Rama: Kutitë ose nis protesta
Elbasan / Aldo Kozarja
Kryetari socialist Edi Rama ishte dje në Elbasan në një bashkëbisedim me gaze-tarët dhe socialistët. Nga Elbasani Rama ka deklaruar se protestat do të rinisin nëse nuk hapen kutitë e votimeve, ndërsa vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme sipas tij, nëse nuk gjendet zgjidhja për krizën politike.
"Nëse nuk hapen kutitë e votimit, që është edhe kërkesa jonë legjitime, populli do të dalë përsëri në rrugë për të kërkuar të drejtën e votës. Protestat nuk do të ndalen më derisa vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme", u shpreh Rama në përgjigje të interesimit të gazetarëve për strategjinë e PS-së për daljen nga kriza. Bashkëbisedimi u zhvillua në Teatrin "Skampa", ku ishin të pranishëm kryetari i bashkisë së qytetit, Qazim Sejdini dhe deputetë të këtij qarku. Burime pranë selisë rozë konfirmuan dje se Edi Rama, i shoqëruar nga Arta Dade dhe deputeti Arben Ahmetaj do të udhëtojnë drejt Vjenës, ku do të zhvillojnë takime në përfaqësinë qendrore të OSBE-së lidhur me krizën politike që ka ardhur si pasojë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i selisë rozë ka nënvizuar se partia që ai drejton ka vullnet për ta zgjidhur krizën dhe se hapja e kutive nuk është aspak antikushtetuese, hapja e kutive sipas kreut socialist mbetet e vetmja rrugë për zgjidhjen e saj, duke sqaruar dhe arsyet që mundësojnë hetimin e kutive të votimit. "Partia Socialiste ka shprehur dhe shpreh vullnetin e saj për zgjidhjen e krizës. E vetmja rrugë është hapja e kutive dhe nuk ka rrugë të mesme pasi, në të kundërt, nëse nuk realizohet kjo gjë, protestat janë shumë afër. Fillimi i zgjidhjes së saj nënkupton hapjen e kutive, një vendim aspak jokushtetues. Shpreh optimizmin tim se kjo krizë do të zgjidhet", u shpreh Rama. Duke folur për vullnetin e PS-së për të zgjidhur krizën me dialog, Rama tha se kryeministri Berisha duhet të pranojë zgjidhjen e saj përmes hetimit të kutive. "Rruga për të vendosur në vend një të drejtë dhe një liri që janë një e drejtë dhe një liri, e cila nuk mund të lëshohet dhe nga e cila nuk mund të hiqet dorë pa një betejë, të paktën. Dhe kjo është një betejë që nuk do të ndalet, e prandaj unë e përsëris që pala tjetër dhe posaçërisht Sali Berisha duhet ta zgjidhë për sa kohë e ka në dorë, pasi nuk do ta ketë në dorë pafundësisht", u shpreh Rama.
Gazetarët e pranishëm në panelin e djeshëm pyetën kreun socialist për çështjen e mandateve, vlefshmëria e të cilëve 'digjet' në 6 mars. "Mandatet e PS nuk digjen as në mars dhe as më vonë. Ato janë mandate që nuk na i ka falur as Sali Berisha dhe as Jozefina Topalli. Ato janë mandate që populli shqiptar ia ka besuar Partisë Socialiste", u shpreh Rama. I pyetur rreth deputetëve që mendojnë ndryshe dhe janë shprehur se do të hyjnë në Parlament edhe nëse grupi socialist do të qëndrojë jashtë Parlamentit, Rama tha se nuk mund të pranojmë disa qëndrime në PS. "Nuk shikoj ndonjë lëvizje për mendim ndryshe dhe jam fare i qartë, se në këtë betejë kush është me Partinë Socialiste, është me Partinë Socialiste dhe kush nuk është me Partine Socialiste, nuk është me Partinë Socialiste. është fare e qartë se këtu ka vetëm dy rrugë. Rruga e Partisë Socialiste dhe e gjithë opozitës për rivendosjen e demokracisë duke vendosur në themel të procesit demokratik, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe rruga e derisotme, e Partisë Demokratike dhe e pushtetit aktual për të mos lejuar rivendosjen e demokracisë, duke penguar në rrugë antikushtetuese transparencën e zgjedhjeve dhe nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive dhe njëkohësisht edhe të gjitha detyrat e klasës politike për të ardhmen. O është kjo rrugë, o është ajo rrugë, s'ka tjetër", u shpreh Rama.