E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 Marsi i 45-të i Luljeta Bozos



ani jaupaj

Shkallët spirale, brenda godinës së Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, që ta turbullonin shikimin vetëm tek i shihje, Luljeta Bozo i ngjit e i zbret prej 45 vitesh me të njëjtin ritëm. Madje me më shumë energji se atëherë, kur sapo e emëruan pedagoge, me të dal nga bankat e shkollës. Domosdo, punët sot janë aq të shumta sa nuk i lënë asnjë hapësirë të lirë kohe. Bën përjashtim vetëm një orë në drekë, gjatë së cilës Luljeta vrapon në shtëpi (për çka e favorizon edhe vendndodhja fare e afërt me fakultetin) për të konsumuar drekën. Nuk ka lëvizje oraresh, të gjithë studentët e dinë që zysh Luli në orën 13:00 largohet për t’u kthyer sërish pas një ore për pjesën e dytë të ditës. Me një grua të moshës së saj, 67- vjeçare, që mund ta kalojë ditën duke ujitur lulet në kopsht, apo duke bërë pazarin, nuk ka asnjë ngjashmëri. Gjëja më e shtrenjtë për të është laboratori i punës, ku janë të renditura të gjitha mostrat e dherave të tokës, me të cilat studion e ka studiuar që kur i hyri profilit të gjeoteknikës. Hyrja në një laborator gjithnjë të krijon njëfarë distancimi me pjesën tjetër të botës, por ky thuajse të shkëpuste tërësisht. Të gjitha mjetet e punës ishin të panjohura, të gjithë titujt e librave vënë njëri mbi tjetrin në tryezë, dukeshin të shkruar në një gjuhë të panjohur. Efekti padyshim nuk është ky për studentët, asnjëri prej tyre nuk çuditet. I vetmi fakt i befasueshëm për ata e për të gjithë është që si mundet ende Luljeta Bozo të punojë me energjinë e gjithhershme!?
Ajo vetë ia kalon meritat ritmit të punës që e ka mbajtur aq të gjallë, sado që ngarkesa ka qenë gjithnjë intensive. “Kur e bën punën me dashuri e përkushtim, nuk të mërzitet asnjëherë, madje të mban të gjallë. Kërkon gjithnjë të shkosh më tej, të zbulosh gjëra të reja”. Dhe siç duket, të reja gjeoteknika paska pa fund. Jo vetëm se e ka mbajtur të mbërthyer profesoreshën brenda mureve të laboratorit për kaq shumë vite, por edhe sepse pikërisht larmia e saj qenka një tjetër sekret që të largon nga monotonia e ditëve rutinë. Pjesa e parë e ditës u kushtohet e gjitha leksioneve dhe studentëve. Dera e saj qëndronte përherë gjysmë e hapur ngase ishte gjithnjë dikush pas saj që zgjaste kokën për të bërë pyetjen e radhës. Mandej, pas dreke koha studimore është e qetë. Nuk gjendet askush tjetër përveç saj në godinën e fakultetit, kështu që mund të punojë pa u shqetësuar. është larg parafytyrimit të së përditshmes që një grua 67–vjeç, të gjendet fare e vetme në atë godinë plot plane e projekte, duke hulumtuar në studimet e huaja. Literaturat në shqip i kanë shërbyer vetëm për të ngritur themelet. Gjithë rruga e gjatë është ndihmuar nga 5 gjuhët e huaja që ka mësuar në mënyrë autodidakte. Luljeta mban prej vitesh një fletore të vogël në të cilën rendit qëllimet që synon të arrijë në vitin apo muajin në vazhdim. Asgjë në ditën e saj nuk ndodh pa plan. Ndryshe, nuk do kishte arritur t’i botonte të 25 librat profesional mbi të cilat bazohet lënda e ku referohen studentët. Sepse fundja janë pikërisht këta të fundit motivimi më i madh i saj. E bëjnë të ndihet e mbushur, plot dashuri. Sa herë që kthen kokën pas, në vitet e saj të gjatë e të rënduar me plan-projekte, nuk gjen asnjë pishman me veten. Sepse që të thuhet e vërteta e gjitha siç është, lënda e dikurshme ‘baza e themele’ që sot quhet ‘mekanikë dherash’, nuk është nga ato lehtësisht të përballueshmet. Duhen ‘themele’ të forta për ta superuar. Këtë studentët e dinë mirë, por siç ndodh rëndom, pesha e librave, i vishet automatikisht imazhit të profesorit, emrin e të cilit mban. Kjo nuk i jep asaj aspak hije të rëndë, ama një farë stepjeje të gjithë e kanë sa herë që i dëgjojnë emrin. Tani e kanë mësuar edhe taktikën e saj të provimeve me gjithë libra e fletore mbi tryezë, sepse për zyshën, është konfirmimi me gojë përgjigjja përfundimtare. Megjithatë, këto ndjesi janë të prekshme në kohën që ndodhin. Kur kthehen në kujtime, pasi ka kaluar kohë, askush nuk mund t’i kujtojë pa buzëqeshur. Këtë e vërtetojnë të gjitha urimet, telefonatat, e lulet që vijnë në shtëpinë e saj çdo 7 Mars. Dikur, kjo ditë ka qenë më e mbushur, në shtëpinë e saj hynin e dilnin nxënësit njëri pas tjetrit. “Kujtoj një vit kur isha e shtruar në spital në ditën e 7 marsit e nxënësit nuk i linin të vinin të më vizitonin. Kanë ndenjur kanë pritur e më pas kapërcyen gardhin që të mund të vinin të më sillnin bashkë me urimin një tufë me lule dhe një libër”. Por vizitat e tyre në shtëpinë e saj nuk kanë qenë vetëm në ditë të shënuara, dera e Bozove ka qenë gjithnjë e hapur për të pritur e përcjellë këdo për çdo rast. E nëse ky rast ishte sugjerimi për udhëtimin e radhës, edhe më mirë. I ndihmuar nga i shoqi, Todi, që siguronte autobusët e transportit për nxënësit, Luljeta piketonte vendin e radhës për të shkuar. Ishte gjithnjë një vend që t’i shërbente punës e që të mund të shihnin ura të vjetra e të reja, terrenin e punës e gjithë ç’u duhej. Në orët që u mbeteshin do mendonin edhe për të pushuar. Këto udhëtime vazhdojnë ende edhe sot. Luljeta përpiqet që të krijojë kontaktet edhe me vendet e huaja në mënyrë që studentët të shohin e studiojnë më shumë nga sa lejon territori i vendit. Në të vetmen ditë që i mbetet pushim, të dielën, e gjen veten duke udhëtuar për punë. Në rast të kundërt është duke udhëtuar gjithsesi me të shoqin për të kaluar një fundjavë të shplodhur.

Ka të ngjarë që dikur, meqenëse ishin në muajin e tyre, e meqenëse nuk kishte shumë alternative, Mimozat të ishin mundësia më e mirë për tu dhuruar në ditën e mësuesve. Nëse do investohej cca më tepër, lulet mund të shoqëroheshin nga një libër, shami dore, sapun ... Tani tingëllojnë fare të pakuptimta ato shprehitë standarde të mësueseve dikur, se dhurata më e bukur për to ishin rezultatet e mira të nxënësve në mësime. E vërtetë apo jo qoftë kjo, kujtdo i shijon urimi në ditën e tij pavarësisht që ‘rregullat’ kanë ndryshuar. Nga mimozat, sot, ka mbetur vetëm bezdia në bllokimin e trafikut të atyre që i ofrojnë. Dhurata e sotme duhet të jenë kuptimplotë. Me gjithë që duket që ka rënë investimi i kohëve të para kur secili nga nxënësit garonte se dhurata e kujt peshonte më shumë. Vetëm brenda oborrit të shkollës mund të merret vesh ç’bëhet. Sidoqoftë, vlera e një telefonate urimi shumë vite pas largimit nga shkolla, nuk krahasohet me vlerën e asnjë dhurate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›