Dita e Verës, rrethet zbarkojnë në Tiranë
Tenda të veçanta me gatime tradicionale tiranase
Tregti ballokumesh nga Elbasani në Tiranë
Dyshimit se mos 14 marsi do të ishte ditë e zymtë dhe e ftohtë, i dha përgjigje dielli rrezëllues, i cili u shfaq që në orët e para të mëngjesit. Dita premtonte. 14 marsi është festë dhe duhet festuar. Dje në Ditën e Verës kryeqyteti festoj ashtu siç i ka hije, duke u bërë epiqendra e festimeve, për të mbledhur përreth tij festues nga e gjithë Shqipëria. Bulevardet, rrugët dhe sheshet u bënë dëshmitarët kryesorë të një feste me përmasa gjigante. Festa nisi në orët e para të mëngjesit, por atmosfera mbeti e ndezur deri në orët e vona të mbrëmjes.
Festimet
Teksa ecën përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe i afrohesh një grumbulli qytetarësh dhe i pyet për festën, shumë prej tyre pohojnë se kanë ardhur nga rrethe të ndryshme si Kavaja, Durrësi dhe Kruja, për të festuar në kryeqytet festën e Ditës së Verës.
Festimet e Ditës së Verës kishin mbërthyer dje të tërë kryeqytetin. Në një atmosferë festive, e cila zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, Tirana ka festuar Ditën e Verës mes aktiviteteve të shumta, ku festa mori udhë mes këngësh e vallesh të Ansamblit të Tiranës tek sheshi “Skënderbej”. Ndërkaq, nëpër rrugët e kryeqytetit ishin përgatitur vende të posaçme ku u ekspozuan gatime tradicionale të zonës së Tiranës, kurse lulishtja "Skënderbeu" ishte vënë e gjitha në dispozicion të fëmijëve për të zhvilluar lojëra të ndryshme argëtuese për ta. Gjatë mesditës, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u kthye në një panair argëtues, me kënde dhe çadra, ku të rinjtë e Rrjetit Rinor krijuan një atmosferë krijuese dhe gazmore, në një vend të veçantë u bë edhe prezantimi i botimeve nga shtëpitë botuese shqiptare. Në Parkun “Rinia”, Bashkia e Tiranës kishte instaluar një sistem karaoke, ndërkohë që një risi në këto festime ishte edhe projekti “Pasarela” që u organizua nga Shoqata e Stilistëve Profesionistë, me koleksione të studentëve të modës. Por piku i festimeve u kthye zona e ish-Bllokut, ku në orët e mbrëmjes u zhvillua aktiviteti “Rock the Block”, ku performuan live grupe muzikore të ardhura nga Holanda, Danimarka, dhe Republika Çeke, në bashkëpunim edhe me grupe rinore alternative shqiptare.
Ballokumet
Kryeqyteti jo vetëm që festoi, por edhe mblodhi shumë tregtarë ambulantë që tregtuan ballokumet në rrugët dhe bulevardet kryesore. Në fund të fundit, festa tradicionale e Ditës së Verës merr vlerë dhe kuptohet vetëm me ballokumen, ashtu sikurse festa e Vitit të Ri ka simbolin e saj, bakllavanë. Kjo festë kremtohet çdo 14 mars, pa shijimin e ballokumes, një gatim i veçantë i Elbasanit, një qytet, i cili ndodhet në qendër të Shqipërisë dhe i njohur për traditat e tij sidomos në fushën e arsimit. Por, edhe pse ka ditë që ka nisur kremtimi i festës, duket se tregtarët e kësaj ëmbëlsire tradicionale në Tiranë kanë nxituar ta nxjerrin në shitje ëmbëlsirën e famshme. “Ëmbëlsirën e kësaj feste, ballokumen, nuk di ta bëjë asnjë si elbasanasit”, - kështu do të shprehej një qytetar, teksa afrohet për të blerë në një prej pikave ku shiteshin të tilla. Ai pyeti tregtarin nëse janë nga Elbasani ballokumet, në të kundërt nuk do t’i blinte. Sipas tij, tradita e festës dhe e kësaj ëmbëlsire mbetet karakteristikë e kësaj zone. Nga ana tjetër, tregtari i ballokumes i jep me siguri të madhe klientit të tij produktin, pasi sipas tij, ballokumen e Elbasanit asnjë nuk e kopjon dot. Kështu tregtari shpjegon se baza e ballokumes është gjalpi i deles dhe mundësisht e deles së rritur në zonat malore të këtij rrethi, nga të cilat ai përmend zonën e Polisit. Si sekret të gatimit të saj ai quan një tenxhere bakri me përmasa 10-litërshe, ku masa e brumit, e cila përmbledh edhe vezët e fshatit, rrihet me një lugë druri dhe punohet shumë fort.
Pas feste
Mbetjet urbane bëhen dekori i qytetit
Turma e madhe e njerëzve, pasi kishin mbaruar së dëfryeri për një ditë të tërë, tashmë po bëheshin gati të ktheheshin në strofkën e tyre. Kështu përgjatë gjithë ditës, konsumet e tyre dhe çdo gjë tjetër kishte mbetur mbrapa si pjesë e një dite disi “të shfrenuar”. Mbetjet urbane kishin mbetur dekori i ri i qytetit. Në çdo cep të tij, kryesisht rrugët dhe bulevardet kryesore ishin të tejmbushura me plehra nga ushqimet e konsumuara për gjatë festës. Ndërkohë që të rrallë ishin ata qytetarë, të cilët pasi konsumonin gjërat e marra me vete i mblidhnin ato në qeska të ndryshme për t’i hedhur në kosh. Vetëm brenda një dite fizionomia e qytetit ndryshoi dhe u shndërrua në një vend për plehra. Edhe një ditë ku të gjithë ishin ftuar të festonin në mënyrë të papërgjegjshme, një pjesë e personave që kishin dalë për të gëzuar këtë ditë hidhnin mbetjet urbane vend e pa vend. Nga ana tjetër, festa e Ditës së Verës bllokoi qarkullimin nga sheshi “Skënderbej” deri në drejtim të sheshit “Nënë Tereza”. Çdo lëvizje e makinave ishte bllokuar deri në mesditë, çka lehtësonte lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve. Pasi të gjitha aktivitetet e planifikuara me rastin e Ditës së Verës, bllokuan qarkullimin e automjeteve në një nga segmentet më kryesore në kryeqytet.
Në Ditën e Verës të gjithë festuan
Në qytetin e Elbasanit që në orët e para të mëngjesit të djeshëm nisën aktivitetet me rastin e Ditës së Verës. Karnavalet e shkollave 9–vjeçare dhe të mesme filluan veprimtaritë për Ditën e Verës. Të inkuadruar në kolona rreshtore hipur mbi karroca të zbukuruara, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, këngë e parulla kundër ndotjes, paqes dhe lumturisë. Një kompani celulare ka organizuar një koncert artistik – kulturor për fëmijët në sheshin para kalasë së qytetit. Edhe të ardhurit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë shijuan një nga specialitetet e kësaj dite "Ballakumen", ku gatimi i kësaj ëmbëlsire ka një mister për nga mjeshtëria. Qytetarë të ndryshëm preferojnë që drekën e “Ditës se Verës” ta shijojnë në natyrë, në periferi të qytetit, si dhe në lokale, që ofrojnë specialitetin e tavolinës elbasanase siç është gjeli i detit dhe mishi i qengjit të pjekur. Ndërsa në Fier të rinjtë e qendrës rinore “Epoka e Re” kanë festuar në grup, në pikën turistike të Parkut Arkeologjik Kombëtar të “Apollonisë”, ndërsa disa grupe nxënësish të shkollave të mesme kishin zgjedhur bregdetin e bukur të Semanit e Darëzezës, për të festuar ditën e Verës. Në Kukës edhe pse zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit janë ende të mbuluara nga dëbora, apo fshatra si ato të komunës së Arrnit janë ende të izoluara nga dëbora në rrethin e Kukësit, festimet e ditës së verës kishin nisur që natën e kaluar me ndezjen e zjarreve që simbolizojnë mbarimin e dimrit. Dita e verës, ditë e ringjalljes pas dimrit të ftohtë, simbolizon rifillimin e jetës, të punës nga fermerët, ndaj dhe pritet me gëzim nga banorët e kësaj zone që jo rrallë herë dimri i ashpër me dëborë e ngrica i izolon për një periudhë të gjatë, por edhe shënon fillimin e punës, punimin e tokës e fillimin e mbjelljeve.
Zanafilla e Ditës së Verës
Që në kohët antike, tempulli i 14 marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë në qytetin e Elbasanit. E quajtur ndryshe si dita e largimit të dimrit, kjo festë ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm tek banorët e qytetit të Elbasanit, por edhe në qytete të tjera të vendit dhe veçanërisht në Tiranë. Zanafillën "Dita e Verës" e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por, festa e Verës që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit, epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehëronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët zakonisht e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore.