Si ka ndryshuar moda deri te tendencat aktuale
Nga viti 2000 femrat vijnë më femërore, duke mbartur hije intelektuale. Mashkulli trasgresiv, playboy, i bukur, me gjurmë nga motivet kineze e indiane
Merita TOÇILA
Në çdo kohë njerëzit nuk kanë qenë indiferentë ndaj paraqitjes së jashtme. Dhe kjo shihet shumë qartë nga të gjitha dokumentet etnografike, materialet e shkruara (studime, letërsi artistike) apo pikturat e trashëguara ndër vite, për të kuptuar se një veshje është pasqyra e epokës së vet dhe e jetës sociale të njeriut. Në të gjitha periudhat qepja është quajtur artizanat, krijuesi i veshjeve rrobaqepës dhe ata me më shumë përvojë quheshin “mjeshtër”. Vetëm shtresat e larta kishin privilegjin të mbanin rrobaqepësin e tyre, të cilin e vendosnin me banim në oborr dhe ai shërbente për të gjithë dinastinë. Veshjet nuk pësonin ndryshime të rëndësishme nga shekulli në shekull dhe rrobaqepësit lëviznin në krijimtarinë e tyre brenda kuadrateve të caktuara. Vetëm në fillim të shekullit XIX ndodhi revolucioni i veshjeve, si i atyre të burrave, ashtu dhe për veshjet e grave, më tepër te këto të fundit. Në fillim të shekullit XIX rrobaqepësi nuk ishte më një shërbëtor i kodeve borgjeze, por një krijues dhe këshillues i mirë i shtresave të larta dhe me kalimin e viteve roli i tij sa vinte e rritej. Ai nuk ishte më një artizan në shërbim të klientëve, por bënte pjesë në botën e tyre, duke bërë dhe rolin e estetistit, duke ndikuar në mënyrën e veshjes, komportimit, edhe te ata për të cilët nuk krijonte në mënyrë të drejtpërdrejtë. Krijuesi i modës arriti të imponohet si artist i luksit dhe moda nuk shërbente më për të ngritur vlerat e veshjes tradicionale, por për të krijuar të renë dhe modernen. Deri në atë kohë çdo veshje bëhej vetëm në bazë të disa provave mbi trupin e klientit dhe pastaj përfundonte. Në fund të shekullit XIX lindën veshjet e para të gatshme dhe dyqanet e para. Moda nuk ishte më vetëm pjesë e industrisë së konsumit, industrisë së veshjeve, por pamja më shkëlqyese e kësaj industrie. Fillimi i shekullit XX u shoqërua me emancipimin e trupit femëror, lindjen e veshjeve për një kategori të re “të rinjtë” dhe rritjen e industrializimit. Pas përfundimit të dy luftërave botërore ndryshuan situatat ekonomike dhe politike, ndryshuan pozicionet e femrave dhe të meshkujve, duke ardhur dekadë pas dekade duke u forcuar më tepër ky ndryshim, me lëvizjet për barazi dhe rolin që po merrte gruaja në shoqëri. Përballë përgjegjësive të reja gruaja dëshiroi dhe mirëpriti ndryshimet e një stili të ri jete. Kjo manifestohej dhe me ndryshimin e veshjes së saj duke pranuar veshjet e mjeshtërve më me emër për një siluetë djaloshare. Fustanet u shkurtuan, jakat u bënë dekolte edhe në shpinë, linjat u bënë më pak të theksuara dhe korseja u braktis përfundimisht. Të makijuara, me veshje me pantallona, flokë të shkurtra, këpucë me taka, stofra të shtrenjtë, veshje sport, gruaja nuk ishte më një ikonë e mbyllur, por ajo shkon në punë, nget makinën, del vetëm, pi alkool, pi duhan, kalon një pjesë kohe në lokale, bën një jetë aktive. Dhe është logjike që veshjet e mbyllura izoluese nuk bënin më, duheshin veshje që t`i jepnin trupit të saj liri, të sillnin veprim. Gruaja shihet si e barabartë me burrin dhe do ta manifestojë këtë dhe në veshje. Ajo nuk do të shihet më si objekt, por si subjekt. Vitet `60 janë treguesi më i qartë i marrëdhënies midis ndryshimeve që pësonte shoqëria e sapodalë nga Lufta e Dytë Botërore dhe ndryshimeve të veshjes. Tronditjen që solli shpikja e bikinit nuk e solli as shpërthimi i bombës atomike. T-shirt-i, veshjet e lëkurës dhe xhinsit, novacioni i këtyre viteve, e patën fillimisht shumë të vështirë hyrjen në tregun e shitjes, mbeteshin nëpër dyqane pa u blerë, por mjaftoi përdorimi i tyre në film nga aktorë të shquar, që gjithë rinia t`i kërkonte dhe t`i përdorte. Ishte pra kinemaja që solli përdorimin masiv të tyre. Pasi Xhejms Din veshi t-shirt dhe Marlon Brando mbajti lëkurë me pantallona xhins, rinia filloi të vishej në atë mënyrë duke përmbysur përgjithmonë rregullat e hershme të veshjes. U zhvillua atëherë moda “prêt a porter” (e gatshme për t`u veshur), moda e industrializuar. Veshjet u kthyen në prodhime serie. Lindën materie të reja dhe kjo solli teknologji të re; u zhvillua industria e tekstileve dhe u perfeksionua teknika e dizenjimit të pëlhurave. Evolucioni solli dhe ndryshimin e segmenteve të tjera të shoqërisë. Gratë e moshës së mesme e kthyen vështrimin drejt veshjeve për të rinj, për t`u dukur më të reja. Shpërndarja në masivitet i pantallonave për femra solli ndryshimin e kostumit të burrave. Pjer Kardë hodhi në treg përdorimin e xhaketës me t-shirt ose jakë golf duke e parë të pamundur më mbajtjen e kravatës. Bluzat dhe xhinset mbahen masivisht jo vetëm nga punëtorët, por nga të gjitha shtresat, nga burrat dhe gratë. Shoqëria u bë uniforme, duke humbur individualitetin. Dallimi midis klasave sociale dhe midis burrave dhe grave është prishur prej një rinie që imponon një tjetër lloj dallimi: moshën. Kështu, në vitet `60 veshja u kthye në një vektor tregues mbi përkatësinë në shoqëri dhe evolucioni i saj ilustron modifikimet e thella të një shoqërie që tërhiqej nga një rini e etur për ndryshime. Ranë tabutë, iu la fushë e lirë një mënyre jetese që shkonte në koherencë me veshjet e reja: këmbë të zbuluara, këmisha transparente, pantallona femërore. Që nga fundi i viteve `60 këto veshje mbeten ende në grupe të shpërndara deri në fillimin e viteve `70, kur u bënë masive. Vitet `60 ishin vitet e tronditjes dhe moda e re gjeti stilistë të gatshëm të hidhnin në treg prodhime duke iu përshtatur nevojave të tyre. Për herë të parë u përdor termi “stilim” dhe krijuesit morën emrin “stilistë” nga rrobaqepës që quheshin më parë. Dhe në vitet `70 u quajtën “krijues” duke hedhur në treg dhe markën e tyre. Disa prej tyre vazhdojnë veprimtarinë edhe sot. Izi Mijaki, Mishel Klajn, Kenzo, Sonia Rykiel formuan gjeneratën e re të krijuesve duke sjellë modele krejtësisht të reja. Gjenerata e dytë me Zhan Pol Goltie e vazhdoi me organizimin e sfilatave spektakolare. Disa stilistë i propozuan publikut veshje të përziera me teknologjinë dhe kjo erdhi në një kohë kur para modës shtrohej ideja jo më e ndjekjes, por e gjetjes së ideve të reja dhe në funksion të çdo individi. Ajo që paralajmëroi “Vogue” në një shkrim kishte ndodhur: “Nuk ka më asnjë rregull në lojën e modës” Ashtu si në art dhe moda filloi të degëzohet. Një vizion ishte kthimi tek natyra, artizanati ose romantikja duke sjellë një formë të re bukurie dhe një tjetër perceptim estetik. Në vitet `90 pati një përzierje stilesh dhe riardhje të modës së shkuar me një frymë të re. Kjo përzierje stilesh gjendet gjithandej dhe në çdo krijim stilisti. Kjo vazhdon dhe në vitet 2000, ku tashmë rregullat përfundimisht janë të thyera. Ka krijimtari nisur mbi atë çka është krijuar më parë duke i shndërruar sfilimet në shfaqje artistike. Femra vjen femërore duke mbartur hije intelektuale dhe ka emancipim të trupit mashkullor: mashkulli vjen trasgresiv, playboy, i bukur, me gjurmë nga motivet kineze apo indiane, mashkull që shfaqet me kanotiere, me të mbathura; veshje që u shkojnë dhe u bëjnë të gjithëve. Është e kuptueshme se edhe moda si të gjitha degët e tjera të artit ka patur kthimet dhe revanshet e veta, por megjithatë mbetet një ndër fushat që është në lëvizje të vazhdueshme dhe në ndryshim të përhershëm, sepse moda reflekton zhvillimet e shoqërisë, ligjet e ekonomisë dhe ngjarjet politike. Ajo është pasqyra e kohëve dhe veshjet janë gjurmët e historisë. Siç avancon koha, zhvillohet dhe individi dhe me gjithë lëvizjet nuk jemi në gjendje të japim një përcaktim mbi atë që do të ndodhë më pas, sepse nuk japim dot një konkluzion për të tashmen. Mund të thuhet që krijuesit kanë një kontroll më të pakët mbi imazhin e shoqërisë në krahasim me të kaluarën, por mund të thuhet edhe se firmat kanë një influencë shumë të madhe. Të dyja mund të jenë të pranueshme. Është gjithmonë e vështirë analiza e një kohë në të cilën jetohet, për më tepër kur bota sa vjen e bëhet më e vogël me zhvillimin e teknologjisë. Por, duke u nisur nga e kaluara dhe mbështetur mbi të tashmen, mund të thuhet se thjeshtësia në formë dhe ngjyrë do t`u paraprijë viteve që vijnë.
8 Mars 2008