Amnistia, Uldedaj: Do çlirohen më shumë se 3 miliardë euro
Nuk e vlerëson si emergjencë, por më tepër si një domosdoshmëri të kohës. Deputeti demokrat Gjokë Uldedaj, një-kohësisht edhe anë-tar i Komisionit të Ekonomisë e Financës shprehet për amnistinë fiskale. Sipas tij, një proces i formalizuar mirë dhe i trajtuar me kujdes mund të çlirojë më shumë se 3 miliardë euro. Kjo sipas tij do të kishte ndikime shumë pozitive në ekonomi, mes të tjerash rritjen e kreditimit nga bankat. Po cilat janë tiparet e një amnistie të suksesshme, çfarë duhet të bëhet paraprakisht para aplikimit të këtij procesi dhe a është gati vendi ynë për një "sipërmarrje" fiskale të kësaj natyre?
është folur për një amnisti fiskale. çdo të thotë ky term duke ju referuar realitetit shqiptar dhe si mund të aplikohet një amnisti e përgjithshme fiskale?
Në konceptin klasik, amnistia fiskale realizon pozicionimin financiar real të kapitaleve dhe aseteve, nëpërmjet vetëdeklarimit nga ana e subjekteve dhe individëve, të cilët i nënshtrohen legjislacionit ose monitorimit fiskal, duke iu njohur atyre ky status financiar, nga çdo institucion që operon në mënyrë të ndërsjellë, me këto grupe interesi.
Referuar realitetit shqiptar do të thotë që të mirat monetare dhe pasurore, pronë e çdo subjekti brenda dhe jashtë vendit, dhe të çdo shtetasi shqiptar, prezantohen me shifra reale, në një bazë të dhënash. Tatimpaguesit, individë apo subjekte që janë rezidentë në Shqipëri, ose shtetas shqiptarë, që jetojnë jashtë vendit, në mënyrë vullnetare, deklarojnë kapitalet dhe asetet, mbi të cilat deri në këtë moment nuk është paguar taksë, apo nuk u janë njohur si vlera pasurore në zotërim, që në një farë mënyre quhen të ardhura, në vlerë dhe mjete të krijuara në rrugë të ndryshme të padeklaruara.
çfarë ofron amnistia për subjektet që i nënshtrohen këtij procesi duke u bazuar edhe në faktin që kërkesën për një amnisti e kanë bërë bizneset?
Këto subjekte të interesuara, nëpërmjet vetëdeklarimit kanë tre mundësi: së pari, rregullimin e pozicionit real fiskal të aktivitetit financiar, që do të thotë pasqyrim i vlerave reale të aktiveve, kapitaleve të veta dhe detyrimeve, së dyti, riatdhesimin e të mirave materiale (shuma parash ose aktivitete të tjera financiare që janë vendosur në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe jashtë Bashkimit Evropian), së treti, rregullimin e pozicionit fiskal përkatësisht të aktiviteteve financiare dhe pasurore që kërkojnë t'i mbajnë jashtë shtetit. Duke iu referuar tre rasteve të mësipërme, arrihet të rifuten në qarkullim kapitale dhe asete, të cilat i janë shmangur taksave në vite që janë të lidhura me: vlera monetare të mënjanuara brenda dhe jashtë vendit nëpërmjet rregullimit të zërave të bilancit, si dhe legalizimin e aseteve në vlera reale. Në mungesë të kësaj mase të gjithë këto zëra reflektojnë pamundësi për t'u përdorur në sektorin ekonomik. është me rëndësi të theksohet fakti se pozicionimi financiar i subjekteve që i nënshtrohen amnistisë,duhet të jetë objekt investigimi, vetëm në rastin kur burimi ose aktiviteti që i gjeneronte këto vlera, vërtetohet të ketë qenë i jashtëligjshëm, si pastrim parash apo dhe të tjera.
Legalizimi i kapitaleve dhe aseteve shoqërohet me një taksë të paguar mbi vlerën e aktiveve të fshehura pjesërisht apo tërësisht, të vetëdeklaruara dhe të njohura si status pasuror në zotërim të grupeve të interesit. Vetë vlera e taksës që do të aplikohet, duhet të përcaktohet, nga një gjykim dhe studim në nivel ekspertësh të fushës, të cilët do t'i ballafaqojnë kësaj takse, një panoramë dhe analizë të taksave që duhet të ishin aplikuar, duke vënë në balancë, burimin e të ardhurave, aktivitetin e ushtruar dhe hapësirën kohore.
Ndërsa kriteret për vlerësimin e të ardhurave duhet të jenë të lidhura me dy elementë të rëndësishëm që janë: vlera nominale për paranë dhe kostoja e blerjes ose e ndërtimit për aktivitetet e tjera.
Pse mendoni se është koha e duhur për një amnisti fiskale?
Do doja të theksoja që në fillim se amnistia fiskale nuk vjen si emergjencë, por si një domosdoshmëri referuar edhe praktikave te vendeve te tjera si; Spanja, Italia, Gjermania, Franca, Moldavia.
Si parantezë të kësaj pyetje do thosha se formalizimi i ekonomisë shqiptare, në këtë stad të ri zhvillimi e bën të pashmangshëm një amnisti të përgjithshme fiskale, për legalizimin e kapitaleve dhe aseteve. Kjo për faktin se biznesi ka kaluar një periudhë gati 20 vjeçare rritje dhe zhvillimi. Procesi i amnistisë fiskale është një çështje që i përket kohës dhe do thosha se është momenti për t'i dhënë zgjidhje. është pikërisht kapitali që i është shmangur pagesave të tatimeve dhe taksave ose përdoret me produktivitet të ulët. Barra e mos deklarimeve dhe e mos pagesave nga ana e biznesit është e lidhur edhe me situata të pazakonta të drejtimit të shtetit. Kjo, pasi biznesi ka kaluar edhe vitet 1990-1991, por edhe 1997. Mungesa e aplikimit të një amnistie fiskale nga pikëpamja ekonomike, krijon pamundësi për të përdorur burimet reale ekzistuese për zhvillim ekonomik. Aplikimi i saj, e cila vjen si kërkesë e Dhomës së Tregtisë në Tiranë, por që është mbështetur edhe nga organizata të tjera biznesi në vend, vjen në një kohë kur janë ulur ndjeshëm taksat dhe vendi ynë është bërë tërheqës për investitorët, duke realizuar hyrjen dhe aktivizimin e kapitaleve të reja vendase.
çfarë e bën një amnisti të suksesshme?
Që amnistia fiskale të jetë e suksesshme, së pari ajo duhet të jetë e plotë dhe të bëhet vetëm një herë, së dyti duhet të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Gjithashtu duhet që ligji të përjashtojë legalizimin e kapitaleve dhe aseteve që janë produkt i krimit dhe aktiviteteve terroriste.
Cilat janë kushtet paraprake që duhen plotësuar që amnistia e përgjithshme fiskale të realizohet me sa më pak kosto për të gjithë aktoret e interesit? Kush garanton faktin që subjektet pas deklarimit nuk do të hetohen?
Amnistia e përgjithshme fiskale nuk është një ndërmarrje e lehtë dhe si e tille duhet të fomalizohet me një ligj të qartë dhe të aplikueshëm që shmang çdo interpretim. Gjithashtu është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm një vlerësim i sistemit fiskal, si dhe gjendja e tij, detyrimet e papaguara të ekonomisë. E gjithë kjo ka në vetvete edhe vlerën e parashikimit të efekteve që do të ketë biznesi dhe ekonomia në tërësi. Realizimi me sukses, kërkon në radhë të parë sensibilizimin e subjekteve, për përfitimet nga amnistia fiskale, dhe se dyti pozicioni financiar i këtyre njësive duhet të njihet pa interpretim nga organet përkatëse. Praktika juridike që shoqëron procesin, duhet të ketë të gjithë hapësirën ligjore të nevojshme për të mbështetur dhe pranuar statusin financiar të njësive ekonomike, duke përjashtuar çdo paragjykim, interpretim apo kontroll të pozicionit financiar të njësisë, nga organet përgjegjëse, përveçse kur vërtetohet se vënia e pasurisë, lidhet me ushtrimin e një aktiviteti të jashtëligjshëm që përcaktohet në kodin penal. Referuar edhe praktikave të vendeve që kanë aplikuar amnisti fiskale, është e domosdoshme të përcaktohet përfshirja në amnisti edhe e rasteve kur subjektet janë në procese administrative/gjyqësore të hapura, apo gjoba për shkelje të procedurave tatimore, gjatë ushtrimit të aktivitetit.
çfarë efektesh sjell ky proces në ekonominë e një vendi?
Vlerësimi me seriozitet i situatës përpara formalizimit të procesit të amnistisë, pa diskutim që do të bënte që të kishim një pritshmëri me efekte pozitive për palët e interesuara në këtë proces. Amnistia që do t'i referohet një periudhe gati 20 vjeçare pa dyshim që do të gjenerojë burime shtesë të ardhurash dhe kapitalit, për rrjedhojë do të ketë një ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit. Duhet t'ua lemë eksperteve të fushës për të nxjerrë vlerat reale të këtij procesi, por një gjë është e sigurt se një amnisti e përgjithshme fiskale, e cila ka në bazë vullnetin e palëve përfshi edhe spektrin politik do të rezultojë: me rritje të kapitalit financiar, rritje të të ardhurave buxhetore, rritje të numrit të tatimpaguesve që paguajnë taksa, formalizim të ekonomisë dhe vlerësim real të saj. Nga ana tjetër do të ulet ndjenja e fajit për ata që kanë kryer evazion. Më e rëndësishmja është që do të kemi rritje të likuiditeteve, që do të sjellë rritje të kreditimit, por edhe legalizimi i aseteve do rrisë kolateralin, pra një lehtësimi i sistemit bankar për të dhënë kredi. Do thosha që edhe ato që konsiderohen efekte negative eliminohen nëse procesi i amnistisë realizohet i plotë, një herë dhe i mbështetur mbi një bazë ligjore që nuk lejon interpretime evazive. Jam i sigurt se rezultati nga efektet e formalizimit të amnistisë fiskale ka ndikim pozitiv në ekonominë shqiptare.
Financat dakord me amnistinë
Ministri i Financave deklaroi se përmes një amnistie mund të çlirohen rreth 3 miliardë euro. Për deputetin Gjokë Uldedaj nëse procesi është i formalizuar mirë dhe i trajtuar me kujdes mund të çlirohen më shumë sesa 3 miliardë euro. -"Ministri ka më shumë informacion e më shumë të dhëna, por unë mendoj se shifra mund të jetë shumë më e madhe se kaq, duke pasur parasysh se janë 20 vite aktivitet" -shprehet Uldedaj. Lidhur me vlerën që mund të vendoset për amnistinë ai cilëson se përgjithësisht nga eksperiencat që ka bota sot vlera është sa gjysma e saj që paguhet normal. -"Nëse për vendin tonë është 10% mund të paguajë 5 për qind të vlerës" -vazhdon Uldedaj. Për të amnistia fiskale duhet kanalizuar te subjektet tregtare. Nëse sot ne kemi 113 mijë subjekte të regjistruara tek QKR-ja, të gjitha këto s'duhet të përjashtohen nga situata për t'u përfshirë në amnisti nëpërmjet sistemit të vetëdeklarimit. -"Mendoj se edhe personat që janë të lidhur me subjekte tregtare nuk duhen lënë jashtë këtij procesi" -thekson deputeti.