E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina, nxënësja që i mohuan medaljen e arit



manjola zeka

Ajo tashmë nuk është më vajza e brishtë e gjimanzit “28 nëntori”, por ata duan ta kujtojnë ashtu. E ndrojtur, por siç do të thoshte dikush, “zhivë” në mësime. Të premten ata nuk i morën regjistrat me vete. Të mbledhur të gjithë bashkë, dukeshin sikur ishin në një nga sallat e mbledhjeve. Megjithëse koha ka bërë punën e vet, ata dhe pas shumë vitesh, kujtimin e ruanin të freskët. Shumë prej tyre ishin në gjendje të tregonin dhe me detaje më të vogla, atë që kanë përjetuar vite më parë. E në mesin e tyre qëndronte Ina, një ish-nxënëse e tyre, për të cilën ata ndihen shumë krenarë. është kryetarja e Parlamentit Shqiptar, Jozefina Topalli çoba, e cila zhvilloi ditën e premte një takim të veçantë me mësues nga e gjithë Shqipëria, me rastin e festës së mësuesit, 7 Marsit. Mes tyre ishin edhe mësuesit e saj të dikurshëm, të cilët e thërrasin Ina, ashtu si atëherë, kur ajo ishte nxënëse. Flasin lirshëm, e me humorin që karakterizon shkodranët. Ka mall në bisedat e tyre. Ka disa që kërkojnë dhe leje, pasi thonë se ndoshta nuk dinë t’i lidhin bukur fjalët, por gjithsesi shtojnë se u dalin nga shpirti. Kanë shumë për të thënë. Aty janë të gjithë, që nga mësuesja e fillores, e me radhë, mësuesi i matematikës, mësuesja e gjeografisë, profesori i kimisë, mësuesi i fizkulturës. Duke qënë se lënda e matematikës është dhe më e vështira, dukej se mësuesi i kësaj lënde, është më krenar. Pasi, siç u shpreh ai, në të gjitha olimpiadat e matematikës, Ina shkëlqente, edhe pse iu mohua e drejta e medaljes së arit. Shumë prej tyre thonë se ka qenë e vështirë në atë kohë, që t’i jepnin mbështetjen e duhur, megjithëse nuk kanë ngurruar ta bëjnë. Por ata e dinë se Ina i ka kuptuar fort mirë, qoftë dhe nga sytë, apo dhe nga mimika e fytyrës së tyre. Ata nuk harrojnë të shtojnë dhe diçka tjetër. “Në atë kohë nuk zhvilloheshin mise, por në fakt ajo ishte një miss i pazëvendësueshëm. Ishte një ndër vajzat më të bukura të Shkodrës”. Mësuesja e gjeografisë në gjimnazin “28 nëntori”, Myrvete Kuka, e kujton fare mirë ish-nxënësen e saj. “Ishte një vajzë e brishtë e pambrojtur, që kurrë nuk ia dhanë medaljen e arit, megjithëse e meritonte. Kujtoj një vajzë që rrezatonte edukatë, respekt, dashuri, thjeshtësi me të gjithë nxënësit dhe me të gjithë mësuesit”, thotë ajo. Teksa e shihnin të shkëlqente në të gjitha lëndët, ata besonin se Jozefina, do ecte përpara, por aso kohe, imagjinata e tyre nuk mund të shkonte deri në karrigen e një kryeparlamentareje. “Me thënë të drejtën, gjithmonë kemi menduar se ajo vajzë do të bëhet dikushi, por nuk na e ka marrë mendja kurrë, se do të kishte ndryshim politik, aq të shpejtë. Ndryshimet politike që ndodhën, shpalosën menjëherë të gjithë ato vlera që ajo kishte. Ishte një vajzë që studionte shumë. Ishte një njohëse shumë e mirë e gjuhëve të huaja që në atë moshë. Fliste italisht, anglisht. Ishte një vajzë e rrallë”. Mësuese Myrvetja nuk mund ta fshehë krenarinë që ndjen për ish-nxënësen e saj, me të cilën thotë se vijon t’i mbajë lidhjet. Gjithnjë kujdeset t’i dërgojë një mesazh inkurajimi, për t’i dhënë forcë në rrugën që ajo ka zgjedhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›