7 maj 2008 - Ambasadorja Daviet: Miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga Parlamenti, shumë pozitiv. Topalli: Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka treguar se është vendi i historisë së suksesit.
Fjala përshëndetëse e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli në seancën e posaçme me të rinjtë Shqipëria në Europë
Dy vjet më parë, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Ishte një ndër momentet më të jashtëzakonshme, më të lumtura, më optimiste dhe më premtuese për Shqipërinë. Kjo ishte një meritë, së pari, e shqiptarëve, së dyti, i baballarëve e nënave tona, së treti e politikës dhe e një prirjeje shekullore të shqiptarëve, të përpjekjeve të tyre, të një ambicieje të jashtëzakonshme për tju bashkuar Bashkimit Europian.
Mbrëmë në orët e vona, Çekia ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, duke u bërë i 18-i Parlament kombëtar, anëtar i Bashkimit Europian që ratifikon këtë Marrëveshje. Pritet, dhe jam shumë optimiste, në qoftë se nuk ndryshon diçka në axhendën e Parlamentit austriak që nesër Austria do të bëhet vendi i 19 që do të votojë ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Na mbesin edhe pak vende të tjera për të mbyllur një cikël shumë të rëndësishëm, mbyllja e të cilit, dhe unë uroj që në shtator-tetor ky cikël të mbyllet, i jep mundësinë Shqipërisë që të bëjë kërkesën në Bruksel për të marrë statusin e vendit kandidat.
Së dyti, kanë kaluar vetëm pak ditë nga marrja e ftesës për anëtarësim në NATO. Kjo ngjarje është një finalizim i një ëndrre shekullore të shqiptarëve. Është diçka që për brezin tonë ishte gati e paimagjinueshme. Në fakt ishte e largët edhe shtatë muaj më përpara. Shumë pak njerëz besonin se Shqipëria do të renditej së bashku me Kroacinë dhe do të kishte fatin që në Samitin e Bukureshtit të merrte këtë ftesë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Shqipëria gjatë kësaj periudhe ka treguar se është vendi i historisë së suksesit. Asnjë vend tjetër europian në një periudhë 17-vjeçare nuk ka pësuar një transformim më të madh sesa vendi ynë, asnjë vend tjetër evropian, duke pasur parasysh se nga çfarë kushtesh dhe në çfarë momenti ka nisur transformimin e saj, nuk ka arritur shndërrime në fushën ekonomike, sociale, politike si Shqipëria. Për këtë duhet të jeni krenar për prindërit tuaj.
Së treti, mendoj se salla në të cilën ne sot jemi së bashku ka një domethënie të veçantë. Ky është forumi legjitim që bën të mundur të gjitha transformimet, të gjitha diskutimet politike, ky është forumi që ju e ndiqni përmes televizioneve, i cili shoqërohet ndonjëherë me debate të ashpra midis pozitës dhe opozitës, por që në fakt të dyja palët me mendimet e tyre, me programet e tyre kanë vetëm një gjë të përbashkët, ajo që është më e rëndësishmja, projektin tonë europian, projektin tonë për tu integruar në strukturat euroatlantike.
Me këtë rast më lejoni të falënderoj të gjithë deputetët e 17 vjetëve, që kanë punuar në këtë sallë, të cilët kanë bërë të mundur që ne të bëjmë këto reforma të jashtëzakonshme që në fakt kërkonin një lidership shumë të fuqishëm. Besoj se ashtu siç Europa i kërkon vetes një lidership të fortë, edhe Shqipëria i kërkon vetes një lidership të fortë. Reformat gjithmonë krijojnë debate, reformat gjithmonë gjejnë rezistencë, reformat jo gjithmonë në momente të para mirëkuptohen apo mbështeten. Por në këtë sallë, në këtë forum kaq legjitim, që është arena kryesore e politikës dhe e shndërrimeve të mëdha, rreth dy javë më parë janë bërë reformat më të rëndësishme kushtetuese, që i japin vendit tonë një stabilitet në të ardhmen, pa të cilin nuk mund të ketë ecje me këtë ritëm të reformave. Është kjo aulë që bëri të mundur të kalojnë ligje të rëndësishme, që shteti ynë të ketë një rritje ekonomike prej 6 për qind. Në këtë seancë, në këtë forum kanë kaluar ligje në fushën fiskale, që bëjnë të mundur të stopohen prirjet inflacioniste, që janë aq të forta sot në Europë dhe në botë.
Në këtë forum, në këtë sallë deputetët, politikanët duhet të ndërmarrin të tjera reforma për të bërë të mundur që ne të bëhemi anëtarë të plotë të NATO-s në një periudhë sa më të shpejtë. Parlamenti ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke i bërë avokatinë vendit të vet jo vetëm me ratifikimin e MSA-së. Atë e pret edhe një punë tjetër e rëndësishme: ratifikimi i marrëveshjes me NATO-n. Duhet të punojmë me 26 parlamente, përfshi Kongresin amerikan, vende anëtare të NATO-s, të cilat duhet të votojnë ftesën e marrë në Bukuresht, në mënyrë që Shqipëria të bëhet anëtarë me të drejta të plota e NATO-s.
Unë do të uroja që në një periudhë sa më të shkurtër, një vjeçare mundësisht, edhe pse ndoshta është shumë sfiduese, të bëjmë të mundur anëtarësimin tonë në NATO. Më pas të gjitha përpjekjet tona janë te projekti ynë më i madh: qenia jonë, njohja jonë si anëtarë të plotë të BE-së.
Pas dhjetë vjetësh ndoshta disa prej jush mund të jenë deputetë realë dhe të ulen me mandat të plotë në karriget në të cilat jeni sot. Unë do tju bëja një ftesë që të angazhoheni në politikë. Ne nuk mund të flasim për BE-në pa angazhimin e çdo qytetari. Ne nuk mund të shikojmë drejt Europës pa angazhimin kryesisht të gjimnazistëve, të studentëve të të rinjve.
Unë ju bëj ftesë sipas prirjeve dhe besimeve tuaja të angazhoheni në jetën politike, në jetën shoqërore dhe të thoni mendimin tuaj, të sillni me vete ëndrrat tuaja.
Njëzet vjet më parë brezi im kishte vetëm një ëndërr: si të afroheshim me NATO-n, si të afroheshim me BE-në. Kjo dukej aq e largët, gati e pamundur. Unë sot besoj se ëndrrën europiane ju sot e keni në dorë. Ta gëzoni atë!
Edhe një herë ju falënderoj dhe ju ftoj të bëheni pjesë e një angazhimi të madh shoqëror! Një ndërgjegje e madhe shoqërore dhe politike e të rinjve vetëm e përafron vendin tonë me standardet evropiane dhe bën të mundur që drejtësia sociale, shteti ligjor, të drejtat e njeriut të jenë një realitet i plotë edhe në vendin tonë.
Duke e mbyllur, unë dëshiroj që secilit prej jush, tju jap botimin e fundit të Fletores Zyrtare. Me këtë botim kemi plotësuar një detyrim pak të vonuar, por shumë të rëndësishëm të Parlamentit shqiptar: botimin e Konventës për të Drejtat e Njeriut, të ratifikuar vite më parë, por që, për fat të keq, kishte mbetur i pa botuar. Mbajeni këtë në tryezat tuaja, lexojeni herë pas here! Kjo është baza mbi të cilën ngrihet familja jonë e madhe europiane.
Edhe një herë ju faleminderit dhe suksese në studimet tuaja dhe në jetën tuaj!
--------------------------------------------------------------------------------
Fjala e Ambasadores së Francës, Maryse Daviet në seancën e posaçme me të rinjtë Shqipëria në Europë
Mirëdita!
Jam shumë e nderuar dhe e prekur që jam sot këtu të flas e ftuar nga Kryetarja e Kuvendit përpara një auditori kaq të special, siç jeni ju, në Parlamentin shqiptar.
Për mua është një nder dhe kënaqësi të flas këtu para jush në vendin, që është simbol i demokracisë në çdo vend të Europës dhe botës, siç është Parlamenti.
Dua tju them që kam pasur fatin të lind në një vend demokratik dhe në paqe, siç është Franca, e cila ka qenë, gjithashtu, një nga gjashtë vendet themeluese të Bashkimit Europian. Por edhe ju që keni lindur këtu, sidomos ata që kanë lindur pas vitit 1991, keni pasur fatin të lindni në një Shqipëri demokratike.
Për mua që jam franceze dhe europiane, që janë pothuajse e njëjta gjë, por jam këtu për të shprehur edhe vlerat e Bashkimit Europian dhe të NATO-s, gjithashtu, të cilat janë jo vetëm pasuria, tregtia dhe zhvillimi ekonomik, por janë edhe demokracia, kapaciteti dhe dëshira e madhe për të luftuar, në mënyrë që të arrihet një kompromis mes palëve.
Dua të them që me mjetet dhe metoda demokratike, paqësore e diplomatike duhet të arrihet në kompromise dhe në zgjidhje të pranueshme nga të gjithë. Duke parë këtu edhe një qeleshe, tipike të Kosovës, mendja ime është edhe atje. Unë kam punuar shumë gjatë në Kosovë dhe për Kosovën. U gëzova pa masë kur pashë të valëvitej flamuri i Kosovës së pavarur me yjet e Bashkimit Europian.
Shqipëria ka bërë shumë progres në sa