E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Kriza zgjidhet me pazar ose rrugë ligjore, afati i tryezës së Topit deri në 6 mars



Aristir Lumezi

Anëtari i kryesisë socialiste dhe sekretari për çështjet Elektorale në PS, Kastriot Islami e sheh zgjidhjen e krizës vetëm përmes rrugës institucionale bazuar në legjislacionin shqiptar, Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor. Ai i jep përgjigje të gjitha pikëpyetjeve që lidhen me krizën, ndërsa kujton se Kodi Zgjedhor përcakton qartë se cili institucion ka atributin dhe si mund të hapen "kutitë e votimit".
Zoti Islami, jemi në kufirin e afër 6 muajve që në politikë kemi një ngërç që s'po gjen zgjidhje. Mendoni se duhet të ketë një afat për zgjidhjen e kësaj situate?
Ndërprerja e bojkotit është tanimë e vonuar dhe në çdo moment që do të ndodhte do të ishte e mirëpritur nga shumica e shqiptarëve dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar. Por ky obstruksion politik ka një limit kushtetues që lidhet me respektimin e nenit 72 të Kushtetutës që flet për mbarimin e mandatit individual të deputetit. Kjo datë, data 6 mars 2010, është shumë e rëndësishme për të mos e nxjerrë "trenin tërësisht nga shinat e shtetit ligjor dhe vendosur në "baltën" e politikës partiake". Data 6 mars 2010 do të duhet të ishte një nga afatet e rëndësishme të përfshira në zgjidhjen nga tavolina e Presidentit.
Përse kjo datë është kaq e rëndësishme ndërkohë që ka shumë interpretime?
Së pari, neni 71 pika 2 e Kushtetutës është shumë i qartë nëse bëhet interpretim ligjor dhe jo politik. Së dyti, nëse ky nen nuk do të zbatohej dhe do të fillonte interpretimi sfidues politik, atëherë kriza do të thellohej edhe në përmasën kushtetuese; kriza mund të bëhej relativisht e pakthyeshme dhe zgjidhja më e vështirë. Klasa politike dhe më konkretisht opozita, nuk duhet ta sfidojnë Kushtetutën deri në këtë shkallë sepse do të mbeteshin vetëm dy opsione 1) ose të zbatohet Kushtetuta dhe kjo do të kishte efekte shumë të rënda mbi opozitën ose 2) të mos zbatohet Kushtetuta dhe në këtë rast "dalja e trenit nga shinat e shtetit ligjor" të kthehej në një precedent të rrezikshëm jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e çdo vend ku zgjedhjet do të shoqëroheshin me parregullsi. Bile në këtë rast do të viheshin në pikëpyetje raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe roli i OSBE/ODHIR.
çështja që përbën dhe nyjën gordiane është ajo e hapjes së kutive. A mund të gjendet kompromisi për këtë çështje?
Edhe kjo çështje mund të zgjidhet vetëm po t'i referohemi qasjes ligjore, sepse çdo përpjekje tjetër 1) ose nuk jep zgjidhje 2) ose përcakton një precedent të rrezikshëm e të përsëritshëm për të ardhmen. Kodi zgjedhor i hartuar dhe miratuar si asnjëherë tjetër me konsensusin më të gjerë në 18 vjet demokraci, përcakton bazën ligjore të "hapjes së kutive". Kjo zgjidhje e përcaktuar në kod është e standardeve demokratike në kuptimin që kështu ndodh në të gjithë vendet demokratike...
....cili institucion e ka këtë të drejtë?
Në datën 1 gusht 2009 KQZ ka shpallur rezultatin e zgjedhjeve duke pasqyruar një vendim të formës së prerë, të dhënë në formë direkte apo indirekte nga Kolegji Zgjedhor që përfaqëson nivelin më të lartë të sistemit gjyqësor për çështjet zgjedhore. Pas kësaj date të drejtën për të "hapur kutitë" e ka vetëm KQZ gjë që përcaktohet në trajtë eksplicite në nenin 178 pika 6 e Kodit Zgjedhor. Në neni 178 pika 6 dhe në Udhëzimin nr. 1 datë 30 janar 2006 të miratuar nga KQZ me konsensus tregohet sesi "hapen kutitë" dhe çfarë bëhet me të gjithë materialet që janë brenda kutive. Pra legjislativi përmes nenit 178 ka përcaktuar qartas dhe pa asnjë mëdyshje apo hapësirë interpretimi i) nga cili institucion hapen kutitë, ii) procedurën e hapjes së kutive dhe iii) çfarë bëhet me të gjithë materialet që janë brenda në kuti. Kjo është baza ligjore që në mënyrë ekskluzive flet për "hapjen e kutive" dhe nuk ka asnjë referencë tjetër për "hapjen e kutive". Ky do të ishte një element tjetër i zgjidhjes ligjore nga tavolina e Presidentit.
Por në kërkesën e saj për transparencë, opozita i referohet një parimi kushtetues për "transparencën"; a mund të "hapen kutitë" për të realizuar këtë transparencë?
Do t'i referohem përsëri vetëm qasjes ligjore. Me konsensus të plotë legjislativi duke respektuar parimin kushtetues të transparencës, ka përcaktuar edhe nivelin deri ku do të lejohet kjo transparencë. Dhe zgjidhja që jepet në nenin 178 të Kodit Zgjedhor (që në mënyrë më të detajuar jepet në Udhëzimin nr. 1 datë 30 janar 2006 të KQZ) ku thuhet që i) fletët e votimit dhe kondrafletët shkatërrohen dhe 2) materialet e tjera zgjedhore (Librin e Protokollit; Fletore e vendimeve tip të KQV-së; Regjistër i posaçëm i zgjedhësve; lista e zgjedhësve) dërgohen në Arkivën Qendrore të Shtetit për t'u administruar sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Pra sipas standardeve të të gjithë vendeve demokratike dhe me miratimin konsensual të Kuvendit, legjislacioni shqiptar ka vendosur që "fletët e votimit dhe kondrafletët" të shkatërrohen dhe kjo ka logjikën e saj për çështjet zgjedhore për çdo rast, pra sido që të jetë rezultati zgjedhor dhe cilido qoftë reagimi i partive politike ndaj këtij rezultati. Të gjithë materialet e tjera zgjedhore dërgohen në Arkivën e Shtetit për 1) t'u konsultuar; apo 2) përdorur për hetim apo qëllime të tjera nga subjekte të ndryshëm, por sipas disa rregullave të caktuara në ligj dhe akte nënligjore nga Arkiva e Shtetit. Pra ky është niveli i transparencës për materialet zgjedhore i përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Ky element duhet të ishte po ashtu pjesë e zgjidhjes ligjore nga tavolina e Presidentit.
Si vlerësoni sjelljen e politikës shqiptare, tashmë e një vendi anëtar i NATO-s dhe pretendent për të marrë ftesën e vendit kandidat për në BE?
Ky ishte një moment tjetër kur lidershipi politik shqiptar dha prova shtesë të pamaturisë politike, kjo në mënyrë më specifike për atë opozitar. Përveç krijimit të ngërçit politik, lidershipi tregoi paaftësi për ta zgjidhur atë duke e çuar bllokimin në ekstrem me idenë për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve në zgjidhjen e këtij ngërçi. Ky është një paradoks shqiptar dhe fatkeqësisht është quajtur sukses i madh pa kuptuar se ky është një bumerang me efekte negative mbi lidershipin shqiptar.
Si vlerësoni pozicionimin e faktorit ndërkombëtar. Cili është apo duhet të jetë roli i tyre në këtë situatë?
Ndërkombëtarët qëllimisht nuk kanë ndërhyrë për të matur dhe provuar mungesën e maturisë politike të lidershipit. Pas 6 muajsh kanë propozuar vetëm një kuadër zgjidhjeje përmes Këshillit të Evropës, por prapë duke ja lënë zgjidhjen vetë autorëve shqiptarë dhe ofruar vetëm asistencë ndërkombëtare. Kanë menduar të implikojnë edhe Presidentin për të testuar nëse përmes këtij institucioni do të mund të zgjidhet ngërçi dhe me shpresën për ta zgjidhur përmes tij. Nëse edhe në këtë rast ky ngërç nuk zgjidhet, notat do jenë negative jo vetëm për mungesën e maturisë e të papërgjegjshmërisë së lidershipit për të krijuar të tilla situata, por edhe të mungesës së vullnetit e të paaftësisë për të gjetur zgjidhje shqiptare e dalë nga ngërçi. Kjo do të ishte shumë e rëndë. Ka ende një shans për lidershipin shqiptar së paku për ta gjetur zgjidhjen e këtij ngërçi tek tavolina e Presidentit dhe nëse zgjidhja do të shtrihej në rrafshin kushtetues e ligjor ajo mund të ishte afatgjatë.
Cila mund të ishte zgjidhja minimaliste dhe maksimaliste?
Zgjidhja mund të ishte e pjesshme dhe e cunguar nëse do të futej në rrjedhën e "pazarit tradicional" për i) hapje të pjesshme apo me kampion të kutive" ii) nëse grupi i PS hyn-del nga Kuvendi thjesht për betimin dhe vazhdon bojkotin; iii) nëse pazari bëhet ose "hap kutitë" ose "zgjedhje të parakohshme"; iv) ose pazari tjetër "merr vizat", ti Berisha dhe pastaj "bëjmë zgjedhje të parakohshme" dhe v) "futemi në Kuvend" por kemi një "paketë me kërkesa për emërime në pozicione të rëndësishme kushtetuese". Kjo nuk do të ishte zgjidhje dhe për më tepër ajo shumë shpejt me afrimin e zgjedhjeve vendore do të përsëritej. Pa asnjë dyshim ajo do të përbënte një precedent të rrezikshëm.
Po zgjidhja e plotë apo maksimaliste..?
Zgjidhja e plotë do të ishte vetëm ligjore dhe vetëm kështu do të ishte afatgjatë. Zgjidhja ligjore do të mbështetej në i) pranimin e Rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit 2009; ii) pranimin e vlerësimeve dhe rekomandimeve të raportit të OSBE/ODHIR; iii) pranimin e hetimit të zgjedhjeve sipas kuadrit të përcaktuar në rezolutën e APKE; iv) Respektimin e kërkesës të nenit 71 të Kushtetutës për çështjen e mandatit të deputetit, v) Respektimin e nenit 178 pika 6 të Kodit Zgjedhor për "hapjen e kutive" nga KQZ; vi) Ndërprerjen e bojkotit dhe zhvillimin e aktivitetit politik në Kuvend vii) Ngritjen e komisionit ad hoc më shumicë nga opozita për hetimin e zgjedhjeve dhe viii) Hartimin me konsensus të një Pakete reformash ligjor e institucionale, me theks të veçantë reformën zgjedhore e të drejtësisë, që lidhen procesin e liberalizimit të vizave dhe fitimin e statusit të vendit kandidat në BE. Kjo do të ishte zgjidhja e plotë ligjore dhe për rrjedhojë afatgjatë.
Këto ditë artikulohet kërkesa për "zgjedhje të parakohshme" në shkëmbim të "mos hapjes së kutive". Si i vlerësoni këto opsione politike?
Ky më duket një "pazar" shumë naiv dhe për më tepër që nuk ka asnjë gjasë të pranohet. Për më tepër nuk është koherent me atë që është thënë më parë. Nëse thuhet se "kërkohet hapja e kutive" por kjo nuk do të shoqërohet në asnjë rast me kërkesën për ndryshim të rezultatit zgjedhor; kjo do të thotë që edhe në rastin kur do të dilnin manipulime masive PS do ta njihte kuvendin dhe institucionet e rrjedhura prej tij (ky ose do të ishte një mashtrim ose një qëndrim jo racional). Atëherë po nuk u hapën kutitë dhe apriori vërtetohet ky manipulim i madh përse në këtë rast në shkëmbim do të kërkoheshin zgjedhje të parakohshme. Mungesë e plotë koherence së paku në planin e deklarimeve publike. Për më tepër duhet pasur parasysh që me ndryshimet kushtetuese opozita nuk ka më asnjë mekanizëm kushtetues për të realizuar zgjedhje të parakohshme. Me protesta paqësore nuk ka asnjë shans që të prishet një maxhorancë parlamentare. Po ashtu në rastin kur kriza nuk zgjidhet nuk mund të kuptohet përse ndërkombëtarët do të kërkonin zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur një krizë që vetë lidershipi shqiptar e ka prodhuar dhe nuk ka vullnet për ta zgjidhur në mënyrë institucionale. Sepse ata e kanë të qartë në këtë rast se ky do të ishte një precedent i rrezikshëm për i) vetë Shqipërinë duke u përsëritur pafundësisht; ii) për vendet e rajonit; iii) për vendet problematike në Kaukaz dhe në kufi me Evropën dhe iv) do të vinte në dyshim raportin e OSBE/ODHIR dhe roli asnjanës të institucioneve ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›