MTKRS marrëveshje për restaurimin e objekteve islame në Shqipëri
Është nënshkruar dje një marrëveshje midis Ministrisë së Kulturës dhe ambasadës turke në Tiranë, për restaurimin e objekteve historike të traditës islame në Shqipëri.
Duke marrë parasysh se mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe historike mund të jetë e efektshme vetëm në rast se organizohet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar me qëllimin e zhvillimit të bashkëpunimit të ngushtë mes shteteve; ky protokoll duke u mbështetur në rëndësinë që i jepet trashëgimisë historike, ka përfshirë projektimin dhe zbatimet e restaurimit të monumenteve kulturore që ndodhen në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga ana e TIKA’s. Kjo marrëveshje u lidh midis MTKRS, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Kryesisë së Administratës Turke për Zhvillim dhe Bashkëpunim e Kryeministrisë së Republikës së Turqisë ( TIKA ) dhe Komunitetit Mysliman i Republikës së Shqipërisë të cilat vendosin të firmosin këtë protokoll restaurimi të monumenteve kulturore që gjenden në Shqipëri me qëllimin e forcimit të lidhjeve historike tradicionale si dhe zhvillimin e mundësive të bashkëpunimit teknik. Objekti i veprimtarisë së kësaj marrëveshje është restaurimi i objekteve të trashëgimisë kulturore si pjesë e lidhjes historike të palëve pjesë e kësaj marrëveshje. Projekti do të financohet nga “ Kryesia e Administratës Turke për Zhvillim dhe bashkëpunim e Kryeministrisë së Republikës së Turqisë (TIKA ). Kjo marrëveshje ka si qëllim të restaurojë objektet e trashëgimisë kulturore historike sipas projekteve të hartuara nga subjektet e kontraktuar nga TIKA, të miratuara nga këshilli Kombëtar i Restaurimeve në përpjekje për të rrjetëzuar objektet e përzgjedhura. Partneriteti dhe angazhimi i institucioneve të MTKRS do të kontribuojë me mbështetjen institucionale, kapacitete teknike, profesionale dhe administrative për mbarëvajtjen e këtij programi. Synimi i kësaj marrëveshje është që trashëgimia kulturore të vihet në funksion të turizmit.
Xhamitë “tipike”
Xhamia në kalanë e Shkodrës ish-kisha e Shën Stefanit- e adoptuar në xhami prej Sulltan Mehmetit II. Të këtij tipi janë sidomos faltoret e vogla të lagjeve dhe në përgjithësi mesxhidet. Një xhami e këtij lloji që meriton të përmendet është xhamia mbret në kala të Elbasanit, të cilën E. Çelebiu e quan xhamia e Gazi Sinan Pashës, e ndërtuar rreth vitit 1492. Në vitin 1492 Gazi Sinan Pasha (admiral i flotës osmane) me 300 anije, ndodhet në brigjet e Shqipërisë dhe po në qershor të atij viti vjen edhe vetë Sulltan Bajaziti II-të, i cili qëndron deri në mes të dimrit, kur u kthye në Stamboll. Të kësaj periudhe janë edhe disa xhami të qytetit të Beratit. Një ndërtim me vlerë arkitekturore i këtij tipi, i kohëve më të vona (1848-1243) është xhamia e Beqarëve (esnafit të Beqarëve) e mbajtur në gjendje të mirë. Kjo ndodhet në qendër të qytetit dhe është e zbukuruar me piktura me pamje të ndryshme nga bota bimore.
Xhamia e Plumbit
Xhamia e Plumbit në Shkodër është një nga monumentet më të spikatura të kulturës sonë kombëtare orientale (Osmane). Ajo ka mbetur pa mbrojtje dhe jashtë funksionit kulturor e religjoz. Xhamia, ndonëse ka një gjendje të mirë konstruktive dhe ndodhet mes komunitetit të qytetarëve myslimanë të Shkodrës, është bërë e papërdorshme nga rrethimi i ujërave e shtresave lymore. Mungesa e fondeve e varfëria e komunitetit mysliman e kanë bërë të pamundur mbrojtjen dhe vënien e xhamisë në funksionim. Mbyllja e kanalit të kullimit ka sjellë dëme të mëdha edhe tek objekte të tjera te kultit islam përreth xhamisë si dhe tek familjet e zonës.
17 Shkurt 2010