Sa larg funksionimit të shtetit të së drejtës!
Elmaz Sherifi Ishte dikur Asambleja e Kooperativës! Ajo bazuar në statutin e Kooperativës ishte organi më i lartë përfaqësues i saj. Asambleja në fakt ishte një organ krejt formal, e cila mblidhej sa herë duhej “legjitimuar” ndonjë akt i përgatitur nga Kryesia Kooperativiste, në mënyrë që të materializohej vullneti i kryetarit, i cili ishte “ligjbërësi” i vërtetë!Dhe Asambleja e Partisë Socialiste e mbledhur së fundmi, kishte shumë elementë të përbashkët me veprimtarinë e cituar, sidomos kur slaidet e projeksionit paraqisnin sipërfaqe të përmbytura, kanale që nuk funksiononin, mungesën e pritave të ujit dhe mjaft detaje të tjera pa rëndësi të veçantë, madje të bëra të njohura me kohë nga shumë media elektronike e të shkruara ditë për ditë nëpër artikuj gazetash!Ndoshta shumë “asambleistë” kishin nevojë për t’u njohur me dëmet e shkaktuara! Ndoshta disa të tjerë kanë nevojë për të marrë leksione! Por objekti i leksionit nuk ishte në sinkron me shqetësimin e paraqitur në fasadën përballë asambleistëve. Aty tërhiqte vëmendjen slogani “Kriza e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës.....”.Në fakt ky është edhe problemi themelor në funksionimin e institucioneve politike dhe instituteve të së drejtës në Shqipëri.Për këtë ja vlente të jepej për disa nga “asambleistët” jo një leksion, por një cikël i tërë leksionesh, për të kuptuar se Shteti i së drejtës kërkon funksionimin e çdo pushteti; atij legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor në mënyrë të pavarur, duke zbatuar vetëm dispozitat Kushtetuese dhe ligjet organike të tyre, larg çdo diktati e në mënyrë specifike larg “urdhrave partiakë”! Ky cikël leksionesh është më se i nevojshëm për shumë “Asambleistë”, të cilët u vendosën në listën e deputetëve, por që ende nuk kanë kryer detyrimin kushtetues të “betimit”, për të marrë dhe ushtruar mandatin e deputetit e mandej për të krijuar grupin parlamentar!Në të vërtetë, institucionet politike të shtetit nuk funksionojnë në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës, edhe për faktin se opozita nuk po shkon në parlament për të kryer misionin e saj kushtetues, por prej disa muajsh komunikon me politikën dhe shqiptarët nga rruga! Për ta kuptuar pozitën juridike dhe anormalitetin e veprimeve politike të drejtuesve të Partisë Socialiste, mendoj se është e nevojshme që “Asambleistët” të marrin një cikël leksionesh rreth “Historisë së institucioneve politike në Shqipëri nga viti 1920 deri 1923” dhe të ballafaqojnë veprimet e tyre me praktikat parlamentare të shteteve të Bashkimit Evropian, duke u bazuar në parimet e formuluara nga Monteskie!Kongresi i Lushnjës i mbledhur 90 vjet më parë me “Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë” institucionalizoi në Shqipëri institucionet e shtetit të së drejtës dhe afirmoi ndarjen e pushteteve. Për herë të parë krijohet pushteti legjislativ që e quajtën “Senati”(këshilli kombëtar), pasi nuk kishte dy dhoma. Për herë të parë dhe të fundit në historinë e institucioneve politike në Shqipëri, senati ka funksionuar me shpalljen e “Republikës së Parë” në 1925, deri në krijimin e monarkisë në 1928.U krijua “Këshilli i Lartë” - Kryetari kolektiv i shtetit, të cilin “monarkistët” e quanin “Organi Kolektiv i Naltmadhnisë”, ndërsa Noli e quante “Kryetarin Kolektiv të Republikës”. U krijua qeveria e Sulejman Delvinës, që ushtroi autoritetin e saj për herë të parë në të gjithë territorin e vendit. U krijua dhe Pushteti gjyqësor i bazuar në ligj, në prova dhe bindjen juridike të gjyqtarëve. Në Shqipëri fillon jeta politike parlamentare. Zgjedhjet e para për “Këshillin kombëtar” - Parlamentin, u zhvilluan në shkurt-mars të vitit 1921, sipas ligjit të parë zgjedhor “Për zgjedhjen e Deputetëve” të 5 dhjetorit 1920.Ishte koha kur në parlament ishin krijuar dy grupime politike, (jo parti të mirëfillta politike). “Popullorët” e Nolit, (atëherë edhe Zogu ishte së bashku me Nolin) dhe “Përparimtarët” e Mehdi Frashërit. Interes paraqet fakti që jeta parlamentare u zhvillua në përputhje me legjislacionin e kohës. Lufta politike ishte shumë e fortë dhe ndërrimi i qeverive i shpeshtë, por gjithsesi kjo praktikë ishte tregues i një jete demokratike parlamentare, shumë e përparuar për kulturën parlamentare të munguar deri atëherë.Politika e sotme duhet të njohë si një fakt shumë të rëndësishëm historik marrëveshjen që u emërtua “Bashkimi Shenjtë” në dhjetorin e vitit 1921, kur në qeverinë e Xhafer Ypit, morën pjesë të dyja grupimet politike si dhe të pavarurit. Ministër i Jashtëm u caktua Noli dhe Ministër i Brendshëm Zogu. Bashkëpunimi i tyre në këtë rast iu kundërvihej përpjekjeve serbe, për të ndërhyrë në veprimtarinë e shtetit Shqiptar! Me mjaft interes për t’u trajtuar është edhe kërkesa e disa politikanëve për ta zhvilluar veprimtarinë politike brenda institucioneve politike, si kundërvënie ndaj atyre që mendonin se qeveria duhej rrëzuar me forcë, ku bënin pjesë dhe personalitete si Aqif Pashë Elbasani, që ishte anëtar i Këshillit të Lartë, Hasan Prishtina, Bajram Curri, etj!Dhe po flasim për vitin 1922, kur kishte vetëm dy vite jetë parlamentare!Në Statutin e zgjeruar të Lushnjës të vitit 1922 dhe Statutin e Republikës në 1925, një trajtesë interesante zë pozita juridike e anëtarëve të Parlamentit. Nga pikëpamja formale-juridike, statuti formuloi parimet që përbënin dhe kornizën juridike të “statusit të deputetit”. U afirmuan parimet perëndimore se “deputeti nuk përfaqëson vetëm qarkun që e ka zgjedhur, por të gjithë kombin në tërësi” art.14. Me këtë parim, deputetët si përfaqësues të zgjedhësve, nuk ishin të lidhur me detyrime juridike me zgjedhësit. Mandati i tyre nuk ishte “detyrues”, por “përfaqësues”!Deputeti vetëm në dy raste quhej i “rrëzuem nga deputetësia”: “Kur deputeti i zgjedhur rishtazi, pa shkaqe të justifikuara dhe të vërtetuara, nuk paraqitet në dhomën e deputetëve deri në dy muaj rresht pa bërë betimin” dhe: “Kur deputeti mungon për dy muaj rresht nga mbledhjet e dhomës, pa marrë lejen e saj”Në jetën parlamentare u zbatuan dispozitat e Statutit duke “rrëzuar nga deputetësia”, deputetin e Gjirokastrës, të quajtur Banifra. Edhe Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë në nenin 70 formulon: “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues”.Kur dëgjon deklaratat e Kryetarit të Partisë Socialiste dhe Sekretarit të çështjeve ligjore se: “mandatet nuk na i marrin dot, sepse na i ka dhënë populli opozitar” kupton “sa e re” është politika udhëheqëse e kësaj partie dhe sa larg janë mendësi të tilla nga parimet e funksionimit të shtetit të së drejtës! Populli opozitar votoi PS që përfaqësimi i saj të jetë dinjitoz në organet përfaqësuese kushtetuese dhe jo që të spekulohet me votën e tyre vetëm për karrierën personale të një grupi që dinë të artikulojnë si populistë të stërvitur “ato që dëshirojnë” hallexhinjtë, edhe pse janë të pamundura për t’u kryer dhe jo “ato që duhen dhe janë të mundshme” për t’u realizuar, mbështetur në Kushtetutë e ligj! Kjo mendësi që tashmë është bërë sindrom e drejtuesve të PS, po e largon gjithnjë e më tepër këtë forcë politike nga praktikat demokratike dhe për rrjedhojë nga pushteti. Rruga e zgjedhur nga drejtuesit e PS është mjaft e gabuar edhe për faktin se po konkurrohet me një strategji bojkoti, të eksperimentuar dikur nga maxhoranca e sotme dhe që rezultoi e dështuar.Sali Berisha nuk mund të konkurrohet me mjetet dhe metodat që ai ka përdorur dikur! Mendoj se kjo është edhe një ndër arsyet që Berisha e “këshillon” Ramën, madje e garanton se do t’i krijojë kushte që të zhvillojë protesta kudo e sa të mundë!Vetëm rikthimi në rrugën e vlerave demokratike të konkurrimit dhe solidaritetit është rruga e suksesit. Për këdo që ka një minimum kulture politike dhe demokratike e kupton se si funksionojnë institucionet politike në një demokraci parlamentare. Mandatet e dhëna nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëhen të vlefshëm vetëm në momentin e kryerjes së betimit në Parlament, në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, Kodin Zgjedhor dhe Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Jo më kot ju referova precedentit “Banifra”! Sepse edhe në nenin 71 të Kushtetutës, pika 2 thuhet qartë se: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm sipas rastit; gërma a: “Kur nuk bën betimin” dhe gërma d: “Kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend”.Interpretimi i këtyre dispozitave duhet të jetë vetëm juridiko-kushtetues dhe aspak politik si trajtohet rëndom edhe nga analistë. është negativ dhe fakti kur deputetëve të PS ju kërkohet që të jenë “stoikë” në mbështetjen e vendimmarrjeve të imponuara nga Kryetari i PS, kjo thjesht për karrierën e tij personale. Me kalimin e afateve kushtetues, mandati bëhet i pavlefshëm, sado t’i inkurajojë “i pa mandatuari” ata që janë mandatuar!Roli i aktorit në teatrin absurd s’duhet të inkurajojë kërkënd në këtë aventurë, që po rezulton e dështuar dhe do të vazhdojë si e tillë. Përsëris se e vetmja rrugë që duhet të ndjekin të mandatuarit e PS është respektimi i Kushtetutës dhe dispozitave të tjera ligjore.Veprimtaria politike e të mandatuarëve të PS duhet të zhvillohet në tempullin e demokracisë, në Parlament dhe jo në “llogore”.Historia na kujton se mënyra revolucionare që solli ardhjen në pushtet të Nolit më 16 qershor 1924, çoi dhe në ndëshkimin e shpejtë të tij!