E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga PS-ja jashtë ligjit, te rruga njëkalimshe për bashkinë e Tiranës

12-04-2011 / Nga Kostaq Xoxa

PS-ja e anatemuar vendosmërisht dhe po ajo parti, në emër të së cilës duhej marrë bashkia e Tiranës, janë thëniet e të njëjtit njeri. Ky është Edi Rama. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë. Është një platformë që s’pranon alternativë.
Në një analizë të kësaj gjendjeje paradoksale të krijuar në vigjilje të zgjedhjeve vendore të 8 majit, që janë te dera, opozita jonë është shndërruar në Ajatollah-opozitë. Këtë shqyrtim e ka bërë Ilir Nikolla, që vëren se zgjedhësit vihen në kushtet e një rruge të vetme, në atë të zgjedhjes së Edi Ramës si kryetar bashkie: “Apelin për të njëjtën rrugë e kemi dëgjuar herët e shpesh dhe na kujton komunizmin enverist dhe revolucionin islamik iranian të 1979-s”.
Që kryetari i tanishëm i PS-së të kalojë nga njëri skaj i politikës, në ekstremin tjetër të saj, kjo do të ishte, së paku, një aventurizëm. Por Shqipëria, në kohën e tanishme, nuk mund të futet në qerthullin e eksperimenteve të aventurierëve.
Më 1991, Edi Rama shkruante: “Denoncimi pa kompromis i veprimtarisë kriminale të PPSH-së deri në nxjerrjen e saj jashtë ligjit është i vetmi shteg nga duhet të kalojë PSSH-ja për të fituar të drejtën e qytetarisë në shoqërinë e ardhshme shqiptare dhe e vetmja mundësi për opozitën (për kundërshtarët e PS-së në atë kohë, - K.X.) që atdheun e mbetur në duart e rrugaçëve të qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë, t’ua kthejnë miliona njerëzve të ndershëm që kanë humbur besimin. Për sa kohe PS nuk ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe të historisë së saj, ajo s’mund ta ketë të drejtën për të qenë një parti e ligjshme“ (“Refleksionet“, f. 184, E.R., gusht 1991).
Tani Edi Rama, me firmën e tij, na del kryetari i një partie të paligjshme. Që t’i shmanget këtij etiketimi, ai duhet të na bindë se PS-ja e ka bërë denoncimin e plotë të origjinës dhe të historisë së saj. Por ai na shkruan, tri faqe më sipër, se „e kaluara do të na mbajë të gozhduar në rrethin e saj vicioz, për sa kohë nuk kemi bërë katarsisin e vërtetë historik (f. 181). Partia e sotme Socialiste të cilën Edi e ka vënë në dorë si kryetar i saj, gjashtë vite më parë, jo vetëm që s’ka bërë katarsis por, përkundrazi, është kundër pastrimit të radhëve të saj nga “rrugaçët e qosheve të errëta të nomenklaturës apo të kriminelëve ordinerë”, - që të përdorim sërish shprehjet e tij. Meqë përmendet nomenklatura, me nënkuptimin e bllokmenëve, është pikërisht Edi ai që u ofroi poltronat parlamentare bash atyre që nuk fajësohen si bij “të nomenklaturës”, por si deklarues që e kanë për nder që janë bij keqbërësish në periudhën e rrezikshme të luftës së klasave (Shumëkujt i kujtohet se ç’tha Ditmir Bushati, kur e akuzuan si të birin e Sulejman Bushatit, me detyrë të sekretarit të Komiteteve të Partisë së Punës në Shkodër e në Kukës. Këta titullarë kishin për detyrë të bënin lista kulakësh, “armiqsh” dhe të vendosnin për internime, dënime dhe ndëshkime kapitale, duke i vënë gjykatat para një parti pris-je).
Në koalicionin e tanishëm të ajatollah-opozitës së Edit, gjendet edhe Partia Komuniste e Hysni Milloshit, e cila nuk u miratua në kohën e demokracisë, por në atë të socialistëve, ndonëse kërkesa për miratim e komunistëve në Mininistrinë e Drejtësisë, përmbante kushtet që të respektohej pluralizmi dhe të mos propagandohej për diktaturën dhe për udhëheqësin e saj. E, pikërisht ky i vetëquajtur antikomunist i papërkulshëm, bën aleancë me një parti e cila, në gazetën e saj “të ligjshme”, i bën jehonë dhe ngre lavdinë e Enverit  me frazeologjitë e kohës kur mbulohej tragjedia e Tivarit që kishte protagonist Ramiz Alinë. Është aleate me një parti që eksitonte turmat për të buçitur “Në litar! Në litar” për njerëz që kishin luftuar përkrah nacionalçlirimtares. A nuk ishte i tillë Kryetari i Këshillit N.çl. të Dibrës, Edip Tërshana? A nuk ishin të tillë Shefqet Beja, Dr. Enver Sazani, Gjergj Kokoshi, ish-deputetët që kërkuan pluralizëm Selahudin Toto, Sheh Karbunara, Hyen Shehu, Pertef Karagjozi? Tradhtar ishte Hysni Lepenica? A nuk kishin ndërprerë studimet universitare për të luftuar fashizmin  Besnik Çano, Qeramudin Sulo dhe Adi Kasimati? E. Hoxha zhduku edhe ajkën e ushtrisë N.çl. A i meriton lavdet në Pezë ky njeri që u vuri thikën pas shpine nacionalistëve pjesëmarrës në atë konferencë? (Këto janë fjalët e E. Ramës për atë Konferencë!). A i zihet besë Edit, që  tani është në ujdi të plotë me kontingjentet mëkatare të PPSH-së, që kaluan në PS?
Shumë nga propagandistët e Edi Ramës e kanë në majë të gjuhës 21 janarin. Koha do të sqarojë më mirë se 21 janari nuk ishte veçse një provokim, pikërisht i Edit. Ky deklaroi, më 20 janar 2011, një ditë para demonstratës së dhunshme: “Situata mund të dalë jashtë kontrollit!” Përse nuk kishin dalë jashtë kontrollit me dhjetëra manifestime të tilla populiste? Është e vërtetuar plotësisht se donte vetë Edi, që ky demonstrim të ishte i tillë. Sepse ata 250 të angazhuarit për të shpërthyer kangjellat dhe derën e hekurt të këtyre kangjellave, të selisë kryeministrore, ishin paguar ndryshe nga manifestuesit e tjerë: majmërisht. Shkrehjet në ajër u bënë pas 90 minutash, pasi ishte shpërthyer edhe porta e hekurt e kangjellave. A do të arrinte puna gjer këtu, nëse Edi me enturazhin e tij do të dilte para të paguarve të vet dhe t’u thoshte: ndal! Jo gjer këtu- ?. A mund të bëhet sehir nga pallati i Fidelit, kur kishte kaluar kaq kohë, që rojat dhe gardistët vetëm goditeshin dhe nuk kundërvepruan? Ky fakt është i qartë, në të gjithë pjesën e parë të kësaj tragjedie. Kjo pjesë e parë dëshmon që mbrojtësit ruanin kokat vetëm me skafandrat ndërsa mësymësit përdornin copë kalldrëmesh, hunj, madje ishin kërcënues edhe me armë zjarri që dukeshin në brez! Kishte kohë që të mbyllej me kaq. Por dëshirohej që atmosfera të elektrizohej!
Nuk besojmë  te kemi dalë jashtë temës. Sepse po përdoret jashtë teme në këtë fushatë të tensionuar artificialisht për zgjedhjet e 8 majit. Meqë kjo datë nuk u sabotua dot nga personi që mezi e vuri kandidaturën për kryetar bashkie, duhej krijuar një gjendje demonstruese, ndryshe nga paraardhëset. Vini ré sesi 21 janari përmendet veçanërisht nga S. Tahiri, L. Shamku, por edhe nga zhurmuesi P. Zogaj, që kanë ezauruar gjysmën e emisionit me këtë lajtmotiv. Atëherë shtrohet edhe një pyetje: - Kujt i interesonte një gjendje e tillë? Këtë pyetje nuk e bëjnë kurrë propagandistët e Ramës.
Por E. Rama le të mos harrojë se në vitin 1951 shkruante me patos kundër mendësisë komuniste. Dhe historia e komunizmit na mëson se Stalini vuri në dorën e tij Nikolajevin për të vrarë Sergo Kirovin, që diktatori vrasës të shpërthente  një fushatë të tërë terrori. Doemos duke vrarë më parë Nikolajevin, që të zhdukte gjurmët e krimit. A kaq e vështirë ishte që të ngarkohej edhe në këtë rast një Nikolajev shqiptar, qoftë edhe në radhët e mbrojtësve, që të bënte një veprim individual, të paguar me milionat që nuk mungojnë për interesa të tilla emergjente? Duhej që Prokuroria e Përgjithshme të mos na linte në hamendësime. Asaj iu bë thirrje nga partia që s’kishte asnjë interes që situata të dilte jashtë kontrollit,  që të bëhej një hetim sa më i shpejtë. Përkundrazi, asnjë prononcim. Kjo plogështi kuptohet se kujt i shërben!
Nga ana tjetër, në një gazetë të majtë jepet një reportazh se nga hetuesia e Tiranës u bënë ekzaminimet e predhave. Rezultoi se nuk janë në posedim të forcave mbrojtëse.
Pra, në mungesë të një shprehjeje zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk kemi se përse ta politizojmë një veprim, për cilin fjalën përfundimtare e kanë organet kompetente ligjore. Edhe artikullshkruesi i këtij shkrimi, nuk duhej dhe nuk do të merrej me këtë problem, nëse çështja nuk do të përdorej vend e pa vend për të shmangur thelbin, domethënë plogështinë tërësore të bashkisë në drejtim të interesave të qytetarit. Askush nuk duhet të vihej, pra, përkrah atyre që nuk durojnë të presin një vendim legal. Siç kemi rastin e të ndjerit Kosta Trebicka, i cili u vërtetua nga ekspertizat ligjore se çështja e tij nuk ishte veçse një aksident automobilistik. Kështu u mbyllën zërat që ishin  shprehur për një... atentat!
Ndonëse në këtë gjendje të  një fushate zgjedhore administrative, hyra edhe unë në një problem të pashprehur ende ligjërisht, këtë e bëra si kundërpërgjigje ndaj atyre që po e përdorin një ngjarje, që dihet se kujt i shërben.
Le të presim të gjithë, një vendim të kompetentëve.
Sa për propagandën e ZP-së që me Edi Ramën Tiranën e pret e mira, mund të përdorim nofkën e vetë Edit për ZP-në: “Mos i besoni Zuskës Plakë!”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›