E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektvendimi, mbrojtje financiare dhe personale për gjyqtarët e kriminelëve të rrezikshëm



Komision për shqyrtimin e kërkesave të gjyqtarëve për mbrojtje, roli dhe funksionimi i tij. Si do procedohet për të kërkuar mbrojtje të veçantë nga gjyqtarët e Krimeve të Rënda, por edhe gjyqtarët e gjykatave të zakonshme që kërcënohen për shkak të detyrës, kriteret për të përfituar

Të rrezikuar çdo ditë nga krimi dhe kriminelët apo grupet kriminale që gjykojnë, më në fund për gjyqtarët e Krimeve të Rënda po hapet një dritë jeshile si garanci e jetës së tyre, familjes dhe pronës. Çdo ditë ata përballen me gjyqe bandash kriminale, vrasësish të stërvitur për të kryer krime me pagesë, “killer”-a të bandave dhe organizatave kriminale, kapobanda të bandave famëkeqe të krijuara gjatë trazirave të vitit ’97, apo dhe të pandehur që akuzohen për krime të kryera në kuadër të organizatave mafioze. Dhe, garanci për jetën, pronën dhe familjen e tyre është bërë një projektvendim i Këshillit të Ministrave, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, i cili detajon me hollësi mënyrën se si do të veprohet për sigurimin e mbrojtjes së veçantë personale, familjare dhe pasurore të këtyre luftëtarëve të krimit të organizuar, kur për shkaqe që lidhen me detyrën u rrezikohet jeta, familja ose prona. Por, çfarë parashikon mbrojtja e veçantë personale për këta gjyqtarë? Referuar këtij projektvendimi, me mbrojtje të veçantë personale do të kuptohen masat me karakter organizativ dhe profesional për sigurimin dhe ruajtjen e veçantë fizike, mbrojtjen familjare dhe pasurore të gjyqtarëve, si dhe masat e tjera që lidhen me këtë mbrojtje.

Ngritja e komisionit

Në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi u diskutua rëndësia e projektvendimit të Këshillit të Ministrave “Për mbrojtjen e veçantë personale, familjare dhe pasurore të gjyqtarëve dhe sigurimit të jetës dhe pasurisë së tyre”, vendosi ngritjen e një grupi pune për të relatuar përpara këshillit mbi sugjerimet e nevojshme ndaj projektvendimit të mësipërm. Ndërkohë që pritet të ngrihet edhe komisioni i veçantë për të shqyrtuar kërkesat e gjyqtarëve dhe për përgatitjen e akteve nënligjore për zbatueshmërinë e këtij projektvendimi. Anëtarë të komisionit do të jenë një përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë; një përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë; një përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme; kryetari i gjykatës pranë të cilës ushtron detyrën gjyqtari në rrezik; një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe një përfaqësues i Ministrisë së Financave. Kryetar i komisionit është përfaqësuesi i KLD-së. Në mungesë të kryetarit, anëtarët e komisionit thirren nga personi i autorizuar prej tij, i cili kryeson mbledhjen e komisionit. Masa e shpërblimit të anëtarëve të komisionit ose kur është rasti, i përfaqësuesve të tyre, do të jetë 5.000 lekë për çdo mbledhje. Kërkesa me shkrim për mbrojtje të veçantë i paraqitet komisionit nga gjyqtari dhe përfaqësuesi i Policisë së Shtetit në komision, ose një përfaqësues i autorizuar prej tij.

Kërkesa për mbrojtje

Gjyqtari, i cili kërkon mbrojtje të veçantë, paraqet kërkesë me shkrim pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet e plota të subjektit kërkues; përmbledhje të fakteve dhe rrethanave të cilat përbëjnë rrezik serioz për gjyqtarin, të cilat e detyrojnë atë që të kërkojë mbrojtje të veçante, si dhe burimin e provave ku bazohen ato; si dhe llojin e masës dhe kohëzgjatjen e saj. Kjo kërkesë për mbrojtje i paraqitet KLD-së nga përfaqësuesi i Policisë së Shtetit në komision ose përfaqësuesi i autorizuar prej tij, kur ka të dhëna të besueshme që provojnë se një gjyqtari i rrezikohet jeta, familja ose pasuria. Përfaqësuesi i Policisë së Shtetit në komision njofton menjëherë kryetarin e komisionit, i cili merr masa të shpejta për mbledhjen e komisionit. Kur rreziku ndaj gjyqtarit është serioz dhe i atëçastshëm, përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në komision urdhëron strukturat e Policisë së Shtetit për të marrë masa të menjëhershme që garantojnë jetën, familjen ose pasurinë e gjyqtarit deri në mbledhjen e komisionit. Komisioni, mbas shqyrtimit të kërkesës, vleftëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe disponon, kur është rasti, për vazhdimin e mëtejshëm të tyre. Pas këtyre procedurave, kryetari i komisionit, menjëherë pas marrjes së kërkesës për mbrojtje njofton anëtarët e komisionit për mbledhjen e radhës.

Mbledhja e komisionit dhe roli i tij

Komisioni duhet të mblidhet menjëherë dhe jo më vonë se 48 orë nga paraqitja e kërkesës. Këto mbledhje të komisionit zhvillohen në godinën e KLD-së. Sipas projektvendimit, mbledhjet e komisionit janë të vlefshme kur janë të pranishëm jo më pak se katër anëtarë të tij. Vendimet e tij janë të vlefshme kur miratohen nga të paktën 3 anëtarë të pranishëm në mbledhje. Kur numri i votave pro dhe kundër të anëtarëve të komisionit është i barabartë, gjyqtari përfiton mbrojtjen e veçantë. Komisioni merr në shqyrtim kërkesën e paraqitur dhe kur bindet për nevojën e sigurimit të mbrojtjes për gjyqtarin, shprehet me vendim mbi mbrojtjen e kërkuar. Vendimi përmban masat konkrete të mbrojtjes së veçantë, numrin e shoqëruesve personalë, kur është rasti, afatin brenda së cilës sigurohet mbrojtja, si dhe masa të tjera që lidhen me këtë mbrojtje. Vendimi i komisionit i njoftohet gjyqtarit nëpërmjet kryetarit të gjykatës ku ushtron detyrën dhe strukturave përgjegjëse për mbrojtjen nga përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Komisioni, me kërkesë të gjyqtarit në mbrojtje, mund të vendosë zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat për të cilat është siguruar më parë mbrojtja, vazhdojnë të ekzistojnë edhe mbas përfundimit të këtij afati. Ndërkohë që struktura dhe organika e nevojshme për mbrojtjen e veçantë të gjyqtarëve sipas këtij vendimi, trajtimi financiar, lloji i armatimit dhe i pajisjeve ndihmëse, kriteret e përzgjedhjes së efektivave që ngarkohen me këtë detyrë dhe rregullat për mënyrën e zbatimit të masave, miratohen me urdhër të ministrit të Brendshëm. Por, sigurimi i mbrojtjes së veçantë zbatohet me kërkesë të gjyqtarit në rrezik dhe në rastin e gjyqtarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, sipas kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

Përbërja e komisionit

a) një përfaqësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë;

b) një përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë;

c) një përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme;

d) kryetari i Gjykatës pranë të cilës ushtron detyrën gjyqtari në rrezik;

e) një përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit;

f) një përfaqësues i Ministrisë së Financave.

Kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë

a) kërkesa për mbrojtje të veçantë nga gjyqtari;

b) ekzistenca e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e gjyqtarit;

c) ekzistenca e lidhjes shkakësore midis rrethanave serioze dhe ushtrimit të detyrës nga gjyqtari

Bandat e rrezikshme në gjykim te Krimet e Rënda

Banda e Durrësit

Banda e Lushnjes

Banda e Mirditës

Masakra e Cërrikut

Masakra e Qafë-Gjashtës

Banda e Gaxhait

“Hakmarrja për drejtësi”

Persona të rrezikshëm në gjykim

Alfred Shkurti, alias Aldo Bare

Enver Dondollaku

Fotaq Zaharia

Dritan Rexhepi

Sokol Halilaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›