Partizani: “Besëlidhja? Asnjë kompromis!”
Faza e tretë do të nisë me një minutë heshtje, si homazh i 16 viktimave të tragjedisë së liqenit të Farkës, kur kanë mbetur edhe 11 javë për t’u luajtur nga përfundimi i Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit. Të shtunën do të luajë një nga pretendentët për titull, Partizani, në një sfidë jo të lehtë, kundër një Besëlidhjeje që në drejtimin e Ilir Gjylës ka marrë katër pikë në dy ndeshjet e fundit, por që nuk njeh humbje në katër ndeshjet e fundit. Formacioni i kuq i Hasan Likës nuk ka humbur asnjë nga 11 ndeshjet në shtëpi, dhe skuadra që ka shënuar më shumë gola në kampionat (34 gola në 22 javë) ende e ruan të freskët atë fitore 4-0 ndaj lezhjanëve në “Qemal Stafa”, ndaj skuadrës së dytë që ka pësuar më shumë gola (39) pas Skënderbeut (51), por dhe që e ndan një diferencë prej 22 pikësh pas 22 javëve. Fitorja e thellë 4-1 e Partizanit ndaj kampionëve në fuqi dhe ajo befasuese e Besëlidhjes ndaj kampionit të dy sezoneve më parë, Elbasanit në “Ruzhdi Bizhuta” i jep më shumë grintë sfidës në impiantin kombëtar, aq më tepër që Partizanit i mungojnë dy nga lojtarët më në formë, Elis Bakaj dhe Blendi Shkëmbi.
Edhe Besëlidhja (mori shpërblimet e fitores me Elbasanin) ka dy titullarë të skualifikuar: Dragan Miçiç dhe Emin Baliç. Takimi i tretë sezonal dhe i 45-ti historik midis Partizanit e Besëlidhjes (direkt në Televizionin Vizion Plus) do të drejtohet nga laçiani Sokol Çekaj, i ndihmuar nga Mali e Mustafaraj. Në 44 ballafaqimet midis tyre, 26 fitore i përkasin Partizanit dhe vetëm 4 Besëlidhjes (e fundit gati 13 vjet më parë, në shtator të vitit 1995). 14 takime janë mbyllur në barazim (golat: 62-17).
Kategoria Superiore
Java 23
E shtunë, 8 mars 2008
Partizani-Besëlidhja (15:00)
Gjyqtar: S. Çekaj,
Vllaznia-Teuta (15:00)
Gjyqtar: E. Peza,
Besa-Kastrioti (15:00)
Gjyqtar: P. Lapi,
Tirana-Flamurtari (15:00)
Gjyqtar: A. Janku,
Elbasani-Shkumbini (15:00)
Gjyqtar: S. Velçani,
E diel, 9 mars 2008
Dinamo-Skënderbeu (15:00)
Gjyqtar: L. Jemini,
Kategoria e Parë
Java 22
Skrapari-Dajti (Sino)
Ada-Erzeni (Beqiri)
Burreli-Pogradeci (Disha)
Bylis-Tepelena (Metohia)
Sopoti-Bilisht S. (Latifi)
Gramshi-Turbina (Lleshi)
Naftëtari-Laçi (Meta)
Luftëtari-Lushnja (Breshani)
Apolonia-Tomori (Abeshi)
Vllaznia: “Me Teutën të bëjmë tre”
Vllaznia e vendit të tretë (me pikë të barabarta me Besën, nga 35) pas sfidave të dyfishta me kavajasit: në kampionat (humbi 1-0) dhe në Kupë (barazoi 2-2), e sheh Teutën si mundësinë më të mirë për të mos u larguar nga objektivat europianë, aq më tepër që skuadra shkodrane do të luajë në shtëpi, atje ku dhe formacioni i Mirel Josës shprehet plotësisht. Normaliteti është rikthyer plotësisht në shtëpinë kuqeblu dhe rikthimi i kosovarit potent Ilir Nallbani i jep më shumë besim ish-trajnerit të Tiranës për të siguruar tri pikë të rënda kundër formacionit të Kristaq Miles, që ka si objektiv luftën për mbijetesë.
Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, “dekani” i presidentëve, për shkak se ka më shumë kohë se cilido president tjetër në drejtimin e një skuadre, 11 vjet, shpreson se barazimi 1-1 në Elbasan në Kupën e Shqipërisë do të pasohet nga një tjetër pikë në Shkodër. Por statistikat sezonale kanë një kontrast të dukshëm pro shkodranëve. Në takimin e fazës së parë Vllaznia fitoi 3-0 (tripletë e Sinanit, golashënuesit më të mirë sezonal, 14 gola), ndërsa në fazën e dytë takimi u mbyll po me fitoren e shkodranëve: 2-0 (gola të Xhevair Sukaj dhe Albert Kaçit).
Ky është edhe takimi i 140-të midis dy ekipeve. Në 139 të parët, Vllaznia ka regjistruar 30 fitore me shumë se Teuta (67-37) ndërsa 35 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Mema i “sëmurë”, Flamurtari kërkon pikë
Sulejman Mema është duke e menduar jo pak për ndeshjen kundër Flamurtarit, jo vetëm sepse është takimi i parë në kampionat pas humbjes shkatërruese me Partizanin (1-4), por edhe se skuadra vlonjate me fitoren 1-0 në javën e parë të sezonit, nisi edhe shkatërrimin e kampionëve në fuqi, që solli më pas tri javësh edhe shkarkimin e një tjetër Sulejmani, Starovës, nga bankina bardheblu. Mema, pas fitores 3-0 në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë me Kastriotin, ka një ekip të përgjysmuar nga dëmtimet e pezullimet, përballë një Flamurtari ambicioz e me një javë të plotë kohe për të përgatitur sfidën. Tirana nuk do të ketë përveç Mukës, Sefës, Çapjes (të dëmtuar), edhe Klodian Duron, Lorent Mohelebin (të pezulluar), ndërkohë që jo të rikuperuar plotësisht janë edhe Gentian Hajdari, Berat Hyseni e Erion Xhafa. Te Flamurtari rikthehen Beqiri e Guga. Takimi i fundit në kryeqytet u fitua nga Tirana 2-0, por goli i dytë i shënuar me penallti nga Klodian Duro prodhoi shumë polemika dhe akuza nga drejtuesit vlonjatë. Përsa u përket përballjeve historike, Tirana është dukshëm “mbipeshë”: 65 fitore për bardheblutë, 29 fitore për kuqezinjtë vlonjatë dhe 22 barazime.
8 Mars 2008