Itali, shqiptari vret gruan me thikë për xhelozi
ITALI - Emigranti shqiptar vret gruan me thikë pas mesnate. Policia italiane tha dje se shqiptari 45-vjeçar ka vrarë me thikë në fyt bashkëshorten e tij gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme. Ngjarja, që mediat italiane e kanë komentuar si një masakër pa precedent, ka ndodhur në vilën ku jetonte familja shqiptare, në provincën Teramo të Italisë. Shkëlqim Koni, 45 vjeç që sipas policisë italiane kohët e fundit kishte pasur kriza të rënda nervore, si pasojë e papunësisë dhe xhelozisë për gruan, rreth orës 4 të mëngjesit ka marrë një thikë në kuzhinë dhe i ka prerë fytin 32-vjeçares Rudina Koni, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Menjëherë sapo ka kryer krimin, Koni ka telefonuar vetë policinë dhe u ka treguar për ngjarjen e rëndë. Ai është arrestuar menjëherë nga autoritetet italiane, ndërsa dy djemtë e tij 7 dhe 8-vjeçarë, nuk kanë parë skenën e krimit, pasi ndodheshin në gjumë. Fëmijët janë marrë në kujdestari nga të afërmit e familjes Koni, të cilët gjithashtu jetojnë në Itali. Aktualisht, shqiptari Shkëlqim Koni ndodhet në rajonin policor në Martinsicuro për t'iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Bizzarri Serena, i cili ka marrë në hetim ngjarjen e rëndë. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar thika, me të cilën është kryer vrasja. Të dhënat e para të policisë italiane flasin për një depresion të autorit të krimit, i cili kishte qenë prej kohësh i frikësuar për humbjen e dy fëmijëve dhe gruas së tij, për shkak të papunësisë, por gjithashtu kishte shfaqur edhe shenja xhelozie ndaj bashkëshortes. e.d