70 përqind i kompletuar
Romani i katërt i shkrimtarit të ndjerë suedez Stieg Larsson, autorit të ‘Millennium Trilogy’ të shitur në 30 milionë kopje, është 70 përqind i kompletuar dhe është i vendosur ndërmjet Irlandës, Suedisë dhe Shteteve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur ish kolegu i Larsson-it Kurdo Baksi.
Baksi, i cili po fliste në Festivalin Ndërkombëtar të Librit në Edinburgh rreth memoarit të tij, ‘Stieg Larsson My Friend’, pohon se e ka parë draft romanin nga partnerja e Larsson-it për afër 30 vjet, Eva Gabrielsson, pak pas vdekjes së autorit. Larsson ka vdekur nga një sulm në zemër në vitin 2004, para se të botoheshin romanet.
Megjithatë, pohimet e Baksi-t rreth librit të katërt janë befas në kundërshtim me vet Gabrielsson, e cila pat thënë se romani, me rreth 200 faqe, është vetëm 30 përqind i kompletuar dhe ‘nuk ka tërësi kompozicionale’. Ekziston në draft formë në kompjuterin e tij, të cilin ajo e ka mbajtur.
Baksi tha: “Aktualisht ka 260 faqe, rreth 70 përqind i kompletuar. Eva ka thënë se libri nuk është aq i kompletuar. Ajo e ka marrë librin pas vdekjes së Stieg-ut dhe na ka treguar mua dhe babait të tij”.
Gabrielsson, e cila gjithashtu e ka shkruar një memoar, më herët e ka sulmuar paraqitjen e Baksit për Larsson-in si gazetar të lerosur që nuk bazohej në fakte, duke e përshkruar librin e Baksi-t si ‘shpifje të pastër’ dhe duke bërë thirrje për tërheqjen e tij.
Familja e Larsson-it – e cila e ka trashëgoi pasurinë e tij pasi ai vdiq pa lënë testament – më parë i ka ofruar Gabrielsson-it mbajtjen e apartamentit të Larsson-it, në mënyrë që ajo t’ua japë kompjuterin, ofertë kjo të cilën Gabrielsson e refuzoi.
Baksi, një koleg gazetar me origjinë kurd i Larsson-it dhe ish fitues i çmimit Olof Palme, tha se dorëshkrimi si i tillë ‘do të bëjë një film të përsosur për Hollywood’ por është pajtuar se ndonjë përpjekje për ta kompletuar atë do të ishte e pakëshillueshme, pasi që shkrimtarët e supozuar fantazmë ‘nuk do ta respektonin stilin e Stieg Larsson-it’. Baksi pohon se kanë qenë dhjetë romane të planifikuara nga Larsson.
Mbi marrëdhënien e tij me Gabrielsson, ai tha: “Ajo më ka pyetur, ‘A je me mua apo me familjen?’ Dhe unë i thash nuk jam as me ty e as me familjen. E kam njohur vëllanë e tij për një kohë të gjatë dhe ndihem pjesë e familjes. Dua të jem mik i yti dhe i atyre... Dy vitet e para kam qenë me të, kam bërë gjithçka për të, duke folur me avokatët, duke folur me të çdo natë. Por nuk mund të mos u flas familjarëve”.
Ai shtoi: “Eva nuk ka qenë e vetmja femër në jetën e tij. Ai i ka pasur disa momente aty këtu – i njoh katër nga to. Nuk keni nevojë të brengoseni për Stieg Larsson. Ai ka pasur momente të mira në jetën e tij”.