7 Marsi, lule dhe vlerësime për mësuesit
Kreu i arsimit gjatë urimit për festën përcjell dhe detyrat për mësuesit. Mësuesit festuan 121-vjetorin e çeljes së shkollës së parë shqipe
Jonida Tashi
Buqeta me lule shumëngjyrëshe, dhurata të ndryshme, puthje dhe përqafime, kjo ka qenë atmosfera e ditës së djeshme në të gjitha shkollat e vendit. Mësuesit dhe nxënësit i kanë harruar në këtë ditë festive zënkat dhe inatet fëminore midis tyre duke u harmonizuar me festën. Megjithëse një ditë me shi, nxënësit kanë rendur të gëzuar në shkollat e tyre me nxitimin për të uruar mësuesin ose mësuesen e tyre të dashur. Ndërkohë, kryefjala e kësaj feste ka qenë pikërisht qyteti i Korçës, vend në të cilin u çel dhe shkolla e parë shqipe më 7 mars të vitit 1887. Të gjithë mësuesit në vend dje kanë festuar ditën e tyre duke kujtuar çeljen e shkollës së parë shqipe. Që nga dita kur në Mësonjëtoren e Korçës u dha mësim për herë të parë në gjuhën shqipe, në Shqipëri festohet çdo vit dita e 7 Marsit si festa e mësuesit, edhe për të kujtuar dhe respektuar të gjithë ata breza mësuesish që punuan dhe ende punojnë në mënyrë të palodhur dhe me shumë përkushtim në punën e tyre të edukatorit.
Përshëndetja
Me rastin e 121-vjetorit të shkollës së parë kombëtare shqipe dhe laike, ministri i Arsimit, Genc Pollo, përshëndeti rreth 36 mijë mësues të arsimit parauniversitar në ambientet e qendrës së kulturës “Pjetër Arbnori”, në një ceremoni festive të organizuar nga Ministria e Arsimit. Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, ministri Pollo tha: “Është gjithmonë një kënaqësi e veçantë të marrësh pjesë e të përshëndesësh në një përvjetor të Mësonjëtores sonë të Parë, përvjetor i Ditës së Mësuesit, të një dite të tillë të shënuar që simbolizon rilindjen e madhe të shqiptarëve, luftën e tyre për identitet kombëtar, për liri dhe progres”. Që nga ai 7 Mars i bekuar i vitit 1887 kanë kaluar plot 121 vjet. Pollo ka rikujtuar se pas kësaj date vijnë vite lufte, vite përpjekjesh, vite mundimi për të lartësuar shkollën tonë, e cila u ndesh qysh në fillesat e saj me përndjekje të mësuesve, burgosje të tyre, madje edhe me humbje të jetës së tyre. Në këtë ceremoni festive merrnin pjesë dhe uruan festën edhe Shefik Osmani dhe Aleko Minga Mësues të Popullit, Dhori Kule, rektor i Universitetit të Tiranës, Ardian Marashi, drejtor i Qendrës Shkencore Albanologjike, si dhe zyrtarë të tjerë arsimorë.
Reformat në arsim
Ndonëse ditë feste, ministri Arsimit ka folur edhe për reformat që janë ndërmarrë në dy vitet e fundit në fushën e arsimit. Ai ka cilësuar si një ndër arritjet e këtyre reformave shtimin e besimit publik ndaj institucioneve arsimore dhe rritjen e pjesëmarrjes në përmirësimet arsimore si dhe pakësimin e dukshëm të korrupsionit në këtë sektor. Pollo ka bërë publike edhe dy objektivat kryesore aktuale në fushën e arsimit: rritjen e përgjegjësisë zyrtare individuale dhe institucionale e kombinuar me shtimin e transparencës ndaj përfituesve të shërbimit arsimor, si dhe menaxhimin mbi bazën e performancës, kryesisht në nivel shkolle, e kombinuar me zgjerimin gradual të autonomisë shkollore.
Realizimi
Sipas ministrit Pollo, për të realizuar dy objektivat e mësipërme duhet të fokusohemi te reformat në nivel shkolle si hallka vendimtare e suksesit të sistemit arsimor. Pas këtyre objektivave, Pollo ka përmendur edhe disa arritje të tjera që janë ndërmarrë në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (SKAP), realizimi me sukses i të cilave kërkon edhe një personel mësimor të përgatitur. Për këtë, kreu i arsimit ka pohuar se krahas dyfishimit të pagave që po shkon drejt realizimit të plotë të tij, duhet të përshpejtohen masat për reformën e zhvillimit profesional të mësuesve nëpërmjet trajnimit konkurrues dhe moduleve të reja trajnuese për të siguruar një zhvillim profesional me etapa të qarta të karrierës së tyre.
Historiku i Mësonjëtores së Korçës
Përpjekjet e përbashkëta nga atdhetarët shqiptarë të Korçës, Bukureshtit e Stambollit për çeljen e një shkolle të rregullt shqipe u intensifikuan në vitet e fundit të shekullit XIX. Ndër intelektualët tanë të njohur në atë kohë përmenden: Naum Veqilharxhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Thimi Marko, Naim e Saim Frashëri, Pashko Vasa, Hasan Tahsini e të tjerë. Drejtuesit e Komitetit Shqiptar të Stambollit u kujdesën në këtë kohë edhe për hartimin dhe miratimin e një alfabeti të përbashkët për të gjithë bashkatdhetarët. Me këtë alfabet, ata botuan librin e parë “Alfabetarja e Gjuhës Shqipe”. Ndërsa në Korçë, nën drejtimin e Komitetit Kombëtar, ishin marrë të gjitha masat nga atdhetarët vendas për çeljen e shkollës së parë shqipe. Kështu, më 7 Mars 1887, u çel shkolla në gjuhën amtare, e cila kishte fillimisht mbi 35 nxënës. Megjithëse edhe më parë ishin bërë përpjekje për çeljen e shkollave shqipe, shkolla e parë e Korçës dallohej për fizionominë e saj kombëtare, laike dhe demokratike. Në të mësimi zhvillohej vetëm shqip, nuk kishte përmbajtje fetare dhe në të mësonin djem e vajza pa asnjë dallim. Në fillim kjo shkollë kishte katër klasa, numri i nxënësve pas tre muajsh arriti në 60 dhe në vitin e dytë të saj në 300 nxënës. Mësuesit e parë që dhanë mësim në këtë shkollë ishin Pandeli Sotiri, Thanas Sina e Thoma Avrami. Si drejtues të shquar të kësaj shkolle përmendim atdhetarët e njohur: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Janko Minxha, Kristaq Vaja etj.
Urimet
Kryeministri Berisha priti dje në një takim një grup mësuesesh dhe mësuesish të shkollave të Tiranës me rastin e ditës së 7 Marsit. Duke vlerësuar rolin e mësuesve, kryeministri Berisha theksoi se ata janë njerëzit më të rëndësishëm jashtë familjes për fëmijët tanë.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vizitoi me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit, ish-Normalen e Elbasanit, sot shkolla e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. Topalli tha: “Unë jam e nderuar që jam në ish-Normalen e Elbasanit, e cila është e mirënjohur”.
Drejtoresha e shkollës, Dhurata Valera, u shpreh se ndihej shumë e nderuar që për herë të parë në historikun e kësaj shkolle kjo vizitohet nga një kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. “… E cila për ne është jo vetëm modeli i gruas së arrirë në politikë, por i politikanes së angazhuar”.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, falënderoi kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për vizitën në ish-Shkollën Normale, në respekt të mësuesve dhe të rolit të tyre fisnik. Ai tha se do të mbështesë me të gjitha përpjekjet realizimin e ndërtimit të një obelisku për arsimin në Elbasan.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka uruar dje me rastin e festës së 7 Marsit të gjithë arsimtarët në Shqipëri dhe në Kosovë. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim sot, në ditën e 7 Marsit, u dërgojmë urimet më të ngrohta dhe më të përzemërta”, - tha Meta.
Gjirokastër, vlerësohen 60 mësues me titullin “Andon Zako Çajupi”
Bashkia e qytetit të Gjirokastrës ka vlerësuar me titullin “Andon Zako Çajupi” 60 mësues të rrethit të Gjirokastrës, me motivacionin: “Për punë të palodhur, këmbëngulje, pasion e fantazi në ngritjen cilësore të mësimit dhe edukimit në rrethin tonë”.
Durrës, vlerësohen 10 mësuesit më të mirë të rrethit
Me rastin e 7 Marsit në Durrës u organizua një ceremoni festive në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Bashkë me mësuesit, në ceremoni morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Seid Kërtusha, kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, etj. Gjatë kësaj ceremonie u shpallën 10 mësuesit më të mirë të rrethit gjatë këtij viti shkollor.
Korçë, ekspozitë fotografike dhe dokumentare
Dita kombëtare e arsimit shqip, që në qytetin e Korçës simbolizohet me Muzeun e Mësonjëtores së parë shqipe, është përkujtuar në 121-vjetorin e festës së saj, me një sërë aktivitetesh historiko-artistike. Në prani të mësuesve, nxënësve, qytetarëve korçarë dhe mjaft drejtuesve të pushtetit lokal, u çel për herë të parë ekspozita me materiale dokumentare të shkollave të para shqipe në vendin tonë.
Kukës, festohet 7 Marsi i parë edhe me arsim të lartë
Festa e mësuesit këtë vit ka qenë e veçantë për qytetin e Kukësit. Është 7 Marsi i parë që mbyll ciklin e plotë të zhvillimit të arsimit dhe që e gjen qytetin edhe me sistemin e arsimit të lartë universitar, publik e jopublik.
8 Marsi, sot festa e gruas
Dita e sotme do të risjellë edhe një herë në pah rëndësinë e gruas për shoqërinë. Të gjitha nënat janë në vëmendje të familjarëve dhe rrethit të tyre shoqëror. Gazeta “Albania”, duke iu uruar festën e 8 Marsit të gjitha grave, sjell në numrin e sotëm disa nga thëniet më të bukura për gruan që u përkasin autorëve të mëdhenj.
Thëniet më të bukura nga autorë të mëdhenj
Afërsi
“Ashtu sikurse në të gjitha rrethanat e fatit tim të ndryshëm, unë të kam qëndruar gjithmonë njëlloj afër për të të ndihmuar, ashtu do të vazhdoj, nëna ime, derisa të kem jetë e kujtesë. Qëllimi im i shenjtë dhe bekimi yt do të më ndihmojnë”.
Ugo Foskolo
Bukuri
“Jo gjithmonë koha bukurinë e fshin apo e prekin lotët dhe jeta plot mundim. Nëna ime gjashtëdhjetë vjeç ka mbushur e sa më shumë e shoh, më shumë më duket më e bukur”.
Edmond De Amiçis
Devocion
“...Të falënderoj ty, nëna ime e ëmbël, që ke udhëhequr të gjitha gëzimet e mia dhe ke vuajtur për të gjitha hidhërimet e mia, që ke studiuar, je munduar, ke qarë bashkë me mua, duke më ledhatuar me njërën dorë ballin dhe me tjetrën duke më treguar qiellin”.
Edmond De Amiçis
Emër
“Asnjë fjalë nuk është më e bukur. E para mësohet, e para që kuptohet dhe që duhet...dhe edhe po të bëhemi pleq, si do ta quajmë nënën më plakë se ne? Nënë. Nuk ka një emër tjetër”.
Marino Moreti
Keqardhje
“Po të ishte këtu nëna ime, do të ishte mbrëmja që do të guxoja ta merrja mbi gjunjë. Sepse nënës i kanë dalë tashmë flokë të bardha në kokë dhe i biri ende nuk e ka marrë mbi gjunjë”.
Dino Garrone
Mirësi
“Shumë e shtrenjta nënë, ..nuk mund ta marrësh dot me mend se sa gjëra kujtoj unë, në të cilat ti shfaqesh gjithmonë si një forcë mirësie dhe plot dhembshuri...
Antonio Gramshi, Letra nga burgu
8 Mars 2008