Gjykata: Jo masë për Arben Sefgjinin
Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e prokurorisë për ricaktimin e masës së "arrestit shtëpiak" për dy prej të pandehurve të dosjes "Remzi Hoxha". Prokurori kërkoi këtë masë sigurimi personal për të pandehurin Avni Koldashi, ndërsa për të pandehurin Arben Sefgjini, aktualisht kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, prokurori kërkoi edhe pezullimin e tij nga detyra. Kërkesa në fjalë u paraqit nga përfaqësuesi i akuzës në seancën e djeshme në ngarkim të tre ish-funksionarëve të shërbimit sekret. Ata janë akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe për rrëmbimin dhe torturimin e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit në vitin 1995. Në vendimin e saj të ndërmjetëm, gjykata vlerësoi se në kushtet dhe në rrethanat në të cilat ndodhet procesi, kërkesa rezultonte e pambështetur në ligj dhe në prova. Kryesuesi i seancës Xhelal Elezi, sapo kishte përfunduar së relatuari për kërkesat e palëve në lidhje me pyetjen e dëshmitarëve që ndodhen jashtë vendit, kur prokurori Xhevat Hana pohoi se kishte një kërkesë për Gjykatën. Ashtu si ishte kërkuar dy vjet më parë, kur i pandehuri Arben Sefgjini ishte Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, prokurori kërkoi dje ndaj tij rivendosjen e masës "arrest shtëpie" dhe pezullimin nga detyra. "Izolimi" në shtëpi, u kërkua edhe për të pandehurin Avni Koldashi. Sipas prokurorit, kërkesa mbështetej në dy vendime të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda dhe Gjykatës së Lartë, sipas së cilave caktimi i masës së sigurisë për të pandehurit Sefgjini dhe Koldashi duhet të shqyrtohej nga pesëshja gjykuese e dosjes dhe jo nga një gjyqtar i vetëm. "Duke marrë në konsideratë momentin procedurial në të cilin bëhet kërkesa, faktin që janë marrë një pjesë e konsiderueshme e provave të kërkuara nga akuza, qëndrimin korrekt të të pandehurve Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi, si edhe mbrojtësve të tyre në gjykim, Gjykata konkludon se nuk ekzistojnë shkaqet që vënë në rrezik marrjen e provës, të pandehurit nuk janë larguar dhe nuk përbëjnë rrezik të largohen", arsyetoi në vendim kryesuesi i seancës. Në vijim ai rrëzoi kërkesën e prokurorisë për të dy të pandehurit.