Roald Halimi, një shqiptar kampion në Itali
Luparense fitoi vjet kampionatin dhe këtë vit Kupën e Italisë në “Futsal”. Durrsaku 19-vjeçar dallohet edhe pse Luparense ka 10 lojtarë brazilianë
Dash Frashëri
Një shqiptar, kampion në Itali në futbollin në sallë. Është fjala për Roald Halimi, lojtarin e Luparenses, kampiones së minifutbollit në vendin fqinj. Luparense, edhe pse është një ekip i qytetit të vogël San Martini di Lupari në rajonin e Padovas, konsiderohet si një prej klubeve më të rëndësishme të futbollit në sallë në Itali.
Durrsaku Roald Halimi (19 vjeç), i cili luan në pozicionin e anësorit të Luparenses, është edhe një nga futbollistët më të talentuar të “calcio a 5” dhe arrin të dallohet në një skuadër ku në gjirin e saj ka 10 lojtarë brazilianë, një paraguajan dhe vetëm katër italianë. Në xhiron kualifikuese të “Futsal Cup” (ekuivalente e Ligës së Kampioneve) gjatë këtij edicioni, Halimi shënoi edhe golin e parë ndërkombëtar, kur Luparense fitoi 8-0 në transfertë kundër moldavëve të Camelot Chisinau, takime të luajtura këto në shtator të vitit të kaluar më Baku të Azerbajxhani.
Kombëtarja e Shqipërisë e minifutbollit para pak ditësh bëri një paraqitje dinjitoze në grupin e saj eliminator të Kampionatit Botëror “Brazil 2008”, ku spikati mbi të gjitha fitorja kundër Greqisë 7-6, por edhe ajo kundër Maltës (2-1) organizatore e ndeshjeve në grup. Humbja 2-0 me Slloveninë ishte e pranueshme, kjo për vetë vlerat që ka futbolli në sallë në vendin verior ballkanik.
Trajneri Edi Martini grumbulloi 12 lojtarë për kualifikueset e Maltës: Hektor Psatha, Artan Qopeku, Alban Volumi, Karlo Kalus, Zamir Lumanaj, Fisnik Bllaca, Dorian Dajko, Rama, Admir Mehja, Drian Jahaj, Ardi Behari.
Në fakt, emri i djaloshit Halimi është thuajse i panjohur në ambientet shqiptare të minifutbollit, pasi pa dyshim presidenti Alfred Zijai dhe trajneri Edi Martini do të bënte ç’është e mundur për të thirrur një kampion në Itali, me një eksperiencë të çmuar ndërkombëtare, ku Halimi ka luajtur kundër ekipeve të tilla si Dinamo e Moskës (kampione në fuqi e Europës) apo Benfikës në “Fazën e elitës” (faza e grupeve në Ligën e Kampioneve).
Halimi është shpallur kampion në Itali me Luparense në Seria A1 të minifutbollit për sezonin 2006-2007 dhe po në vitin 2007 fitoi edhe Superkupën e Italisë. Gjatë vitit 2008 Halimi me skuadrën e tij fitoi Kupën e Italisë. Trajneri spanjoll i Luparenses, Jezus Velasko, gjithmonë është shprehur në mediat italiane për vlerat lojtarit shqiptar.
Luparense kryeson renditjen e Serisë A1 me 46 pikë, e ndjekur nga Montesilvano me pesë pikë më pak, kur në vendet e fundit ndodhen ekipe me emër të madh në Itali, si Napoli e Roma. Luparense fitoi me Romën 9-4 dhe Halimi, si zakonisht, ishte ndër titullarët e skuadrës së Velaskos. Nga Luparense ishin katër lojtarë në Kombëtaren e Italisë në eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2008”.
Skeda
Roald Halimi
Vendlindja: Durrës, Shqipëri
Datëlindja: 01.07.1998
Skuadra: Luparense, Itali
Roli: Anësor
“Er-Bomber” si “minatorët”, kërkon golin e 20-të
Erion Bogdani në kërkim të golit të 20-të në Serinë A. E diela në Serinë A ka një shije të veçantë për dy nga katër lojtarët shqiptarë që janë pjesë e skuadrave të kampionateve më të forta në botë. Sfida propozon një duel Lacio-Livorno, ku në gjirin e dy skuadrave luajnë ish-kapiteni i Kombëtares, Igli Tare (Lacio) dhe sulmuesi kryesor i kuqezinjve, Erion Bogdani (Livorno). Në takimin e fazës së parë Livorno humbi në shtëpi 0-1 me Lacion (goli i maqedonasit Pandev). Erion Bogdani luajti në atë takim nga minuta e 70-të, ndërsa Tare asnjë minutë (Behrami 90 minuta).
Livorno është duke e përgatitur në mënyrën më të mirë sfidën për mbijetesë në Serinë A. Në testin e fundit miqësor të Livornos brenda familjes, Erion Bogdani shënoi një dopietë dhe trajneri Kamoleze pritet të hedhë nga minuta e parë kundër formacionit të Tares e Berhamit. “Er-Bomber” shpreson të shënojë në “Olimpiko” të Romës edhe golin e tij të 20-të në Serinë A (19 të shënuar deri tani në Serinë A, 25 në Serinë B).
Edhe Igli Tare nga ana e tij u tregua i pakursyer teksa shënoi katër gola në fitoren 13-0 të Lacios në miqësoren me diletantët e Tor de Cenci (një gol i Behramit).
Në garën virtuale sezonale midis dy lojtarëve shqiptarë statistikat ofrojnë këto të dhëna: Bogdani, 18 ndeshje, 1 gol (nota mesatare 5.6). Golin e vetëm me fanellën e Livornos, sulmuesi 30-vjeçar shqiptar e shënoi kundër Juventusit në humbjen 3-1.
Tare është aktivizuar shumë pak nga trajneri i Lacios, Delio Rosi, vetëm katër ndeshje, si zëvendësues i minutave të fundit (nota mesatare 5.96). Por megjithatë, 34-vjeçari ka shënuar dy gola të rëndësishëm, një në kampionat dhe një tjetër në Kupën e Italisë, ku i dhuroi edhe kualifikimin Lacios. Në total me fanellën e Lacios gjatë tre sezoneve Igli ka realizuar 4 gola, nga 38 gola të shënuar në kampioantet maksimale në Itali, Gjermani dhe 20 gola në kategorinë e dytë (në Gjermani).
Manço: “Krenar të jem trajner i Interit”
“Për mua është një nder të jem trajneri i Interit në vitin e njëqindvjetorit. Jam shumë krenar”. Roberto Mançini, tekniku zikaltër, flet në vigjilje të sfidës kundër Rexhinës, që përkon edhe me festimet e 100 viteve të klubit milanez.
Mançini provon një krenari të vërtetë dhe të sinqertë, të njëjtën që ndien edhe presidenti Masimo Morati, i cili takoi përfaqësues nga shoqatat zikaltër nga e gjithë Italia. “Interi duhet të jetë krenar që nuk ka pasur kurrë probleme me drejtësinë sportive. Në 100 vjet kjo shoqëri nuk është zbritur një kategori më poshtë për asnjë motiv dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”. Skuadra tjetër që nuk e kishte njohur kurrë Serinë B ishte Juventusi, por vitin e kaluar ajo ishte midis inferiorëve për shkak të skandalit të “Kalçopolit”. Interi nuk dëshiron kurrsesi të mos e shijojë fitoren kundër një Rexhine që lufton për mbijetesë në Serinë A. Mançini beson se festimet nuk do ta shkatërrojnë Interin që do të zbresë në fushë. “Mendoj se më të bukura do të bëhen ato pas ndeshjes me Liverpulin, në Ligën e Kampioneve. Ibra? Është mirë, 90 minuta nuk mund t’i luajë, por do të luajë”, - përfundon Mançini.
8 Mars 2008