8 maj 2008 - Kuvendi dëgjon raportin e Këshillit Drejtues të RTSH-së
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, më 8 maj 2008, ora 10:00 dhe, ndër të tjera, dëgjoi raportin e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit për vitin 2007.
Raportet e organizatave ndërkombëtare lidhur me perceptimin e nivelit të korrupsionit, ndryshimet kushtetuese, integrimi në BE dhe menaxhimi i këtij procesi, ecuria në reforma gjatë tre viteve të fundit, libri i ish-kryeprokurores Carla Del Ponte dhe nevoja për të reaguar ndaj akuzave që ngrihen në të, ishin çështjet kryesore që u ngritën gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës.
Kuvendi shqyrtoi në parim projektligjet e parashikuara në rendin e ditës, ndërkohë që vendosi të shtyjë votimin e tyre për në seancën e ardhshme.
Në vijim, Kuvendi dëgjoi raportin mbi veprimtarinë e Këshillit Drejtues të Radio Televizionit për vitin 2007, që u paraqit nga kreu i këtij këshillli, Agron Tufa.
Në fjalën e tij para deputetëve, zoti Tufa paraqiti shkurtimisht arritjet e këtij institucioni për zgjidhjen e problemeve të trashëguara, por edhe atyre të shfaqura rishtas në kushtet e një tregu gjithmonë në zhvillim. Gjithashtu, kreu i KD-së bëri të njohura edhe sfidat me të cilat RTSH përballet për të realizuar misionin e tij si operator publik dhe atë të arritjes së standardeve të kohës në aspektin teknologjik.
Më pas, deputetët diskutuan mbi raportin e KD-së së RTSH-së, që u paraqit nga zoti Tufa.
Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 13:05, ndërkohë që Kuvendit do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e hënë, më 12 maj 2008, ora 18:00.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.