USAID, 100 milionë lekë për infrastrukturën në Fushë-Krujë
Për herë të parë qeverisja vendore në Shqipëri arrin të nënshkruajë marrëveshje për marrjen e huasë tregtare. USAID i ka dhënë një hua prej 100 milionë lekësh Bashkisë së Fushë-Krujës, e cila do të përdoret për infrastrukturën e këtij qyteti. Në ceremoninë e firmosjen dje morën pjesë kryetari i Bashkisë së Fushë-Krujës, Ismet Mavriqi, zëvendësministri i Financave, Florion Mima; drejtoresha e misionit të USAID-it në Shqipëri, znj. Roberta Mahoney; drejtori i BKT-së, Pekhan Isipek dhe drejtori i Projektit të USAID-it në Shqipëri LGPA, z. David Smith. Kështu qyteti i Fushë-Krujës firmosi kredinë e parë tregtare për një njësi vendore në Shqipëri. Kjo hua tregtare u bë e mundur me anë të asistencës së USAID; projektit për qeverisjen vendore në Shqipëri dhe Autoritetit për Zhvillimin e Kredisë së USAID-it, si pjesë e asistencës teknike për zhvillimin e qeverisjes vendore dhe mbështetjen për zbatimin e ligjit të huamarrjes vendore. Qëllimi i kësaj huaje është financimi i një nga tre segmenteve të unazës veriore të qytetit të Fushë-Krujës. Shuma totale e huasë është 100 milionë lekë; me një normë interesi prej 6 muajsh bono thesari plus 3.08% dhe maturim 8-vjeçar.
Në fjalën e saj drejtoresha e Misionit, znj. Mahoney, tha se “huaja e parë tregtare për një njësi vendore përfaqëson një gurë themeli për procesin e decentralizimit në Shqipëri. Aftësinë e pushtetit vendor për të marrë hua, fondet e nevojshme në mënyrë që të zbatojnë projekte investimesh, që do t’i mundësonte bashkive ofrimin e shërbimeve më të mira për komunitetin dhe për të promovuar në mënyrë efektive rritje ekonomike vendore. Ky instrument i ri financimi u jep njësive vendore një mekanizëm të shkëlqyer për të adresuar nevojat që ato kanë”.
Ndërtimi i unazës veriore të qytetit është një projekt që është identifikuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës me inpute nga të gjithë përfituesit dhe përfaqëson një prioritetet për qytetin. Unë e përshëndes Bashkinë Fushë-Krujë që përdorën mundësinë e marrjes hua për zbatimin e këtij projekti strategjik, që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve, do të promovojë zhvillimin dhe do të përmirësojë kushtet e biznesit. Ky projekt do të shërbejë si një model për njësitë e tjera vendore se si ato të përgatisin projekte fizibile dhe të financueshme. Bashkitë partnere me projektin LGPA janë: Fier, Fushë-Krujë, Gramsh, Himarë, Korçë, Kukës, Lezhë, Librazhd, Pogradec dhe Shkodër.