E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadareja dhe dosjet e spiunazhit në Ministrinë e Brendshme

Roland GJOZA
Në vitin 1995 më thanë të shkruaja skenarin për një film dokumentar për letërsinë dhe artet në diktaturë. “Meqenëse ke qenë vetë i burgosur, kam besim se do ta qash”, - më tha drejtori, një ish-komunist. S’kisha qenë i burgosur, por nuk i thashë gjë. Prandaj më kanë marrë në televizion, - mendova, - kanë kujtuar se kam qenë i burgosur. Nuk mund ta humbja këtë rast. Do të hyja në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Aty ishin dosjet. Të mbyllura. Të harruara. U ishte vënë dylli i kuq i sekuestros. Jetë të sekuestruara, ndoshta përgjithmonë. Ndjeva rrëqethje, frikë, sepse mund të shikoja ndonjë emër të dashur si deponues, që kishte nxirë ndonjë recension kundër shokut, thjesht mund të zbuloja ndonjë spiun. Shkrimtar spiun? Se si më dukej, gati e pabesueshme. Në atë kohë, një shkrimtar që e doja, Kasem Trebeshina, shkruante se Kadareja e ka pasur pseudonimin “Gjenerali”. Një nga punonjësit e arkivit, një ish-aktor, qeshte me mua. “Pse të duket e çuditshme?! Këtu ç’nuk gjen. Të del kallëp kapaku i kokës. Unë jam mësuar. Kë do të parin?” “Mitrush Kutelin”. “I shkreti Kutel”, - tha aktori. “Të pëlqen?” “I mrekullueshëm”, - i thashë. Më dridheshin duart kur hapa dosjen, me ngjyrën e gjakut të shpëlarë. O Zot, pse i mundon kaq shumë shkrimtarët? Mitrush Kuteli kishte studiuar në Rumani për ekonomi. E kishin mobilizuar në kohën e Luftës së Dytë Botërore në Armatën e Hekurt të Mbretit. Ishte një armatë antikomuniste. Kishte sabotuar me dinarin jugosllav në favor të lekut shqiptar, kur duhej të bënte të kundërtën, se ashtu ishte konjunktura. Shkrimet e tij nuk kishin frymë partie. Në burg kishte tentuar të priste damarët e duarve. Pra e kishin dënuar fare kot. Bëra kryqin. U fala për shpirt të të ndjerit. Dosja tjetër ishte e Patër Anton Harapit. Kishte qenë në qeverinë kuislinge bashkë me Ernest Koliqin. Nuk pranoi asgjë në gjyq. Vetëm tha se kishte hapur me Koliqin edhe në Kosovë mbi 140 shkolla. Dijetar i madh, publicist i shkëlqyer, burgosur e vrarë pa fakte. Po e shtyja dosjen e Trebeshinës. Poeti i shquar dhe përkthyesi i shkëlqyer i Pushkinit, Eseninit, Turgenievit, Jorgo Bllaci, i dënuar fare kot. Visar Zhiti, i njohur si poet modern, nuk kuptohej pse ishte dënuar. Recensat ishin shkruar nga kritikë dhe poetë të njohur. Po e shtyja dosjen e Trebeshinës, as unë nuk e di përse. Më në fund i thashë mikut tim të ma sillte. E doja Trebeshinën, më pëlqente ai shkrimtar që kishte shkruar aq shumë, por që kishte mbetur i panjohur. “Odin Moldvalsen” ishte Oruelliane. E shkruar në vitet ‘50. I dënuar tri herë. I kishte kërkuar partisë t’i ndërronte nënshtetësi, ndoshta t’i jepnin një pasaportë zvicerane. Aty gjeta Promemorjen dërguar Enver Hoxhës në vitet ‘50. Librat i shkruante në shqip dhe anglisht në disa kopje dhe i shpërndante nëpër kushërinj për t’i ruajtur (këtë e mësova më vonë). Ai kishte thënë në një emision televiziv “Disidencën e heq si një xhaketë dhe e var diku, kush të dojë le ta marrë. Unë jam shkrimtar”. Për romanet e Trebeshinës kishte disa recensione, por askund nuk figuronte emri i Kadaresë. Për dramat dhe poezitë gjithashtu, po në asnjë rresht nuk e gjeta emrin e Kadaresë. Më vjen keq të pohoj, po aty kishin nënshkruar shumë emra të njohur që sot janë deputetë, shkrimtarë të njohur. Kam frikë, i dashur Trebeshinë, se ky është një keqkuptim. Pata rastin të hapja shumë dosje shkrimtarësh dhe artistësh të dënuar dhe të shikoja me dhimbje emrin e ndonjë shkrimtari të mirë që kishte përfituar pa të drejtë nga demokracia. Ata nuk u treguan të sinqertë, nuk kërkuan falje. Në disa dosje lexova i tronditur si e shtynin të akuzuarin të tregonte ç’kishin biseduar me Kadarenë. Emrin e Kadaresë e ndesha vetëm si një armik të kamufluar, që do t’i vinte dita për t’u përgjigjur për “krimet” e rënda ideologjike në dëm të partisë dhe pushtetit popullor. Në një dosje gjeta shkresën që dënonte me masë ekstreme piktorin Maks Velo. Atë e kishte nënshkruar kryetari i Lidhjes. Të gjithë artistët dhe shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, që futeshin brenda e kishin nga një shkresë të tillë si pullë poste, për ta bërë më të motivuar, të prekshme e emocionale rrasjen në burg. Shumë veta mund të thonë: “Ashtu ishte koha, e detyronin, se ndryshe e pësonte”. Është e vërtetë. Por nuk u kërkohet ndonjë gjë e tmerrshme, vetëm një falje publike. Ta pranojnë që e kanë bërë. Edhe po s’e bënë, s’ka gjë, se njeriu rron me shpresë dhe harresë. Le të bëhemi pacifistë, të falim ne. Në vitet ‘70, më sollën fshehurazi nga Kosova “Panteoni i rralluar”, i Rexhep Qosjes. Në libër, Kadare cilësohej ushtar në kritikë dhe kolonel në prozë, ndërsa Migjeni, një autor përgjysmë, me një prozë që arrin deri te skica, ende jo në atë gjendje sa për t’u marrë në konsideratë. I pëlqyeka mendja e vet, - thashë. Po si intelektual, studiues dhe kritik e respektonim të gjithë. Qosja m’u kujtua pikërisht në arkivën sekrete, nuk e di pse, ndoshta nga mendësia e tij disi e konservuar, e pandryshuar. Kadareja mbron prejardhjen tonë kristiane, europiane, ndërsa Qosja niset nga fakti kokëfortë aktual, ç’jemi realisht dhe a ka rëndësi kaq të madhe feja? Kjo më kujtoi një rast në fshatin “shtet” Lazarat, ku po xhironim një dokumentar. Kërkuam historianin e fshatit. Çdo fshat e ka një historian. Ai erdhi, na çoi në një kullë 300-vjeçare dhe në mes të tjerave na tha se të parët e fshatit ishin të krishterë. Dhe na këndoi një këngë, ku përmendej Zoti Krisht. Disa djem të rritur të fshatit na thanë të mos ia vinim veshin historianit se lazaratasit ishin myslimanë dhe pikë. Kur i përmenda emrin e krishterë të fshatit, “Lazar”, njëri prej tyre më kërcënoi: “Mirë, mirë, vëreni ashtu, por do t’jua djegim filmin”. Kadareja duket rrallë në Bulevardin e Madh. Thonë se udhëton shumë. Tani s’ka më Broduei, por Bllok. Atje e ka shtëpinë Kadareja. Një pjesë e madhe e duan, një pjesë tjetër nuk e shohin me sy. Të gjithë e “përdorën” me sekretarë të parë, presidentë, kryeministra, e “përdori” edhe kombi dhe të gjithë u treguan mosmirënjohës. Kadare rri në miqësinë e shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës sonë, kandidatë për çmimin Nobel, Filip Roth, Don Dëlillo, Paul Auster, Mario Vargas Llosa, Milan Kundera, Uilliam Trevor, E.L.Doctorow, Margaret Atwood, Martin Amis, Ian McEwan, Antonio Tabuchi, Joycw Carol Oatës. Sa keq! Broduejsët janë rregulluar me dyqane, restorante, bare, piceri dhe nuk kanë më kohë të lexojnë. Por më të rrallë pyesin: “Ka shkruar ndonjë gjë të re Moli? Ishte miku ynë i panjohur, që na dha zemër të mbeteshim broduejsa. Të presim Kadare, bashkë me Elenën, kemi dhe si ajo vera e Burgonjës për miq të rrallë si ty. Të presim!”

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›