E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tmerri që po provon junta e bashkisë nga vjedhja milionëshe e taksave vendore

12-04-2011 / Redaksionale

Kreu i bashkisë së Tiranës edhe për 26 ditë, Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e rivalit demokrat, Lulzim Basha për taksat e larta lokale duke sulmuar qeverinë Berisha dhe jo duke dhënë sqarime pse taksat e bashkisë janë kaq të larta. Tendenca për të zhvendosur gjithçka në planin politik s’e shpëton dot Ramën nga peshimi i realitetit që ka krijuar qeverisja e tij vendore prej 11 vitesh. Është e qartë me fatura në duar se Bashkia Tiranë për një dekadë me në krye Edi Ramën ka grumbulluar 82 taksa dhe tatime, çka do të thotë një faturë totale prej 1 milion lekësh në vit për një biznes të vogël. Çdo njeri që ka një biznes të vogël mund ta konfirmojë me gojën e tij këtë mbingarkesë financiare. Për një vit një biznes që ka përpara derës së dyqanit të tij paguan në bashki rreth 25 mijë lekë në vit, një shumë 6 herë me madhe sesa taksa në Romë, Paris dhe Londër.
Mirëpo po aq e qartë është fakti se Rama ka problem propozimin e kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i cili premton se nëse fiton, do të heqë 60 taksa dhe tarifa vendore, ndërkohë që do të ulë ndjeshëm ato që mbeten. Nga 82 taksa që ka bashkia, 60 prej tyre do t’i heq, të tjerat do t’i ulë minimalisht dy herë, por deri në pesë herë. Një ofertë të tillë kryetari aktual s’mund ta bëjë.
Sakaq Edi Rama po kërkon mandatin e 4-t për kryetar bashkie të Tiranës, me një bilanc aspak pozitiv, përkundrazi. Është negativ përderisa taksat shtohen mbi bizneset, investimet në kryeqytet vijojnë të jenë thuajse në pikën zero. Në fakt taksat kryesore të Bashkisë së Tiranës, sidomos taksat e Pastrimit dhe atë të gjelbërimit, kanë pësuar një rritje drastike nga viti në vit. Taksa e Gjelbërimit për Biznesin e Vogël, vetëm nga viti 2008 në vitin 2010 është mbi dyfishuar në pjesën më të madhe të këtyre bizneseve. Një tjetër shembull është taksa e pasurisë për bizneset prodhuese, domethënë ato sipërmarrje që punësojnë njerëz. Përpara 4 vjetësh, në vitin 2007, taksa ishte 50 leke m2 metri katror, kurse sot është trefishuar, pra, 150 lekë m2 dhe kjo për ndërtesa që prodhojnë, pikërisht për atë që ka nevojë vendi, që të punësohen njerëz direkt dhe indirekt.
E pavarësisht se taksat janë dyfishuar, Tirana nuk paraqitet e përmirësuar nga përdorimi i të ardhurave në rritje nga këto taksa. Megjithatë Edi Rama është një kandidaturë e konsumuar për një kohë të gjatë që ka akumuluar plot defekte dhe incidente, prandaj s’është ndonjë risi që qytetarët paguajnë taksa për bashkinë dhe marrin një shërbim skandaloz, e për më shumë abuziv, kur shikon që pastrimi i Tiranës është në dorë të kunatit të Dash Pezës, që në vend që plehrat t’i çojë në landfille apostafat kompania e tij i dërgon në lumin e Tiranës. Atij i duket qyteti i pastër, i gjelbëruar, i ndriçuar, pa baltë dhe pa taksa të lartë…mirëpo kjo është e pavërtetë. Dhe këtë e dinë të gjithë ata që jetojnë në Tiranë. Në katër vitet e fundit kryeqytetit ka ecur për inerci dhe jo për ndonjë aftësi menaxhuese të Edi Ramës, apo shtojca të tij në administrim.  
Në takim e djeshëm në njësinë numër 10 në kryeqytet, Rama ka  pohuar se është pushteti ai që po mbyt qytetarët me taksa e jo bashkia. Pohimi i Ramës është i pasaktë përderisa  qeveria Berisha merr nisma për të ulur barrën fiskale, kurse bashkia rrit taksat për të mbushur financat e harxhuara në protesta, greva urie dhe demonstrate. Sepse dikush i paguan këto protesta dhe demonstrate dhe fushata elektorale, dhe me siguri paratë i marrin nga buxhetet bashkiake që qeverisen nga drejtues socialistë. 
Sidoqoftë alternativa ndaj taksave të larta ekziston, sot në Tiranë filozofia e uljes së taksave përfaqësohet publikisht nga Lulzim Basha, që e ka seriozisht që do të heqë 62 taksa dhe tatime nga 82 gjithsej. Ulja e këtyre taksave do të ketë impakt direkt tek xhepat e qytetarëve sepse kështu do t’i vihet fre abuzimeve duke normalizuar çmimet. Kryeqyteti përballet sot me një rritje abuzive të çmimeve, duke nisur nga ato më jetike për jetën e çdo qytetari në rastin më minimal siç është buka. Në shumë raste rritja e çmimeve justifikohet me taksat e larta të vendosura nga Bashkia. Me Bashën në krye të Tiranës indiferenca ndaj rritjes së çmimeve nuk do të ndodhë, pasi në programin e shpallur ai ka garantuar se do të ngrejë Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve në nivel vendor për të kontrolluar abuzimin me çmimet që ndikojnë në cilësinë  e jetës së qytetarëve. Për një transparencë të plotë të është e nevojshme ndryshimi. Dhe ndryshimi fitohet nuk dhurohet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›