E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 mijë mendimet e panjohura të Rizës



“Mendime të shkëputura të një vazhde të vetme” të Selman Rizës, në një volum prej 608 faqesh, ka kthyer aristokratët e librit në Prishtinë në një gjendje nderimi se çfarë fshihet pas fatit të një shkencëtari, mendimtari, politikani. Shtëpia botuese “Dukagjini”, duke shfrytëzuar panairin e librit në Kosovë, rikujton 100-vjetorin e lindjes së albanologut - përmes botimit të ditarit ku janë hedhur 7 mijë shënime, rikthen vëmendjen për një nga mendjet më të shquara shqiptare të shekullit XX. Shqetësime, gjendjet emocionale dhe identifikimi moral janë “të fshehtat” që na lidhin me botën intelektuale dhe shpirtërore të Selman Rizës. Tirana zyrtare në axhendën e saj nuk ka asnjë veprimtari në 100-vjetorin e dijetarit, ndonëse zëra patën propozuar që ky vit të shpallej edhe viti i Rizës

Fshehtësia, hija më misterioze që përmbyt të vërtetën në kushte krejtësisht të errëta, gjithnjë ka destinacionin biblik për të shkuar drejt dritës - si e vërtetë paradoksale.

Sado e pabesueshme qoftë kjo e vërtetë, dëshmia i rrëzon të gjitha - pas një njeriu monument që flet për lirinë dhe gjendjen tonë të shpirtit.

Për ta ndier këtë shëmbëlltyrë dhe zbërthyer, duhet më parë të shfletosh “ditarin” e panjohur të albanologut Selman Riza, ku ndërthuret fati i dijetarit dhe fati i veprës. Pa dyshim që në Tiranë ky fat nuk mund të përshkruhet në nota kaq entuziaste. Ndërsa Kosova mbetet gjithnjë vendi “i fshehtë” prej nga thuhen të gjitha liritë, prej nga ndihen paradokset që nuk mbahen aq të lidhura për fijesh në kryeqytetin shqiptar.

Për të kuptuar pjesën e munguar, më të ashpër, studiuesi, njeriu i përndritur, shkencëtari, politikani i ashpër, irredentisti këtë vit mbushi 100 vjet nga lindja. Pritej që kjo të ishte në vëmendjen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, po aq sporadike ishin dhe nën zë dëshira për ta kujtuar këtë njeri si gjithë kontribuuesit e tjerë të kombit - pra t’i kremtohej ky përvjetor në një vit të tërë.

Por kjo mbeti e izoluar. Zgjimin për vëmendje u bë dje, në Prishtinë, kur për herë të parë dalin në dritë shënimet e panjohura të njeriut ideal dhe albanologut në kuadër të panairit të librit.

“Mendime të shkëputura të një vazhde të vetme” me një volum prej 608 faqesh, ka kthyer mysafirët aristokratë të librit në Prishtinë në një gjendje nderimi se çfarë fshihet pas fatit të një shkencëtari, mendimtari, politikani.

Ky ditar, që sheh dritën e botimit për herë të parë, shkon si pjesë integrale e veprës së Selman Rizës. Dje, në Prishtinë është cilësuar si ditar intelektual, ku janë përzier elemente autobiografike, duke i dhënë një aspekt jetësor të gjitha shqetësimeve të tij në kohën kur jetoi.

Kjo formë shënimesh autobiografike haset dendur, e ngjashme në të gjithë plejadën kur jetoi Riza - me po të njëjtën frymë, atmosferë, ku shkrihen ndjesitë humane, ditari intelektual, studiuesi, kritiku dhe “shtëpia” e gjerë, shpirti dhe atdheu.

Botuesi i “Dukagjinit”, që ka përgatitur veprën, tha: “Vepra që botojmë paraqet një pjesë të rëndësishme të mendimtarisë dhe të preokupimeve të Selman Rizës në një formë të pazakonshme, në formë shënimesh në vazhdim të çdo gjëje që do t’i ketë bërë përshtypje”. Nga ditari botuesi bën të njohur se tërheqin vëmendjen sidomos mendimet e Rizës që lidhen me teorinë dhe filozofinë e njohjes, me klasifikimin e shkencave, me çështje të raportit gjuhë/ mendim/ realitet, me çështje të konceptimit të shkencës që ai e konsideronte të themeluar për herë të parë nga ai vetë – të intelektologjisë dhe komunikativistikës, me çështje të mirëfillta të gjuhësisë... Mbi këtë kontekst, Riza shihet qartë se synonte ndërtimin e intelektologjisë, në një anë, dhe të signoteknisë, në anën tjetër. Njëra do të ishte pandani i logjikës së Aristotelit, ndërsa tjetra do të ishte ajo që te Saussure-i është quajtur semiologji, ndërsa këtu, signotekni, e parë në ndërvarësi me intelektologjinë. Kjo vazhdë mendimesh nga ai vetë në një çast ishte konsideruar vepër më vete.

Në këto përpjekje dhe shqetësime, në ditar Riza jep dhe reagimet e ndryshme emocionale, momentet që do t’i kenë bërë përshtypje, ndonjëherë shtytjet për t’u shprehur në mënyrë tjetër, sidomos për çështje identifikimi emocional.

Në ditar janë mbi 7000 shënime, mendime, aforizma, ide, konceptime teorike, vrojtime apo meditime të thelluara në një vazhdë, ashtu si i kishin ardhur në radhën e tyre njërës nga mendjet e shquara shqiptare të shekullit XX, madje në kohë të vështira të privimit të saj nga komunikimi publik, shumë dije, mprehtësi dhe dritë të mendjes, moral, qëndresë e frymë që shpie më tej.

Vepra që ka lënë Selman Riza paraqet veçanti për cilësinë e saj, po edhe për një rrethanë të posaçme: është shkruar e tëra në mbetjet kohore dhe gjendjet shpirtërore midis burgosjeve, internimeve, riburgosjeve, riinternimeve, ndëshkime të shkaktuara pikërisht për veprimet sipas pasioneve të tij të jetës - Gramatikës (Dijes) dhe Kosovës.

“Ecejaket e tij nga dijet nacionale tek universalet dhe e kundërta, shkrirja e tyre me lehtësinë e mjeshtrit, përveçse sjellin rezultate me vlerë në çështjet konkrete, flasin mirë për kulturën tonë dhe për potencialet e saj”.

Në kulturën shqiptare të shekullit XX vepra e S. Rizës mund të mbetet e vulosur nga një paradoks: moralisht emancipuese, shkencërisht e thelluar, kritikisht rrugëhapëse, pretendimisht rithemeluese, ajo nuk gjeti shumë rezonanca të mirëfillta te bashkëkohësit.

Kjo ndoshta hyn ndër veprat e para që na nxisin të mësojmë për jetën e shkencëtarit. Jemi njohur më parë me jetën dhe veprën e Rizës, nga një monografi e botuar nga Engjëll Angoni, duke iu kushtuar kësaj figure, konsideruar si e lënë qëllimisht në harresë. Një nga sensibilizuesit për ndjeshmërinë e kontributit të Selman Rizës, është dhe arkeologu Aleksandër Meksi, i cili ka shkruar se “vepra dhe jeta e tij, prej patrioti të madh, duhet të botohet e plotë, duhet të njihet mirë, veçanërisht në kohët me trazime dhe pështjellime të mëdha si kjo e jonë. “Atdheu fillon te fjala“ ka thënë një poet dhe në rrënjët e fjalëve shkoi, si pakkush, Selman Riza”.

Në veprën monografike të Angonit, që dallohet për korrektesën dhe logjikën se si e ka përshkruar djalin e vogël gjakovar, që nga arratisja e tij nga Kosova, ardhja në Shqipëri, në vitin 1922, në këmbë bashkë me të rinj të tjerë kosovarë. Parashikimi i profesorëve mbi këtë profil shkencëtari ka qenë absolut se do të bëhej një emër i madh për kombin. Leon Perre, drejtor teknik i Liceut të Korçës, do t`i shkruante kështu ministrit të Arsimit: “Selman Riza është një i ri tepër i talentuar, shumë serioz, i cili do të mundte me të njëjtën lehtësi të kryejë çdo degë të studimeve universitare dhe unë nuk dyshoj që të mos i bëjë më vonë nder atdheut me emrin e tij”.

Jeta emocionale dhe shpirtërore që vetë albanologu ka hedhur në ditar si duket lidhen me atë që ai përshkroi fizikisht, si kohë dhe atmosferë politike. Në shkurt të vitit 1940, Selman Riza bashkë me profesorë të tjerë patriotë si Abaz Ermenji, Masar Shehu, Stavri Skëndi etj. internohen për një periudhë trevjeçare në Ventotone të Italisë. Në tetor të vitit 1941 ai lirohet nga internimi dhe kthehet në atdhe. Jeta e vështirë, sa për të mbijetuar në Shqipëri e “detyron” të shpërngulet në Kosovë (korrik 1942) ku punon si përfaqësues në gjyq, por iu kushtua edhe studimeve, duke u marrë njëkohësisht me veprimtari intensive politike. Riza cilësohet si “truri i vërtetë i partisë së irrendentistëve”. Mbi këtë synim, pra të lëvizjes antifashiste irredentiste, A. Meksi na ka njohur se Riza ishte botuesi i traktatit programatik “Manifesti i Irredentizmit Antifashist”, duke e përcjellë këtë në Tiranë në dhjetor të vitit 1943.

Në vitin 1944, Riza boton sërish në Tiranë, por tani një punim me titull “Për dokumentarin e kundërtezës shqiptare” (për çështjen nacionale të Kosovës) në të cilin, me argumente bindëse hidhen poshtë pretendimet e shovinistëve serbë për përkatësinë e Kosovës. Arkeologu A. Meksi na bën me dije se “ky dokument kaq i rëndësishëm natyrisht që u zhduk dhe nuk është gjendur as sot”, - duke na sugjeruar një lexim të vëmendshëm në “Shënimet autobiografike”, që mund të shërbejë si burim autentik informacioni. Në vitin 1945, Riza burgoset prapë, tani në Tiranë, kur kishte pak ditë të rikthimit të tij në Shqipëri që t’i shpëtonte gjenocidit serb. Veprimtaria e tij politike ishte shkaku. Në burgun e Tiranës ka qëndruar vetëm tre muaj. Duke u përcjellë me kërkesën e jugosllavëve, albanologu u transferua në burgjet e Titos në Prishtinë “si kosovar antijugosllav”. Lirohet pas tre vjetësh e gjysmë, në vitin 1951, pasi ishte i sëmurë rëndë nga skorbuti. Vitet ’51-’55 janë intensive për punën e tij shkencore, pavarësisht se ishte i internuar dhe i mbikëqyrur në Sarajevë. Rikthimi përfundimtar në Shqipëri mbyll dhe kalvarin e jetës së njeriut dijetar, me gjendje shpirtërore, pasojat e së cilës ndihen në ditarin, shënimet që Riza ka lënë për t’u kuptuar dhe njohur çfarë ishte ajo kohë, kush ishim ne - identifikimi moral.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›