E Shtunë, 31 Tetor 2026

6.400 punonjësit e OSSH-së, test për të qëndruar në punë



Punonjësit duhet të justifikojnë aftësitë me kompaninë private CEZ

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes përpara kalimit në pronësi të kompanisë çeke, CEZ, do të kryejë një testim për të gjithë punonjësit e saj. Në total, 6.400 punonjës të OSSH-së do t’i nënshtrohen një testi për t’u njohur me aftësitë e tyre profesionale. Vetëm kaluesit do të kenë mundësi të punojnë me kompaninë private, ndërsa ata që nuk mund të justifikojnë aftësitë e tyre, do të largohen nga puna. Një fakt të tillë e konfirmoi drejtori i Përgjithshëm i OSSH-së, Sahit Dollapi. “Që këtë muaj do të merren në testim për ruajtjen e vendit të punës 6.400 punonjës dhe 3 do të jenë kriteret e vlerësimit të tyre. Marrëdhëniet me konsumatorin, rezultatet në punë dhe ngritja profesionale e çdo punonjësi”, - tha Dollapi. Ai mohoi se ky test është një koperturë për të shkurtuar qëllimisht numrin e punonjësve në OSSH. “Nuk do të shkurtohet asnjë punonjës i OSSH, vetëm do t’i nënshtrohen testit dhe nëse nuk i plotësojnë kriteret, do të zëvendësohen”, - shtoi Dollapi. Kreu i OSSH-së tha më tej se masa ndëshkimore do të merren edhe ndaj konsumatorëve që nuk paguajnë apo që vjedhin energjinë. Ai garantoi energji 24 orë për qytetarët. “Garantojmë konsumatorët se kompania do të vazhdojë furnizimin pa ndërprerje me energji 24 orë në ditë, se do të vazhdojë investimet për rrjetin e shpërndarjes, ndërprerjen e energjisë për atë që nuk paguan, do të marrin masa ndaj çdo punonjësi që nuk është korrekt për faturimin e energjisë, në përmirësimin e rrjetit apo eliminimin e avarive”, - tha Dollapi. Ndërkohë sipas kontratës, pritet që brenda 3 muajve, OSSH-ja të kalojë në duart e kompanisë private çeke. Kompania çeke, CEZ, bleu kompaninë shqiptare me një vlerë prej 102 milionë eurosh, duke u shpallur fituese në tenderin e hapur ndërkombëtar. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, ka vlerësuar kapacitetet e firmës çeke, e cila garanton investimet në sektorin e energjisë, për të përmirësuar furnizimin me energji. “Mendoj se ka dhe eksperiencën dhe motivimin e duhur që reputacioni i tij të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel dhe në Shqipëri”, - ka thënë Ruli. Kompania çeke ka premtuar qindra milionë euro investime në rrjet për të përmirësuar shërbimin dhe treguesit. Kompania CEZ që bleu OSSH-në në Shqipëri është një ndër kompanitë energjetike që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14.300 MW. Grupi CEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, grupi CEZ operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›