E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, Basha: “Elementët kriminalë do të marrin përgjigjen e duhur”

Autori i Lajmit: Redaksia
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, akuzon opozitën se pjesë e protestës së saj janë bërë dhe elementë kriminalë. Ai siguroi se policia do të vazhdojë të krijojë hapësira ligjore dhe kushtetuese për hapësirën e çdo qytetari për protesta paqësore. “Dhuna dhe thirrjet për dhunë do të marrin përgjigjen e merituar ligjore. Aktivizimi i kontigjentit kriminal nuk do të tolerohet. Ndaj bëj thirrje që të shkurajohet dhe të hiqet dorë nga aktivizimi i këtij elementi kriminal, përndryshe, pa asnjë pikë hezitimi, mbi ta do të vijë dora e rëndë e ligjit”, - tha Basha gjatë një ceremonie dhurimi të disa pajisjeve për trajnime mbi taktikat mbrojtëse të programit ICITAP, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA, Xhon Uidhers. Pajisjet, si kostume taktike, pistoleta mësimore, thika e shkopinj mësimorë, dyshekë të palosshëm, mburoja etj, iu dhuruan Qendrës së Formimit Policor. Duke falënderuar për ndihmën e dhënë dhe duke theksuar se përvoja amerikane që po fiton Policia e Shtetit është një nga praktikat më të mira ndërkombëtare të shërbimit policor, ministri tha se avancimi i policisë shqiptare drejt standardeve euroatlantike është, pa dyshim, një meritë e padiskutueshme e kontributit euroatlantik, dhe në këtë rast e qeverisë së SHBA, për pajisjen e policisë me mjete dhe sisteme bashkëkohore dhe trajnimin me metodat më të përparuara të policimit. Basha u shpreh se në sajë të bashkëpunimit, Policia e Shtetit do të njohë rezultate edhe më të larta në punën e saj.

Ky lajm është publikuar: 24/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›