Topi përfundon takimet në Bari
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, përfundoi vizitën në Bari të Italisë, ku mori pjesë në veprimtarinë kulturore “Mea Puglia Festival 2010”. Kreu i shtetit ishte i ftuar nga autoritetet vendore të rajonit të Puljas. Në këtë eveniment kulturor ishin të ftuar edhe shumë personalitete të larta italiane dhe të huaja. Gjatë koncertit festiv u bënë edhe përshëndetjet e rastit dhe Presidenti Topi u takua dhe u përshëndet ngrohtësisht me Presidentin e rajonit të Puljas, Niki Vendola, me prefektin e Barit, Karlo Skilardi, si dhe me presidentin e provincës së Brindisit, Masimo Ferrareze. Kryetari i shtetit shqiptar dhe autoritetet vendore të rajonit të Puljas vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, si dhe vunë në dukje veçanërisht rolin e jashtëzakonshëm e të rëndësishëm të emigrantëve shqiptarë në Itali për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve historike, kulturore dhe ekonomike mes dy vendeve dhe popujve tanë tradicionalisht miq.
#