E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: “Kufijtë, ndër më të sigurtët në rajon”

Autori i Lajmit: Redaksia
Buxheti i vitit 2010 u përgjigjet të gjitha politikave prioritare të Ministrisë së Brendshme në fushën e sigurisë dhe në veçanti në intensifikimin e luftës me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Kështu u shpreh numri një i Ministrisë së Brendshme, Lulzim Basha, gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2010 në Komisionin e Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, plotësimi me sukses i këtyre detyrimeve mbetet kusht dhe prioritet për Qeverinë, lidhur me integrimin e vendit dhe liberalizimin e vizave. “Buxheti u përgjigjet të gjitha politikave në fushën e sigurisë, atë të luftës kundër krimit të organizuar. Dy ligjet që sapo u miratuan, ai i ‘Antimafias’ dhe ligji për konfiskimin e aseteve, janë një tregues i madh në këtë luftë pa kompromis. Mbi të gjitha dhe Policia e Shtetit, me teknologjinë e përmirësuar, do të jetë në gjendje të plotësojë objektivat në këtë drejtim. Plotësimi me sukses i këtyre detyrimeve është një kusht për integrimin e vendit në BE dhe liberalizimin e vizave. Tashmë Shqipëria renditet në vendet e para për ekzekutimin e fletarresteve drejtuar Interpolit”, - tha Basha. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek sigurimi i kufijve, një ndër kushtet e përcaktuara nga ndërkombëtarët për liberalizimin e vizave, kreu i Ministrisë së Brendshme tha se tashmë Shqipëria përmbush kushtet e përcaktuara në udhërrëfyesin për vizat. “Siguria e kufijve e bën sot Shqipërinë si vendin që përmbush kushtet jo vetëm në aspektin numerik në udhërrëfyesin e vizave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, por edhe në atë cilësor. Sistemi TIMS, MEMIKS.etj, janë treguesit kryesorë. E vetmja gjë që mbetet është që pas ardhjes së monitoruesve të KE edhe këta të fundit të vënë re ndryshimin që ne kemi verifikuar në realitet”, - pohoi ai. Basha ka siguruar gjithashtu se policët do të vazhdojnë të marrin shpërblimet për orët shtesë, problem ky i ngritur pak kohë më parë nga sindikata e policisë. Ai pohoi gjithashtu se do të blihen dhe automjete të reja policore për të zëvendësuar të amortizuarat.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›