E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet Faruk Begolli

Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës janë bërë bashkë për të kujtuar mjeshtrin e filmit dhe teatrit, aktorin e njohur Faruk Begolli, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në teatrin dhe filmin kosovar. Nga Albana S. Muja më 24 gusht 2011 në ora 17:33

Dy institucione kulturore, të cilat patën lidhje të ngushtë me aktorin e ndjerë Faruk Begolli, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës, të martën, mblodhën në foajenë e TKK-së artistë dhe dashamirë të artit skenik, për të nderuar në këtë mënyrë, katër vjet pas vdekjes, mjeshtrin e teatrit dhe të filmit, Faruk Begollin.
Fillimisht, u organizua homazh tek varri i të ndjerit, ndërsa më pastaj, kujtimi për Begollin vazhdoi në teatër.

I pranishëm ishte edhe Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili për profesorin Faruk Begolli tha që i ka dhënë vendit gjenerata me radhë, të cilat sot e mbajnë gjallë teatrin dhe filmin në Kosovë.

Në prani të shumë artistëve dhe familjarëve të aktorit Begolli, ministri tha po ashtu se kontributi që ka dhënë Faruk Begolli duhet të shërbejë për të gjithë si një shembull se si të punohet edhe më shumë për zhvillimin e kulturës në përgjithësi. Ai shtoi se shteti dhe shoqëria do ta ketë në mendje gjithmonë profesorin Begolli dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për zhvillimin e teatrit dhe filmit. “Edhe një herë e rikonfirmoj se ne do të bëjmë çmos që t’ua japim respektin meritor njerëzve të artit që kanë kontribuar me dekada për të arritur këtu ku jemi sot dhe shpresoj se kontributet e tyre do të shërbejnë si shembuj për të gjithë ne për të bërë më shumë për artin, dhe besoj që me bashkëpunimin që e kemi do të bëjmë punë të mira dhe në këtë mënyrë ta shpërblejmë punën e njerëzve të mëdhenj siç ishte Faruk Begolli”, tha Krasniqi.

Ndërsa, drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Burbuqe Berisha, tha se përkujtimi që po i bëhet sot profesorit Faruk Begolli është bërë në mënyrë simbolike, por shtoi se ai gjithmonë do të jetë në mendje të artistëve dhe shoqërisë. “E veçanta, do të thoja, e kujtimit që po i bëjmë kësaj here është se kur e kemi kujtuar aktorin Bekim Fehmiu, ministri në dalje më ka thënë ‘ju lutem mos e harroni Faruk Begollin sepse ai ka dhënë shumë’. Dhe kjo sot besoj që tregon se e kemi mbajtur fjalën”, tha Berisha.

Familjarët e profesorit dhe aktorit Faruk Begolli kanë falënderuar ministrin Krasniqi dhe gjithë artistët për respektin e treguar në vazhdimësi.

Për të kujtuar jetën dhe veprën e profesorit Faruk Begolli, tek varri i tij zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi dhe një grup aktorësh kanë vënë kurora lulesh.

Faruk Begolli u lind në Pejë më 25 janar 1944. Studimet për aktrim i kreu në Fakultetin e Dramës në Beograd. Ai ka luajtur në mbi 70 filma. Gati dhjetë vjet ka qenë drejtor i teatrit “Dodona” në Prishtinë, ku ka bërë regjinë e mbi 20 shfaqjeve teatrore. Është themelues i Drejtimit të Aktrimit në kuadër të Degës së Arteve Dramatike në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›