E Shtunë, 31 Tetor 2026

7 prill 2008 - Mbreti i Arabisë Saudite: Do të njohim Kosovën

  Arabia Saudite, gati për të njohur shtetin e Kosovës. Këtë gjë e konfirmoi vetë Mbreti i Arabisë, Al Saudi në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Mbreti saudit shprehu mbështetjen për kauzën e shqiptarëve dhe urimet më të mira për  shtetin më të ri në Europë.   Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj zyrtare në Arabinë Saudite me ftesë të Kryetarit të Parlamentit, Al Humeid mori gjithashtu garancinë se Mbretëria e Arabisë Saudite është e gatshme të firmosë çdo marrëveshje bashkëpunimi që  intensifikon marrëdhëniet mes dy palëve, duke e parë Shqipërinë si një nga vendet më të përshtatshme për investime.   Në këtë vizitë një ditore, Kryetarja e Kuvendit u prit nga përfaqësuesit më të lartë të mbretërisë Saudite, nga Mbreti  Abdullah Bin Al Saudi, Kryetari i Parlamentit, Salih Bin Abdullah Al Humeid dhe së bashku me delegacionin e Parlamentit shqiptar zhvilluan një seancë të gjatë e konkrete bisede me komitetin e miqësisë Arabi Saudite-Shqipëri. Kjo vizitë u konsiderua si hapje e një horizonti të ri në historinë e marrëdhënieve dy palëshe. Një vëmendje e veçantë iu kushtua rritjes së investimeve arabe në Shqipëri, duke pasur parasysh faktin se Arabia Saudite është  vendi me një zhvillim ekonomik marramendës, me GDP 374 miliardë dollarë, prodhuesi dhe eksportuesi i parë i naftës në botë, vend që e mbyll çdo vit me sufiçit dhe që ka tërhequr vëmendjen politike dhe ekonomike të mbarë botës. Mbretëria Arabe po forcon gjithnjë e më shumë imazhin e një vendi faktor stabiliteti për  paqe dhe siguri.   Veçanërisht e ngrohtë ishte pritja që Mbreti i Arabisë Saudite, Al Saud  rezervoi për zonjën Topalli dhe delegacionin që e shoqëronte në pallatin mbretëror, ku  për nder të miqve nga Shqipëria ishin ftuar përfaqësues të hierarkisë më të lartë të mbretërisë saudite.
Kryetarja Topalli, në mënyrë të veçantë  falënderoi  Mbretin për premtimin e bërë për Kosovën pasi  njohja nga Arabia Saudite, vendi më me peshë  në botën arabe, do të kishte një influencë të madhe në Konferencën Islamike, e cila numëron rreth 56 vende. Mbreti i Arabisë u interesua gjerësisht për klimën ekonomike në Shqipëri, eksportet, mundësitë për investime duke pohuar dëshirën reale të rritjes së investimeve arabe në vendin tonë.   Kryetarja e Kuvendit e njohu shkurtimisht Mbretin Al Saudi me zhvillimet e fundit në Shqipëri, me proceset integruese në BE dhe me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ajo tha se rritja ekonomike prej 6 për qind, politikat favorizuese fiskale, burimet natyrore të vendit e kanë bërë Shqipërinë vend shumë atraktiv dhe të sigurt, ku investitorë të fuqishëm janë gjithnjë e më shumë të pranishëm.   Kryetarja Topalli dhe Mbreti Al Saud diskutuan për gjetjen dhe shfrytëzimin e të gjitha mundësive për rritjen  e bashkëpunimit politik dhe ekonomik mes dy vendeve dhe popujve miq.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›