E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSSH, në testim 6 400 punonjës

Vetëm pak ditë pas privatizimit, punonjësit e OSSH-së, do të testohen për aftësitë profesionale

Dollapi: Testimi mbështetet në tre kritere. Jo shkurtime, por zëvendësim për mbetësit


Rreth 6 400 punonjës të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, do t'i nënshtrohen një testimi individual dhe, në rast se nuk do ta kalojnë, atëherë do të zëvendësohen me punonjës të tjerë. Drejtori i OSSH-së, Sait Dollapi, tha dje se testimi për punonjësit do të bëhet në bazë të tre kritereve, të cilat i konsideroi si thelbësore për performancën e kompanisë.

"Këtë muaj do të merren në testim për ruajtjen e vendit të punës 6 400 punonjës dhe tre do të jenë kriteret e vlerësimit të tyre: marrëdhëniet me konsumatorin, rezultatet në punë dhe ngritja profesionale e çdo punonjësi",- tha Dollapi.

Ai mohoi kategorikisht se OSSH-ja do të shkurtojë numrin e punonjësve, por tha se ata që nuk i plotësojnë kriteret e mësipërme, do të zëvendësohen. Drejtori i OSSH-së tha se edhe pas firmosjes së kontratës së privatizimit, asgjë nuk ka ndryshuar në punën e kompanisë.

"Puna do të vazhdojë për ndërprerjen e energjisë së çdo konsumatori, i cili lidhet në mënyrë të paligjshme në rrjet dhe nuk merr energji elektrike konform kontratës apo rregullave të përcaktuara nga ERE. Por, marrëdhëniet me konsumatorin do të vënë në provë të gjithë punonjësit e OSSH-së", - tha ai.

Dollapi e konsideroi privatizimin e kompanisë, rezultat të mirëmenaxhimit, përmirësimit të treguesve me uljen e nivelit të humbjeve dhe rritjen e nivelit të arkëtimeve.

"Garantojmë konsumatorët se kompania do të vazhdojë furnizimin pa ndërprerje me energji 24 orë në ditë, se do të vazhdojë investimet për rrjetin e shpërndarjes, ndërprerjen e energjisë për atë që nuk paguan, do të marrim masa ndaj çdo punonjësi që nuk është korrekt për faturimin e energjisë, në përmirësimin e rrjetit apo eliminimin e avarive",- tha ai.


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, brenda tre muajve do të kalojë nën pronësi të kompanisë çeke, CEZ, drejtori i së cilës nënshkroi gjatë javës së kaluar kontratën e privatizimit me ministrin e Ekonomisë, Genc Ruli. Çekët kanë blerë 76% të aksioneve të kësaj kompanie për 102 milionë euro, ndërkohë që miratimi final pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë.


Pak ditë më parë, ministri Ruli tha se qeveria do të kontrolloje rritjen e çmimeve dhe se privatizuesit nuk do t'i lejohet ta rrisë atë më shumë sesa është parashikuar në kontratë.


102 milionë euro është shuma që çekët e CEZ-it kanë paguar për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes

76% të aksioneve të OSSH-së kanë kaluar në pronësi të CEZ-it, e cila pret vetëm votimin në Kuvend

5.5 miliardë lekë detyrime, me vendim qeverie, janë transferuar nga OSSH-ja tek KESH-i

3 do të jenë kriteret, mbi të cilat do të testohen punonjësit: marrëdhëniet me konsumatorin, rezultatet në punë dhe ngritja profesionale


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›