, arsimore, bujqësore, etj, kanë arritur rezultate të frytshme, për çështjet ndërkombëtare e rajonale, të dyja palët kanë bashkëpunuar mirë”,- thuhej në mesazhin që Jiabao i dërgoi homologut të tij shqiptar. “Qeveria kineze respekton rrugën e zhvillimit të zgjedhur nga populli shqiptar, sipas kushteve të vendit dhe është e gatshme që me përpjekje të përbashkëta me palën shqiptare të forcojë shkëmbime dhe bashkëpunime, të nxisë mirëkuptimin dhe miqësinë mbi bazën e frymës së “Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Thellimin e Marrëdhënieve Miqësore Tradicionale”,- përfundonte mesazhi i Jiabao.

Kina interes për bashkëpunim ekonomik me Shqipërinë

Interesi i Kinës për të investuar në ekonominë shqiptare ka qenë në qendër të diskutimeve të zhvilluara dje mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe një delegacioni të Asamblesë Popullore Kombëtare të Kinës, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Shqipëri. Në takimin miqësor me Kryetaren e Kuvendit u theksua se distanca gjeografike mes dy vendeve është e pandjeshme për shkak të marrëdhënieve të forta tradicionale politike dhe ekonomike. Duke përgëzuar për këtë zhvillim ekonomik galopant të Kinës, Kryetarja e Kuvendit, shprehu kënaqësinë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është intensifikuar, ndërsa ekziston i gjithë vullneti për të çuar në një tjetër nivel marrëdhëniet ekonomike. Anëtarët e delegacionit, duke e konsideruar si shumë domethënëse ftesën e Kryetares së Kuvendit, por edhe vizitat e niveleve të larta të kohëve të fundit, shprehën interes në konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Ecuria e shkëmbimeve tregtare me Kinën ka një tendencë pozitive në vitet e fundit. Eksportet shqiptare drejt Kinës për vitin 2008 janë rritur gati dyfish në raport me vitin 2006. Kryetarja e Kuvendit, duke shprehur kënaqësinë për praninë në rritje të biznesit të madh të Kinës në Shqipëri, tha se kompanitë kineze janë të mirëpritura të investojnë në fushat e energjisë, infrastrukturës, shfrytëzimit të pasurive natyrore apo teknologjisë. Kryetarja e Kuvendit përsëriti qendrimin se Shqipëria njeh vetëm një Kinë, duke shprehur garancinë se ekzistojnë të gjitha premisat për forcimin e dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›