E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj: Opsioni i PS-së për shtyrjen e zgjedhjeve



Më në fund PS e ka artikuluar publikisht opsionin e saj politik, për të kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve. Ky opsion vjen pas akuzave dhe paralajmërimeve lidhur me problemet që PS konstaton në procesin e pajisjes me karta identiteti. PS pretendon se shumë votues nuk kanë mundësinë të marrin kartën, gjë që bën të pamundur votimin e tyre më 28 qershor, ndërkohë që akuzon qeverinë për manipulime gjatë procesit. Fatmir Xhafaj, sekretar për çështjen ligjore i kësaj partie, tha dje se “ne jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë. Është bërë e njohur përmes konferencave të shtypit, deklarimeve publike, letërkëmbimeve të herëpashershme që kemi pasur me dikasterin përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për këtë çështje”. Ai e bëri këtë deklaratë, pasi la në prokurori tre kallëzime penale kundrejt funksionarëve të qeverisë dhe Partisë Demokratike, me pretendimin e manipulimit në procesin e aplikimit dhe në transparencën e të dhënave për kartat e identitetit.

Shtyrja e zgjedhjeve

I pyetur për mundësinë e largimit nga procesi zgjedhor Xhafaj tha qartë se “nuk përjashtohet asnjë opsion”. Para derës së prokurorisë sqaroi etapat që ka ndjekur PS deri në artikulimin e këtij opsioni. Ai tha se “së pari ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë të dhëna të plota, jo të dhëna të deformuara dhe të falsifikuara si këto që na janë dhënë sot, sepse mbi bazën e atyre të dhënave, ne do të kemi mundësi që të gjykojmë realisht mbi riskun dhe situatën konkrete lidhur me çështjen e kartave të identitetit”. Më tej, ai shtoi se “mbi bazën e këtij informacioni, ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një moment shumë të përshtatshëm dhe të afërt, ne do të marrim vendimet përkatëse politike. Ne nuk do të lëmë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit për të ushtruar të drejtën e votës”.

Kallëzimet

Në Prokurorinë e Rrethit Tiranë, Xhafaj dje ka dorëzuar tre kallëzime penale. Sipas tij, bëhet fjalë “për një kallëzim penal që ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit nga një shtetas. Kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike, duke shitur kupona në këmbim të votës dhe e treta, ka të bëjë me një fakt shumë të njohur tashmë për ju dhe për publikun: me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme”. Zyrtari socialist tha se PS ia lë në dorë drejtësisë tashmë verdiktin për këto akuza. Ndërkohë, ai tha se PS do ta mbrojë votën me çdo çmim. “Ne, jemi të vendosur të respektojmë Kushtetutën dhe ligjin, por nga ana tjetër për të mos iu lënë asnjë mundësi manipulimi “Al Kaponëve” dhe “Arturo Ui”-t, që dëshirojnë të bëjnë nga këto veprime”, - përfundoi ai

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›