Zjarr në lagjen periferike, dëgjohen shpërthime municionesh
Flakët e zjarrit përfshijnë një territor privat në një lagje periferike të qytetit të Beratit, ndërkohë që banorët janë alarmuar nga shpërthimi i disa municioneve ushtarake. Zjarri u pikas dje, rreth orës 14:00, në një zonë të rrethuar, pjesë e një reparti ushtarak. Banorët e banesave aty pranë dhe punonjësit që ndodheshin në disa aktivitete janë alarmuar dhe kanë kërkuar ndihmën e Repartit të Zjarrfikëses. Por, ndërsa punonjësit e zjarrfikëses kanë nisur të fikin zjarrin, nga territori i përfshirë nga flakët janë dëgjuar disa shpërthime të fuqishme, të cilat kanë alarmuar banorët që jetojnë aty pranë dhe kalimtarët e rastit. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, uniformat e policisë kanë larguar nga vendi i ngjarjes disa banorë dhe kureshtarë të mbledhur rreth vendit të ngjarjes. Punonjësit zjarrfikës kanë punuar me shpejtësi për eliminimin e flakëve të zjarrit, ndërsa më pas, në vendin e ngjarjes, mbërritën dhe ekspertët e policisë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është mësuar se nga temperatura e lartë e flakëve të zjarrit kanë shpërthyer municione të mbetura nga viti 1997 ose të hedhura nga banorët për të mos u dorëzuar në polici. Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për shpërthime baterish makinash të ndryshme të hedhura dhe fishekë.