7 mars
Edmond Arizaj Marsi është muaji i pikëpyetjeve të mëdha për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama. Opozita rrezikon sërish një çarje të madhe dhe një katërvjeçar tjetër për t’u marrë me vetveten dhe për të rimbledhur forcat. Si duhet të sillet lideri i saj, Edi Rama për të mos lejuar copëzimin e partisë së tij, për të mos lejuar njëkohësisht fuqizimin e tejskajshëm të maxhorancës,për të mbajtur rreth vetes shumicën e elektoratit të 28 qershorit 2009, për të mos rrezikuar zgjedhje të reja brenda partisë së tij?Nga deklaratat e tij dhe të grupit shumë afër tij, se “mandatet nuk digjen”, kuptohet thjesht se çështja “mandat” ekziston fort brenda grupit të prag-deputetëve socialistë, pavarësisht deklaratave publike për unitet rreth vendimit të bojkotit. Përpjekja për t’i siguruar prag-deputetët se mandati i tyre është i sigurt tregon frikën e lidershipit nga frika e fituesve në lista, për humbjen e vendit të deputetit, pa e pasur asnjë ditë atë. Kjo është një pjesë e grupit, po e quajmë parlamentar, të heshturit. është edhe grupi i vogël i atyre, të cilët prej muajsh kanë kërkuar hyrjen në Kuvend, duke dalë hapur kundër Ramës. Pastaj është edhe grupi më i madh, të cilët e kanë lidhur tashmë karrierën e tyre me humbjen apo fitoren e ndërmarrjeve të kryetarit. Këtu rreshtohen sidomos ato emra që ngritjen e papritur në politikë, ia dedikojnë ekskluzivisht Edi Ramës dhe natyrshëm nuk mund të pritet që ata të veprojnë ndryshe nga vendimet e tij. Duke u bazuar në këto tre grupime brenda prag-deputetëve të PS-së, deri në mars mund të kemi këto skema: Në Kuvend hyjnë vetëm të ashtuquajturit grup i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, në Kuvend hyjnë përveç LMN-së edhe një pjesë e mirë e të heshturve, në Kuvend hyjnë të gjithë prag-deputetët duke u shndërruar në deputetë. Nëse Edi Rama arrin të mbajë të gjithë grupin duke “lënë të lirë” vetëm pesëshen e LMN-së, tashmë publikisht e deklaruar kundër vendimit të tij, kjo do të ishte një farë fitoreje. Hyrja e këtij grupi në Kuvend do të zbehej shumë shpejt nga lufta e menjëhershme që do të niste PS dhe Edi Rama me shtetin dhe pushtetin, për mbrojtjen e mandateve të 60 emrave të tjerë. Në këtë betejë, që duket se po konfigurohet, grupi i LMN do t’i kishte duart e lidhura për të reaguar, pasi më e pakta do të akuzoheshin si “barka” e Berishës, ose ç’është më e keqja si “tradhtarë”. Ekstremizimi i mëtejshëm i situatës, këtë radhë ndoshta edhe më shumë se me çështjen e “kutive”, mund t’i sjellë Ramës rikthimin e besimit të elektoratit dhe mundësinë për ta mbajtur ende dhe për shumë kohë të ndezur atë. Ndërsa pikëpyetjet do të kalonin te shteti; duhet zbatuar Kushtetutën për ndërprerjen e mandateve, duke rrezikuar një acarim të madh, apo nuk duhet zbatuar Kushtetuta duke rrezikuar t’i jepet një goditje shumë e rëndë shtetit ligjor dhe një precedent i rrezikshëm demokracisë. Nëse në Kuvend, bashkë me LMN-në hyjnë edhe një grup tjetër deputetësh, Edi Rama rrezikon t’i sjellë Partisë Socialiste një çarje të madhe dhe vetes një rrezik evident. Brenda ditës, përveç pesë kundërshtarëve në PS, ai do të ketë kundër edhe një pjesë tjetër deputetësh, të cilët qoftë edhe duke heshtur, do të flasin. Në këtë rast, shanset për të vijuar me protestat për kutitë dhe me ekstremizimin për djegien e mandateve, janë të pakta, sepse praktikisht një pjesë e mirë deputetësh njohin zgjedhjet dhe pranojnë Qeverinë, duke rrëzuar alibinë e protestave dhe bojkotit. Me dy Parti socialiste, një jashtë Kuvendit dhe një brenda tij, Edi Rama do ta ketë të pamundur ta menaxhojë si duhet situatën. Nëse në Kuvend hyjnë të gjithë të zgjedhurit e PS-së, cilado qoftë arsyeja, atëherë ky do të ishte një plus për vetë Partinë Socialiste, por një minus i madh për Edi Ramën. Pas kësaj, pranimit të legjitimitetit të zgjedhjeve, atij i duhet të sqarojë pse e ndërmori një bojkot kaq të stërzgjatur me një përfundim humbës, pse nuk lejoi hyrjen e deputetëve për ligje dhe situata të caktuara dhe mbi të gjitha do të ngrihet pikëpyetja: a është më kryetar Edi Rama? Në PS do të niste një varg i gjatë debatesh, me polarizime të skajshme, të cilat përveç drobitjes së PS-së, do të sillnin edhe fuqizimin e maxhorancës e për pasojë rrezikun e humbjes së zgjedhjeve lokale nga Rama… Sigurisht që ekziston edhe një mundësi tjetër, hyrja në Kuvend, betimi, marrja e mandatit dhe dalja. Por pas kësaj, çdo fjalë e thënë deri tani nga Rama dhe të tjerët do të shumëzohej me zero, ndërsa sakrificat e protestuesve do të përktheheshin në marrje rrogash për 65 njerëz.