E Shtunë, 31 Tetor 2026

“7 argumente ligjorë për hapjen e kutive”



Deputeti i zgjedhur socialist, Saimir Tahiri tha dje se pretendimet e maxhorancës që hapja e kutive ndalohet nga vendimet e gjykatës janë spekulim. Sipas tij hetimi i komisionit parlamentar nuk kufizohet nga asnjë vendim gjykate. "Partia Socialiste e ka njohur plotësisht vendimin e gjykatës përderisa ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve, rezultat të cilin ne nuk kërkojmë ta ndryshojmë, ashtu siç nuk kërkojmë as të shqyrtojmë nëse gjykata ka vepruar drejtë apo jo. Partia Socialiste nuk i ka kërkuar e nuk i kërkon Sali Berishës të dalë mbi vendimin e gjykatës, por përkundrazi, i kemi kërkuar t'i nënshtrohet ligjit si të gjithë të tjerët, e të shfaqë vullnet politik e parlamentar, pikërisht për të na lejuar ne të zbatojmë vendimin e gjykatës", u shpreh Tahiri. Deputeti socialist gjatë një konference për shtyp në selinë rozë, kundërshtoi pretendimet e maxhorancës rreth objektit të hetimit të komisionit parlamentar hetimor që kërkon opozita. "Objekti i hetimit është një e drejtë që disponohet nga opozita, duke kufizuar thellësisht kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e saj. Komisioni hetimor që kërkojmë, nuk ka për qëllim e objekt, të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe as të hetojë, vlerësojë apo komentojë mënyrën se si gjykata ka arritur në atë përfundim", deklaroi Tahiri. Bazuar në Kushtetutë dhe Rregulloren e Parlamentit por dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputeti socialist paraqiti dje shtatë argumente mbi të cilat bazohet kërkesa e tyre për hetimin e zgjedhjeve në Parlament.

Argumentat

• Kuvendi i vetmi institucion me atributin kushtetues për të shqyrtuar zbatimin korrekt të legjislacionit (Kodit Zgjedhor)
• Pushteti i opozitës për të hetuar nëpërmjet komisionit parlamentar, kompetencë kushtetuese
• Pavarësia dhe liria e hetimit përtej çdo kufizimi të imponuar nga vullneti i shumicës parlamentare, parim kushtetues
• Përcaktimi i objektit të hetimit është një e drejtë që disponohet nga opozita
• Komisioni hetimor nuk ka për qëllim e objekt, të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor
• Hetimi pa hapur kutitë, është një kufizim i tepruar i atributit kushtetues të opozitës
• Kufizimi i mjeteve dhe instrumenteve hetimore, përzgjedhja e tyre me diktatin e maxhorancës, përbën shkelje të kushtetutës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›